Edicioni i 15-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit WatchOut! mbahet nga 10 deri më 12 qershor në Tetovë

Edicioni i 15-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit WatchOut! do të mbahet nga 10 deri më 12 qershor 2026 në Tetovë, me shfaqje filmash në ambient të hapur dhe me pjesëmarrje të krijuesve nga vende të ndryshme të botës, shkruan Portalb.mk.

Këtë vit, festivali vjen me një koncept që e trajton imazhin si hapësirë të kontestuar dhe si fushëbetejë ku çdo kuadër përpiqet të përcaktojë realitetin. Në një kohë kur e vërteta shpesh copëtohet, shtrembërohet dhe riformësohet, WatchOut! synon të sjellë një kinematografi të drejtpërdrejtë, të papërpunuar dhe të guximshme, duke hequr filtrat për të zbuluar atë që është primare dhe e paprekur.

Shfaqjet e filmave do të mbahen për tre net me radhë, duke filluar nga ora 20:00, në Amfiteatrin përballë Muzeut të Partisë Komuniste në Tetovë. Në rast reshjesh, projekcionet do të zhvendosen në hapësirat multifunksionale të Qendrës LOJA, përkatësisht në Kinemanë e Xhepit dhe në Community Room.

Sipas organizatorëve, këtë vit festivali ka pranuar 399 filma nga 62 shtete dhe 6 kontinente, duke dëshmuar interesimin e madh ndërkombëtar për këtë ngjarje kulturore. Kjo pjesëmarrje e gjerë tregon se kinematografia vazhdon të jetë një mjet i fuqishëm për të nxitur debat, për të formësuar opinionin publik dhe për të sfiduar status quo-në.

Edicioni i sivjetshëm do të shoqërohet edhe me punëtori që do të zhvillohen në Qendrën LOJA. Ato do të udhëhiqen nga regjisorja e dokumentarit fitues, F. Esra Yıldız nga Turqia, si dhe nga aktori kryesor i filmit të shkurtër artistik fitues, Iñigo Salinero nga Spanja.

Hapja zyrtare e festivalit do të bëhet të mërkurën, më 10 qershor, në ora 20:00, me fjalime përshëndetëse nga përfaqësues të Goethe-Institut dhe drejtori i Qendrës për Bashkëpunim Ballkanik LOJA. Në të njëjtën ditë do të zhvillohet edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve.

Juria e këtij viti, e përbërë nga Anna Bernhardt nga Gjermania, punëtore ndërkombëtare e paqes, Robert Alagjozoski nga Maqedonia e Veriut, kritik i artit dhe kulturës, si dhe Ylljet Aliçka nga Shqipëria, skenarist dhe profesor universitar, ka vlerësuar filmat fitues në tri kategori.

Çmimi për filmin e shkurtër artistik i është ndarë filmit “Until God Wills It” nga David Fernández, Spanjë. Në kategorinë e filmit eksperimental dhe animacionit është shpërblyer “Sulaimani” nga Vinnie Ann Bose, Francë, ndërsa çmimi për filmin dokumentar i është ndarë filmit “Istanbul Convention Keeps Alive!” nga F. Esra Yıldız, Turqi.

Të gjithë filmat do të shfaqen në versionin origjinal, me përkthim në gjuhën angleze.

WatchOut! Tetovo Film Festival është festival ndërkombëtar në ambient të hapur, i organizuar nga Qendra LOJA, me mbështetje të Goethe-Institut Shkup dhe KURVE Wustrow, në kuadër të projektit CPS përmes BMZ.

Hyrja për publikun është falas.