Dredhza Braina bën histori në botën digjitale, fitoi çmimin “Global Cybersecurity Woman of the Year 2025”
Ekspertja shqiptare e sigurisë kibernetike, Dredhza Braina nga Kosova, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz ndërkombëtar “Global Cybersecurity Woman of the Year 2025” në kategorinë “Barrier Breaker”. Ky çmim nderon gratë që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e sigurisë kibernetike. Ky çmim jo vetëm që është një arritje për Braninën, por edhe një moment krenarie për komunitetin shqiptar të teknologjisë, duke dëshmuar se talenti dhe përkushtimi nuk njohin kufij, shkruan Portalb.mk.
Dredhza Braina në profilin e saj në Facebook është shprehur mirënjohëse për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi.
“Jam pafundësisht mirënjohëse për të gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi, familja ime, miqtë, komuniteti dhe dashamirët, ju faleminderit nga zemra. Ky çmim nuk është vetëm për mua, është për të gjithë ata që janë përballur me sfida, por nuk janë ndalur, kanë thyer heshtjen e kanë thyer barrierat. Faleminderit ekipit të Cybersecurity Woman of the Year, veçanërisht Carmen Marsh, për krijimin e kësaj platforme ku gratë në sigurinë kibernetike jo vetëm njihen, por edhe fuqizohen. Faleminderit jurisë Cristina Dolan, Victoria Beckman, Bianca Lins, Darren Argyle, Jessica Robinson, Helen Oakley, e shumë të tjerë, për besimin që më dhatë! Urime të gjitha fitueseve nëpër secilën kategori, është një nder i madh të jem mes jush. Këtë çmim e trofe e fitova me emrin tim, por do e mbaj për të gjithë bashkëkombësit e mi”, ka shkruar Dredhza Braina.
Braina premton se nuk do të ndalet këtu dhe se ky çmim nuk është fundi i rrugës, por vetëm hapi i radhës.
Çmimi në fjalë vlerëson gratë më të shquara në industrinë e sigurisë kibernetike, duke njohur kontributet e tyre të jashtëzakonshme dhe ndikimin e tyre përtej kufijve.
