Dikush ngarkon skedarë, dikush tjetër nuk është i trajnuar dhe nuk di: Kaos me publikimin e të dhënave të hapura në institucione

Gazetaria hulumtuese, krijimi i vizualizimeve kreative dhe analizave për tema të caktuara, zhvillimi i zgjidhjeve të TI-së dhe hulumtimet e çdo lloji sot është jashtëzakonisht e vështirë të krijohen pa ekzistimin e të dhënave të hapura. E përderisa inteligjenca artificiale po pushton me shpejtësi botën, institucionet e Maqedonisë së Veriut kanë ngecur në kozmosin e publikimit të parregullt të të dhënave në format të hapur. Në rastet kur publikojnë informacione të rëndësishme nga institucionet e tyre, më së shpeshti të dhënat janë në formë të dokumenteve PDF që janë të vështira për t’u kërkuar nga njerëzit, dhe të pamundura për t’u përpunuar me kompjuter, shkruan Meta.mk.

Në Maqedoninë e Veriut, koncepti i të dhënave të hapura u prezantua dhe u promovua me anëtarësimin e vendit në Partneritetin për Qeverisje të Hapur në vitin 2011. Më pas, në vitin 2014 është miratuar Ligji për Përdorimin e të Dhënave nga Sektori Publik. Është përgatitur edhe Strategjia për të Dhënat e Hapura për periudhën 2018-2020 dhe është vënë në funksion edhe portali i të dhënave të hapura Data.gov.mk. Me gjithë përpjekjet e bëra nga organizatat joqeveritare, donatorët e huaj dhe individët, edhe sot e kësaj dite, një numër i madh institucionesh vazhdojnë të publikojnë dokumente të skanuara, në vend që t’i ngarkojnë ato në format të hapur.

Gazetarët, programuesit, hulumtuesit dhe palët e tjera të interesuara rregullisht e parashtrojnë pyetjen: Pse shumica e institucioneve nuk i publikojnë të dhënat në format të hapur? A është kjo një përpjekje për të fshehur të dhëna të caktuara, a ka trajnim të pamjaftueshëm të punonjësve në institucione, a ka frikë nga rrezikimi i të dhënave personale të qytetarëve apo nuk ka njohuri të mjaftueshme se cilat informacione janë konfidenciale, e cilat jo.

Mungon softueri, trajnimet, por edhe vullneti i punonjësve

Për t’u përfshirë në termin “të dhëna të hapura”, të dhënat nga institucionet duhet të publikohen në formë të përpunueshme nga kompjuteri, baza e tillë e të dhënave duhet të jetë e disponueshme për përdorim nga personat fizikë dhe juridikë dhe të mund të përdoret lirisht për nevoja personale ose komerciale, me ç’rast të dhënat e tilla duhet të jenë në gjendje të analizohen, përpunohen, kontekstualizohen dhe të shpërndahen pa asnjë kufizim teknik ose ligjor, ndërsa kostoja e shkarkimit të të dhënave nuk duhet të jetë më e lartë se shkarkimi i tyre në internet.

Disa nga ministritë, komunat, agjencitë dhe institucionet e tjera dështojnë që në pjesën e parë të përkufizimit të të dhënave të hapura, e ajo është publikimi i tyre në formë të përpunueshme nga kompjuteri.

Eksperti Viktor Mitevski nga Akademia Start-ap e Asociacionit për Hulumtime dhe Analiza ZMAI shpjegon për Meta.mk se tendenca e institucioneve maqedonase për të publikuar dokumente të skenuara, në vend të të dhënave në formate të hapura, mund të jetë reflektim i burimeve të kufizuara dhe i qëndrimeve kulturore në institucionet publike. .

“Kufizimet teknike paraqesin pengesë nëse institucioni nuk ka fuqinë punëtore apo ekspertizën teknike të nevojshme për t’i kthyer dokumentet në formate të të dhënave të hapura. Për ta tejkaluar këtë situatë është e nevojshme të futen zgjidhje integrale softuerike që do të mundësojnë tejkalimin e barrierave teknike që ekzistojnë për momentin” – sqaron Viktor Mitevski.

Ai shton se kultura tradicionale burokratike në disa institucione qeveritare shpesh nuk përputhet plotësisht me parimet e hapjes dhe transparencës së të dhënave.

“Rezistenca ndaj ndryshimeve mund të përforcohet edhe nga zyrtarët që janë të shqetësuar se si do të përdoren të dhënat, veçanërisht nëse bëhet fjalë për informacione të ndjeshme. Këta faktorë mund të krijojnë një klimë që do të jetë pengesë për krijimin dhe adoptimin e praktikave më transparente për institucione të hapura dhe llogaridhënëse” – shton ai.

