Diskutim “Përgjigjet strategjike të Evropës ndaj Kinës Globale dhe ndikimi në Maqedoninë e Veriut”: Investitori i vërtetë është Evropa, jo Kina
Vendet evropiane duhet ta zvogëlojnë gradualisht varësinë e tyre nga Kina, pa e ndërprerë plotësisht bashkëpunimin. Kjo do të thotë të punojnë me më shumë partnerë, ta zhvillojnë prodhimtarinë vendase dhe të vendosin rregulla të qarta për sigurinë dhe transparencën. Për Maqedoninë, kjo është veçanërisht e rëndësishme për përparimin në rrugën evropiane, pasi ajo duhet të harmonizohet me rregullat evropiane, siç janë kontrolli i investimeve, mbrojtja e të dhënave dhe mbikëqyrja e sektorëve të rëndësishëm, me qëllim ndërtimin e një ekonomie më të fortë dhe më të sigurt, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
Këto ishin disa nga mesazhet që u përcollën në diskutimin e sotëm ndërkombëtar me temë “Përgjigjet strategjike të Evropës ndaj Kinës Globale dhe ndikimi në Maqedoninë e Veriut”, i cili u mbajt në mjediset e Delegacionit të Bashkimit Evropian, i organizuar nga ESTIMA, e që mblodhi bashkë ekspertë, parlamentarë, diplomatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile për ta diskutuar ndikimin global në rritje të Kinës dhe nevojën për një qasje të koordinuar dhe strategjike në nivel kombëtar dhe evropian.
Panelistë ishin Miriam Lexman, deputete në Parlamentit Evropian, Justyna Szczudlik, zëvendësudhëheqëse për hulumtim dhe analitikë për Kinën në Institutin Polak për Çështje Ndërkombëtare, Ben Nupnau, zëvendësdrejtor i Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, dhe Fatmir Bytyqi, deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe bashkëkryesues i Aleancës Ndërparlamentare për Kinën. Eventi u hap nga Ana Krstinovska, drejtoreshë ekzekutive e ESTIMA.
Miriam Lexman, deputete në Parlamentit Evropian, në prezantimin e saj u fokusua në rreziqet në rritje të varësisë ekonomike dhe politike nga Kina, duke theksuar se Evropa dhe vendet si Maqedonia duhet të nxjerrin mësime nga varësia nga Rusia në kohë. Ajo theksoi se kompanitë kineze nuk funksionojnë si entitete klasike private, por janë të lidhura ngushtë me shtetin, gjë që sjell sfida shtesë sigurie, ekonomike dhe demokratike.
“Varësia jonë nga Kina është një rrezik ekonomik, kjo varësi, nëse nuk e trajtojmë, do të përfundojë me më shumë pasoja, nga një perspektivë morale dhe sigurie”, tha ajo.
Justyna Szczudlik, zëvendësudhëheqëse për hulumtim dhe analitikë për Kinën në Institutin Polak për Çështje Ndërkombëtare, e theksoi natyrën kontradiktore të ambicieve globale të Kinës. Ajo theksoi se nga njëra anë Kina dëshiron të kthehet si një superfuqi, por nga ana tjetër, ka pasiguri dhe frikë midis udhëheqësve të saj sepse, së bashku me Rusinë, ka frikë se vendet perëndimore mund ta shkatërrojnë regjimin e tyre autoritar.
Szczudlik theksoi se kjo ka pasoja të drejtpërdrejta sigurie për rajonin, sepse “Kina e mbështet Rusinë dhe mundëson që të vazhdojë lufta në Ukrainë “. Ajo paralajmëroi edhe për rreziqet ekonomike: “Kina eksporton, dhe ne vetëm importojmë… Kjo ka një ndikim në fabrikat dhe prodhimtarinë tonë. Dhe njerëzit humbasin vendet e punës, por nëse vendosin t’i rrisin çmimet, nuk do të kemi më fabrika ku do mund t’i prodhojmë këto mallra”, shtoi ajo.
Fatmir Bytyqi, deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe bashkëkryesues i Aleancës Ndërparlamentare për Kinën, theksoi se edhe pse Kina shpesh portretizohet si një faktor i madh ekonomik në Maqedoni, shifrat reale flasin për një pasqyrë krejtësisht ndryshe, ndërsa marrëdhënia jonë me Kinën është larg të qenit e barabartë. Nuk ka ekuilibër ekonomik, ne importojmë shumë dhe nuk eksportojmë asgjë. Ai theksoi se investitori i vërtetë në Maqedoni është Evropa, e cila ka një avantazh të madh krahasuar me Kinën.
Bytyqi paralajmëroi se prania e Kinës në rajon, veçanërisht përmes projekteve infrastrukturore, nuk është vetëm ekonomike, por edhe strategjike.
“Askush nuk e di se kur do të ndërtohet autostrada kineze Kërçovë-Ohër. Ndërtimi do të përfundojë kur të vendosë Kina, kur të gjejë ndonjë infrastrukturë tjetër kritike në të cilën ka interes dhe mundësi të hyjë dhe të mbetet si ndikim në vend. E deri atëherë nuk ka për tu bërë”, tha ai.
Ben Nupnau, zëvendësdrejtor i Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, theksoi se për të ndërtuar qëndrueshmëri, Maqedonia duhet të përqendrohet te mediat dhe sfera digjitale si një pjesë kritike e infrastrukturës kombëtare.
“Digjitalizimi dhe mediat duhet të monitorohen, duhet të sigurohet transparenca e të dhënave, sidomos në platforma si TikTok-u, duhet të monitorohet edhe pronësia e mediave për ta parandaluar infiltrimin e ndikimeve që nuk janë në përputhje me standardet demokratike”, tha Nupnau.
Ai theksoi se në këtë një rol kyç luajnë rregulloret dhe mjetet ligjore të BE-së. Ai theksoi se skriningu i investimeve, rregulloret për shërbimet digjitale dhe mekanizmat e tjerë ligjorë janë të nevojshëm për ta mbrojtur lirinë e medias dhe për ta siguruar funksionimin transparent të tregut. Sipas tij, Maqedonia nuk është e detyruar të mbështetet në investimet kineze dhe mund të përdorë alternativa evropiane.