Dua Lipa mbrëmë u ngjit në skenën e `Sunny Hill`, këndoi shqip me babain e saj
Ylli botëror i muzikës, me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, mbrëmë dhuroi një spektakël të veçantë në hapjen e festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë, duke u ngjitur në skenë së bashku me babanë e saj, Dukagjin Lipa. Të dy performuan këngën “Era”, një nga këngët simbolike të kulturës shqiptare, e cila u prit me entuziazëm nga publiku, shkruan Portalb.mk.
Në fjalën e saj përshëndetëse para publikut Dua Lipa deklaroi se është tejet e kënaqur që ka pasur mundësi ta krijojë një festival në Kosovë me familjen e saj.
“Kënaqësi që pata mundësi ta krijoj me familje një festival për vendin tim. Tash na bëhen gjashtë vjet dhe po më duket çdo vit po bëhet mirë e më mirë”, ka thënë Dua Lipa.
Këngëtarja me renome botërore Dua Lipa ka mbyllur performancën dyorëshe në “Sunny Hill” me interpretimin e këngës “Houdini”. Performanca e saj u mbyll me ndezje të fishekzjarreve.
Sonte do të përformojë për herë të parë në Kosovë Shawn Mendes-yll botëror, fitues i çmimit MTV Europe Music Aëards, zë që mbush arenat anembanë botës. Talentin që e ka dëshmuar në “Rock in Rio” para mbi një numri të madh të publikut, do ta sjellë edhe në Kosovë.
Pjesë e kësaj mbrëmje do të jetë edhe DJ-i i njohur brazilian Mochakk, ritmet e të cilit e kanë renditur ndër DJ-të më të mirë në planet-duke performuar në festivale si “Coachella” dhe “Primavera Sound”.
Festivali “Sunny Hill” është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, duke sjellë në Prishtinë artistë të njohur ndërkombëtarë dhe duke promovuar imazhin e Kosovës si një qendër e rëndësishme e kulturës dhe muzikës moderne.