Skedarë, file
Skedarë. Foto: Pexels

Pikërisht në drejtim të thyerjes së keqkuptimeve kryesore rreth të dhënave të hapura, Fondacioni “Metamorfozis” së fundmi publikoi një tekst për këtë temë. Duhet theksuar qartë se publikimi i një dokumenti PDF me të dhëna nuk do të thotë se institucioni ka publikuar të dhëna në format të hapur.

Gjithashtu, është gabim të mendohet se të dhënat e hapura e kërcënojnë privatësinë e qytetarëve dhe konfidencialitetin e informatave qeveritare. Ose më konkretisht, të dhënat e hapura nuk do të thotë se çdo dokument që institucioni e prodhon duhet të jetë i disponueshëm për publikun, kurse për marrjen e vendimeve të këtilla ka zyrtarë kompetentë në institucione.

Së fundi, është gabim të mendohet se të dhënat e hapura shërbejnë vetëm për rritjen e transparencës së institucioneve dhe disponueshmërisë së të dhënave për qytetarët.

“Transparenca është përfitimi më imediat, sepse nxit një mjedis ku funksionimi i institucioneve mund të jetë nën vëzhgim, duke e rritur kështu presionin për përgjegjësinë e tyre më të madhe ndaj qytetarëve. Të dhënat e hapura mundësojnë gjithashtu një ekosistem inovacionesh. Sipërmarrësit, shkencëtarët, e madje edhe qytetarët e thjeshtë mund t’i përdorin këto të dhëna për të zgjidhur problemet lokale, për të krijuar mundësi të reja biznesi dhe për të gjeneruar vlerë të shtuar. Përveç kësaj, përdorimi i të dhënave të hapura mund të përmirësojë ndjeshëm shërbimet publike duke mundësuar vendimmarrjen e bazuar në të dhëna” – thekson Viktor Mitevski.

Ai shton se për të ndryshuar praktikën e deritanishme është e nevojshme që të ndërmerren fushata publike për ndërgjegjësimin e publikut për të dhënat e hapura, ndërsa brenda institucioneve janë të nevojshme aktivitete të fokusuara, si punëtori të brendshme dhe programe trajnimi për punonjësit. Ofrimi i mbështetjes teknike është gjithashtu i rëndësishëm, kurse organi i centralizuar qeveritar për të lehtësuar nismën e të dhënave të hapura është Ministria e Shoqërisë së Informatike dhe Administratës (MSHIA).

“Krijimi i legjislacionit që jo vetëm që do të urdhërojë përdorimin e të dhënave të hapura, por edhe do të parashikojë ndëshkime të qarta për mospërputhje, mund të inkurajojë edhe më tej institucionet që të përshtaten” – thekson Mitevski.

Edhe në Analizën ex-post për të dhënat e hapura të Irena Bojaxhievskës dhe Fondacionit Metamorfozis, konstatohet se në nivel qeveritar koncepti i të dhënave të hapura mund të funksionojë vetëm me institucione që kanë të paktën përgatitje të pjesshme teknike, por gjithashtu konstatohet se përvojat e huaja krahasuese tregojnë se e rëndësishme është cilësia, e jo sasia, e të dhënave të hapura që janë publikuar.

Në analizën e Irena Bojaxhievskës dhe Fondacionit Metamorfozis, shtohet se nevojitet vullnet më i fortë politik dhe forcimi i kulturës institucionale për të dhëna të hapura, si dhe masa shtesë për zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja nga të dhënat e hapura. Një shembull adekuat është organizimi i hakatonëve, konferencave apo punëtorive në të cilat do të përdoreshin të dhënat e hapura. Së fundi, nevojitet edhe promovimi i të dhënave të hapura në dispozicion përmes përdorimit të mediave sociale dhe aktiviteteve të ngjashme.

Në këtë analizë shtohet se bazë ligjore për mbështetjen e publikimit të të dhënave të hapura në vend është Ligji për Përdorimin e të Dhënave nga Sektori Publik, por shtrohet pyetja se sa duhet të ndryshohet ky ligj, pasi ai u miratua nëntë vjet më parë.

Ligji i ri me direktivën e BE-së funksionon që nga viti 2021

Ligji aktual për Përdorimin e të Dhënave të Sektorit Publik është miratuar në vitin 2014, por ndërkohë ka lindur nevoja për harmonizimin e tij me Direktivën e BE-së për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik të datës 20 qershor 2019 (2019/1024). si dhe për të tejkaluar disa dobësi nga zbatimi i ligjit ekzistues.

