“Ditët e letërsisë suedeze” u shënuan edhe në Shkup

Në kuadër të shënimit të 30-të vjetorit të Shtëpisë Botuese “Shkupi”, sot në Komunën e Çairitu organizua manifestimi “Ditët e letërsisë suedeze”, transmeton Portalb.mk.

Në këtë aktivitet u promovuan librat: “Lufta me tritonët” e shkruar nga Karel Çapek, “Bishti i Ritës” nga Helena Koch e Sara Heldt dhe “Plaka e vogël prej spinaqi” nga Martin Ëidmark, Emma Karinsdotter e Emilia Dziubak.

Librat “Bishti i Ritës” nga Helena Koch e Sara Heldt dhe “Plaka e vogël prej spinaqi” nga Martin Widmark, Emma Karinsdotter e Emilia Dziubak, janë të përkthyera nga autori nga Suedia Sokol Demaku.

Ai për Portalb.mk tha se shpresojnë të vazhdojë fushata “Blej e dhuro libër”edhe nga institucionet shtetërore dhe afariste edhe më tutje.

“Ku me këtë rast i ftojmë këto autoritete që t’i bashkëngjiten kësaj fushate, sa letrare e kulturore, po aq edhe fisnike dhe e dobishme për shoqërinë tonë në Maqedoninë e Veriut”, tha Sokoli.

Pamje nga kopertina e librit “Bishti i Ritës”, nga Sokol Demaku
Pamje nga kopertina e librit “Bishti i Ritës”, nga Sokol Demaku

Sokoli shtoi se Shtëpia Botuese “Shkupi” ka organizuar promovime të shumta të atyre librave që janë botuar nga gjuhë të huaja në shqip, edhe atë kryesisht prej 5 deri 8 libra të promovuar në mënyrë grupore, nga ato libra që në ndërkohë janë botuar nga letërsia e caktuar evropiane dhe botërore. Në këto promovime kanë marrë pjesë autorë librash, nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, studentë, profesorë, autoritete kulturore e politike, ambasadorë të ndryshëm etj.

“Në promovimet e Shtëpisë Botuese “Shkupi”, jo vetëm që prezantohej letërsia e huaj, por edhe bëhej afirmimi i kulturës evropiane dhe botërore, e me këtë bashkëpunimit tonë vendor me të huajtë i japim vlera shtesë letrare e kulturore, në hapërimin e saj drejt euro integrimeve”, tha Demaku.

Se me çka e rrumbullakojnë 30 vjetorin, Azam Dauti kryetar i Shtëpisë Botuese “Shkupi” për Portalb.mk tha se sot në mënyrë solemne e shënuan 30 vjetorin e Shtëpisë botuese, nën moton “30 vjet…frymë letrare”, si dhe organizimin e “Ditëve të letërsisë suedeze”.

“Përvjetorin e sivjetmë e filluam në fillim vitin e 20024, kur i promovuam 10 libra të përkthyer nga letërsia botërore në shqip (Japoni, Suedi, Tajvan, Kroaci, Danimarkë etj.). Para dy muajsh filluam fushatën “Blej e dhuro libër”, ku u dërguam ftesë që ambasada të ndryshme, asociacione afariste shqiptare dhe institucione që t’i bashkëngjiten kësaj fushate me çmim promovues për 150 denarë të gjitha librat nga produksioni jonë. Kështu që, kësaj fushate vendosën t’i bashkëngjiten këto ambasada: nga Ambasada e Norvegjisë në Beograd (për Serbi dhe Maqedoni e Veriut) me blerjen 1720 libra nga letërsia norvegjeze, Ambasada e Irlandës në Bukuresht (për Rumani, Moldavi dhe Maqedoni e Veriut) me 410 libra nga letërsia irlandeze, Ambasada e Çekisë në Maqedoni me blerjen e 110 libra nga letërsia çeke dhe Ministria e Jashtme e Tregtisë dhe Evropiane e Maltës me blerjen e 102 librave nga letërsia malteze”, tha Dauti.

Nga ky fond i librave nga 25 deri 28 nëntor, u dhuruan:

  • 414 libra Gjimnazit “Zef Lush Marku”, Shkup.
  • 350 libra Shkollës së Mesme “Boro Petrushevski” Shkup.
  • 310 libra, Shkollës së mesme “Dr.Pançe Karagjozov”, Shkup.
  • 318 libra Shkollës së mesme “Cvetan Dimov” Shkup.
  • 310 libra Shkollës së mesme “Arsenie Jovkov”, Shkup.
  • 368 libra Shkollës së mesme “Maria Kiri”.
  • 333 libra Shkollës së mesme “Saraj” , Shkup.

“Kjo fushatë, edhe pse u mendua që të jetë më e suksesshme, megjithatë simbolika e dhurimit të librit po fillon të ketë suksesin e vet, në afirmimin e librit. A do të ketë reflektime të tjera kjo fushatë, mbetet për të parë”, tha Dauti.

Ai shtoi se Shtëpia botuese “Shkupi” u themelua në vitin 1994 dhe deri më tani ka botuar 300 libra, prej tyre thuaj se gjysma nga letërsia kombëtare shqiptare dhe mbi 150 janë Letërsi botërore.

“Për të gjitha vështirësitë tona gjatë rrugëtimit tonë, rrugëtim ky, që i ngjanë pothuajse ecjes së ngadaltë të breshkës, opinioni në Maqedoni dhe më gjerë ka qenë shumë herë i njoftuar. Sot nuk kam ndonjë arsye të përmendë këto vështirësi të Shtëpisë botuese SHKUPI, e as të librit shqip në Maqedoni, sepse gjithçka që kemi menduar se duhet thënë në mënyrë institucionale, ne e kemi thënë. Sot, për ne është një ditë gëzimi, pavarësisht nga ajo, se nuk mund të parashohim se si do të jetë nesër. Lumturia jonë është ky produksion letrar i ofruar gjatë këtyre 30 viteve, si dhe përpjekjet tona për të avancuar librin shqip në Maqedoni. Satisfakcion më të mirë se ky, për ne nuk ka”, theksoi Dauti.

Pamje nga manifestimin “Ditët e letërsisë suedeze”, nga Azam Dauti
Pamje nga manifestimin “Ditët e letërsisë suedeze”, nga Azam Dauti

Shtëpia Botuese përmes fushatës “Blej e dhuro libër” ka dhuruar mijëra libra në shkollat e mesme të qytetit, si formë për shënimin e 30-të vjetorit të themelimit. Në kuadër të kësaj fushate, pjesëmarrësve u dhuruan nga 5 libra të botimeve 30 vjeçare të Shtëpisë botuese “Shkupi”.