Dënojmë fyerjet e “Brako-s” ndaj IRL-së për dokumentarin “Vrasje në Tetovë”, reagoi AShMAA

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (AShMAA) përmes një reagimi ka dënuar ashpër fyerjet dhe diskualifikimet e shprehura nga kompania “Brako”, drejtuar gazetarëve të Laboratorit të Gazetarisë Hulumtuese (IRL) në lidhje me filmin dokumentar “Vrasje në Tetovë”, transmeton Portalb.mk.

Nga AShMAA thonë se gazetaria investigative është kyçe në realizimin e rolit të medias, prandaj gazetarët nuk duhet të fyhen dhe diskreditohen publikisht kur hapin dhe analizojnë çështje që janë me interes të lartë. Përkundrazi, thonë ata punonjësit e medias duhet të inkurajohen në kryerjen e punës së tyre dhe informimin e publikut.

“Nëse ndonjë palë e interesuar beson se informacioni i publikuar nuk është i saktë ose se ai nuk është i plotë, duhet të përdorë të drejtën e garantuar me ligj të përgjigjes dhe korrigjimit, konkretisht demant. Në të njëjtën kohë, për mospërputhje të mundshme me parimet dhe standardet e përcaktuara në kodet gazetareske mund të përdoren mekanizmat e vendosur nga organet vetërregulluese”, kumtoi AShMAA.

Reagimin e kompanisë “Brako” e kanë dënuar dje edhe shoqatat e gazetarëve si: Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik, Këshilli Etik i Medias në Maqedoni dhe Instituti Maqedonas i Medias. 

Shoqatat thanë se autori i këtij njoftimi, në vend që t’i shpjegojë publikut, gjegjësisht të demantojë tezat individuale nga emisioni dhe t’u japë përgjigje akuzave të rënda për të cilat po vijojnë procedurat e organeve hetimore, bën përpjekje për censurë.

Sipas tonit të njoftimit, thonë shoqatat është e qartë se qëllimi është diskreditimi publik i gazetarëve kritikë dhe krijimi i kulturës së frikës kur përmenden kompanitë ekonomikisht të fuqishme:

“… ide monstruoze të grupit IRL, e cila me konstruksionin e fundit te rrejshëm tregoi se është turp për njerëzit që punojnë profesionalisht në gazetari dhe se padyshim po bëhet kancer për indin e shëndoshë ekonomik të shtetit”, thuhet në një pjesë të njoftimit.

Kjo mënyrë e komunikimit sipas shoqatave të gazetarëve paraqet pa dyshim presion mbi gazetarinë hulumtuese dhe përpjekje për të dekurajuar të gjithë gazetarët dhe mediat që të interesohen dhe hetojnë tema që kanë të bëjnë me korrupsionin, sundimin e ligjit dhe keqpërdorimin e pozitës së pushtetit.

Dokumentari “Vrasje në Tetovë” nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRLriaktualizoi tragjedinë e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku jetën e humbën 14 persona. Ky dokumentar zbuloi se  veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale. Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura si dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular nga ana e kompanisë “Brako“, për të cilat ishte i njoftuar edhe ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe. Aty zbulohen hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë në krye me prokurorin Lubomir Joveskin duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.