Në Analizën ex-post për të dhënat e hapura thuhet se harmonizimi i ligjit aktual me direktivën evropiane ishte planifikuar të përfundonte gjatë vitit 2022. Megjithatë, deri më sot Ligji i ri për Për Përdorimin e të Dhënave të Sektorit Publik nuk ka hyrë në procedurë parlamentare.

Skedarë, file, dokumente
Skedarë, foto: Pexels

Ndryshimet dhe plotësimet e këtij ligj kanë filluar qysh në vitin 2021 dhe dëshmi për këtë është Njoftimi për fillimin e procesit të përgatitjes së Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Për Përdorimin e të Dhënave të Sektorit Publik i publikuar që në korrik të vitit 2021 në faqen e internetit të ENER-it. Këto ndryshime dhe plotësime të propozuara në ligj ende nuk janë hartuar në tërësi, ato ende presin për t’u miratuar në seancën e qeverisë, e më pas të dërgohen për votim në Kuvendin e RMV-së.

Nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës për Meta.mk sqarojnë se ata e koordinojnë Grupin Punues Ndërinstitucional që është përgjegjës për këtë çështje.

“Teksti është pothuajse përfundimtar, ka ende një numër të vogël çështjesh të ndërlidhura dhe të varura që duhet të shqyrtohen në kuadër të grupit të punës dhe bashkërisht të gjenden zgjidhjet e duhura që do të jenë të pranueshme dhe që do të zbatohen nga të gjithë aktorët” thonë nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA), duke shtuar se pas finalizimit të draft-tekstit të zgjidhjes ligjore, ai do të publikohet në faqen e internetit të ENER-it për të siguruar pjesëmarrje më të gjerë të publikut në procesin e konsultimit me palët e interesuara.

Mirëpo, MSHIA-ja nuk jep një përgjigje të saktë në pyetjen tonë për afatin deri në të cilin Ligji i ri për Për Përdorimin e të Dhënave të Sektorit Publik duhet të miratohet në Kuvend.

Eksperti Viktor Mitevski thekson se zvarritja e procesit legjislativ për miratimin e ligjit të ri mund të çojë në humbjen e mundësisë për krijimin e një sistemi më transparent dhe më të përgatitur.

“Në një botë ku të dhënat po bëhen gjithnjë e më kritike si për qeverisjen ashtu edhe për zhvillimin, vonesat e tilla në fakt mund të shërbejnë për të minuar besimin e publikut dhe për të penguar inovacionet. Përpjekjet avokuese nga shoqëria civile, proceset me interes publik dhe diskursi publik në media mund të shërbejnë për përshpejtimin e procesit legjislativ” – thotë Viktor Mitevski.

Disa publikojnë të dhëna të hapura, e disa jo

Situata aktuale tregon se publikimi i të dhënave të hapura nuk është praktikë e të gjitha institucioneve në vend. Meta.mk bëri një analizë të portalit për të dhëna të hapura Data.gov.mk, i cili duhet të paraqesë një lloj pike në internet ku mund të gjenden grupe të dhënash në format të hapur nga të gjitha komunat, ministritë, agjencitë dhe institucionet tjera.

Megjithatë, me një analizë të thjeshtë të këtij portali, shihet se vetëm 74 institucione janë të regjistruara dhe kanë krijuar profilin e tyre në Data.gov.mk. Për më tepër, disa prej tyre nuk kanë publikuar asnjë grup të vetëm të dhënash deri më tani. Shembuj të tillë negativë janë: Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Ministria e Kulturës, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ose komunat si: Shuto Orizare, Kërçova dhe Radovishi. Institucione të tjera e përdorin portalin në mënyrë jo të vazhdueshme, andaj kanë publikuar një numër shumë të vogël të të dhënave.

Gjithashtu duhet theksuar se disa institucione, si Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, jo vetëm që nuk kanë publikuar të dhëna të hapura në Data.gov.mk, por grupe të tilla të dhënash nuk mund të gjenden fare as edhe në faqen e tyre të internetit.

Përkundrejt kësaj, ka institucione siç janë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencia e Punësimit, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Byroja e Furnizimeve Publike apo komunat si Vallandova apo Gjevgjelia, të cilat vazhdimisht publikojnë të dhëna të hapura, si në portalin Data.gov.mk, ashtu edhe në ueb-faqet e tyre.

Nga Fondacioni Metamorfozis, shpjegojnë se në bashkëpunim me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, tre vjet me radhë kanë zbatuar aktivitete për ofrimin e mbështetjes për gjithsej 14 institucione shtetërore për publikimin e të dhënave të hapura.

