Edhe pak ditë fillon Festivali i Këngës në RTSH, Aurora Polo: Këtë vit festivali përfaqësohet nga 30 krijime artistike
Festivali i 63-të i Këngës në RTSH, një nga ngjarjet më prestigjioze të muzikës shqiptare, do të zhvillohet më datat 19, 20, 21 dhe 22 dhjetor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Në një konferencë për media, i gjithë stafi organizues i Festivalit të Këngës dhanë gjitha detajet lidhur me organizmin dhe surprizat që do të jenë gjatë 4 netëve magjike, transmeton Portalb.mk.
Në një deklaratë për media, Zv.Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së dhe Drejtoresha e Festivalit, Aurora Polo, deklaroi se ky festival përfaqëson një përpjekje serioze për të kënaqur publikun, duke i dhënë mundësinë besnikëve, nostalgjikëve dhe të rinjve të ndjekin një ngjarje të denjë për traditën muzikore shqiptare. Drejtoresha e mbylli mesazhin duke theksuar se ky festival është një prodhim i nivelit të lartë, që tregon se RTSH ofron art dhe kulturë të vërtetë për publikun shqiptar.
“Në çdo fundvit Radio Televizioni Shqiptar përgatit ngjarjen më të madhe të muzikës në vend dhe kjo traditë është ruajtur me shumë profesionalizëm nga ky institucion por edhe nga këngëtarët. Këtë vit Festivali i Këngës përfaqësohet nga 30 krijime artistike. Ky festival do zhvillohet në Pallatin e Kongreseve nga 19-22 dhjetor. Si drejtoreshë e këtij festivali falënderoj këtë ekip artistësh dhe profesionalistësh për të sjellë një festival dinjitoz dhe për të kënaqu shikueshmërinë, besnikët, nostalgjikët dhe të tërheqim sa më shumë të rinj pranë Festivalit të Këngës. Jemi këtu për t’i treguar publikut se ne bëjmë prodhime serioze, shumë dinjiotze si Festivali i Këngës”, ka deklaruar Polo.
Polo gjithashtu falënderoi stafin e RTSH-së dhe Orkestrën Simfonike të RTSH, që janë “diamanti” i këtij festivali dhe një shtyllë e rëndësishme për realizimin e festivalit.
Për t’i shtuar emocionet publikut, nata e tretë do të jetë e veçantë, duke u konceptuar si “Nata e nostalgjisë”, ku do të kujtohen këngë ndër vite, vlera të historisë së pasur të festivalit. Kjo natë do t’i dedikohet autorëve dhe poetëve të këngëve të Festivalit të Këngës ndër vite dhe në këtë mbrëmje të veçantë, publiku do të ketë mundësinë jo vetëm të dëgjojë këngë të paharrueshme që kanë lënë gjurmë në Festivalin e Këngës por dhe të shijojë dhe fjalën e bukur të shkruar nga pena e këtyre autorëve.
Në natën finale, më 22 dhjetor, do të shpallet fituesi, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2025.