Në fakt, nga ajo që mund të shihet në portalin Data.gov.mk, pikërisht ato institucione që kanë ndjekur trajnimet për të dhëna të hapura, kanë publikuar edhe më së shumti grupe të dhënash në format të hapur.

“Përveç me institucionet shtetërore, Fondacioni Metamorfozis ka bashkëpunuar edhe me vetëqeverisjen lokale dhe në tre cikle radhazi për një vit e gjysmë trajnoi përfaqësues të 61 komunave për rëndësinë e transparencës proaktive dhe të dhënave të hapura. Përmes kësaj mënyre bashkëpunimi dhe mentorimi janë hapur mbi 300 grupe të dhënash” – shpjegon Marijana Jançeska, udhëheqëse e projekteve në Fondacionin Metamorfozis.

Kështu, gjatë vitit 2020, mbështetje për hapjen e grupeve të të dhënave iu dha pesë institucioneve, edhe atë: Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Drejtorisë për të Ardhurat Publike, Agjencisë së Kadastrës së Patundshmërive dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut.

Një vit më vonë, një mbështetje të këtillë morën Byroja për Furnizime Publike, Instituti i Shëndetit Publik, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë së RMV-së dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Fondacioni për Internet dhe Shoqëri "Metamorfozis". Foto: Portalb.mk
Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”. Foto: Portalb.mk

Gjatë vitit 2022, mbështetje për hapjen e grupeve të të dhënave iu dha Agjencisë së Punësimit, Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor.

Suksesi i procesit, i cili në masë të madhe varej nga angazhimi dhe bashkëpunimi i përfaqësuesve të institucioneve, u tregua edhe përmes rezultateve përfundimtare dhe procedurave të miratuara: të gjitha institucionet miratuan Procedurë për të dhënat e hapura; bënë katalogimin e grupeve të të dhënave nën juridiksionin e tyre; dhe bënë prioritizimin e grupeve të të dhënave nga Katalogu i institucionit” – shpjegon Marijana Jançeska nga Fondacioni Metamorfozis.

Një nga shembujt pozitivë është Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP), e cila në faqen e saj të internetit publikon rregullisht grupe të dhënash në format të hapur për listën e borxhlinjve, mbledhjen e të ardhurave tatimore, tatimpaguesit e regjistruar për tatimet elektronike, të ardhurat nga kontributet sociale, buxhetin e DAP-it dhe të dhëna të tjera të rëndësishme.

Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike thanë për Meta.mk se kanë formuar një grup punues prej pesë punonjësish, të cilëve iu është dhënë trajnim online gjatë pandemisë së Kovid-19, me ç’rast të cilit punëtorët përmes shembujve praktik kanë fituar aftësi në mënyrën dhe formatin e të dhënave, të cilat në përputhje me dispozitat ligjore duhet të postohen në Data.gov.mk.

Ndryshe, në ueb-faqen e DAP-it, në nivel mujor, tremujor dhe vjetor përditësohen të dhënat, të cilat janë me format të hapur dhe me karakter publik dhe mund të shkarkohen lirisht.

“Drejtoria e të Ardhurave Publike e konsideron transparencën si një segment kyç sepse krijon një mjedis informacioni më të hapur, më të përgatitur dhe më të besueshëm që nga ana tjetër i parandalon dezinformatat, të cilat janë një sfidë serioze jo vetëm në vendin tonë, por edhe në botë” – thonë nga DAP-i.

Një burim tjetër jashtëzakonisht i dobishëm i të dhënave të hapura, veçanërisht për gazetarët, organizatat joqeveritare dhe hulumtuesit e Maqedonisë së Veriut, është Sistemi Elektronik për Furnizimet Publike i Byrosë për Furnizime Publike (BFP). BFP-ja është një nga institucionet që publikon të dhëna në Data.gov.mk, e njëkohësisht në e-nabavki.gov.mk publikon të dhëna në formatin .csv të lexueshëm nga makina, kështu që të dhënat për kontratat e lidhura për furnizimet publike mund të përpunohen dhe analizohen më thjesht.

“Byroja për Furnizime Publike angazhohet në vazhdimësi për ngritjen e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies së të gjitha institucioneve, dhe kudo që ka mundësi merr pjesë dhe kontribuon në projekte, trajnime dhe angazhime në këtë problematikë. Një pjesë e punonjësve tanë (tre) ndoqën një trajnim mbi të dhënat e hapura në Fondacionin Metamorfozis dhe ai ishte i dobishëm për ngritjen e nivelit të njohurive të tyre, si në kuptimin e transparencës në përgjithësi, ashtu edhe në përcaktimin teknik të formateve të grupeve të të dhënave” – thuhet në përgjigjen e Byrosë për Furnizime Publike.

Konkluzioni i përgjithshëm nga ky institucion është se për të ngritur nivelin e ndërgjegjësimit për të dhënat e hapura tek punonjësit e institucioneve dhe tek publiku i gjerë, nevojiten më shumë trajnime të shkurtra, tutoriale, udhëzime për përdoruesit, por edhe këshilla për tejkalimin e frikës nga e panjohura gjatë përdorimit të formateve të ndryshme të skedarëve.

Ndryshe nga ata, nga Agjencia e Kadastrës së Patundshmërive për Meta.mk thanë se punëtorët e tyre kanë ndjekur trajnimin online për të dhëna të hapura, por kanë shtuar se nuk i publikojnë të dhënat në format të hapur në ueb faqen e tyre, e as nuk i plotësojnë të dhënat e hapura në faqen data.gov.mk. Si arsye për këtë, Agjencia e Kadastrës së Patundshmërive e përmend numrin e pamjaftueshëm të personelit të trajnuar siç duhet.

Nga ky shqyrtim i situatës, mund të konstatohet se situata me publikimin e të dhënave në format të hapur është e ndryshme për secilin institucion në nivel kombëtar apo lokal. Prandaj, duket se publikimi i grupeve të të dhënave në format të hapur nuk është i detyrueshëm për institucionet dhe kjo çështje i lihet vullnetit të tyre të mirë, gjegjësisht punonjësve individualë që kanë marrë njohuri dhe kanë aftësinë për të krijuar të dhëna të hapura. Për ta ndryshuar këtë praktikë negative, duhet jo vetëm miratimi i një zgjidhjeje ligjore, por edhe trajnime dhe një autoritet kompetent që do të bëjë kontrolle.

“Kjo tregon për faktin se duhet investuar në njohuritë e një numri të madh të institucioneve, d.t.th në burime njerëzore dhe burime të tjera, si dhe në organin që sipas zgjidhjes ligjore do të përcaktohej si organ që do të veprojë për ankesat dhe në organin përgjegjës për kontrollin e detyrimit për publikim” – theksojnë nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Këtë e konfirmon gjithashtu edhe Analiza ex-post për të dhënat e hapura nga Irena Bojaxhievska dhe Fondacioni Metamorfozis, në të cilin thuhet se neni 5 i Ligjit për Për Përdorimin e të Dhënave të Sektorit Publik përcakton se obligimi për publikimin e të dhënave të hapura nga institucionet zbatohet në përputhje me mundësitë teknike të institucionit.

“Megjithatë, nëse dikush dëshiron të rrisë efektivitetin e zbatimit të tij, duhet të vendoset një mundësi ligjore që institucioni që mbikëqyr zbatimin e ligjit të vlerësojë se kë mund ta ndëshkojë. Ato institucione që kanë mundësi teknike, por nuk kanë vullnet politik, nuk duhet të përjashtohen, gjegjësisht ë barazohen me institucionet që realisht nuk mund ta përmbushin këtë detyrim. Për një koordinim më të lehtë, është e nevojshme të vazhdohet me vendosjen e zyrtarëve për të dhënat e hapura në nivel të institucionit” – thuhet në analizën Ex-post të të dhënave të hapura.

Meta.mk i ka dërguar pyetje Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Komunës së Shuto Orizares, të cilat janë të regjistruara në portalin e të dhënave të hapura Data.gov.mk, por deri më sot atje nuk kanë publikuar asnjë të dhënë grup të dhënash në formatin e hapur. I pyetëm për arsyet pse nuk publikojnë të dhëna të hapura, nëse punonjësit në institucionet e tyre kanë marrë trajnime për të dhëna të hapura dhe çfarë u mungon për të rritur sasinë e të dhënave të publikuara në format të hapur, por edhe pas më shumë se gjysmë muaj nga pyetjet e parashtruara, nuk kemi marrë përgjigje nga këto institucione.

Fondacioni Metamorfozis thotë se do të vazhdojë të punojë në ndërtimin e një kulture të të dhënave të hapura, ndërsa institucionet këtë fondacion duhet ta shohin si një partner me të cilin do ta arrinin qëllimin për vendosjen e proceseve më transparente të funksionimit.

Aktivitetet janë pjesë e projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia e Institucioneve Shtetërore në RMV“, i cili zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis me mbështetje financiare nga Fondacioni Shoqëri e Hapur-Maqedoni.