DASH: Dialogu Strategjik paraqet një epokë të re në raportet SHBA-Serbi
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se Dialogu Strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Serbisë “paraqet një epokë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve”.
Po ashtu, sipas DASH-it, “është një tregues i përkushtimit të të dy vendeve për zgjerimin dhe thellimin e partneritetit tonë”.
“Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, thuhet në përgjigjen e DASH-it dërguar REL-it.
Në përgjigje po ashtu thuhet se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte njoftuar më 6 gusht të vitit të kaluar se SHBA-ja do ta zhvillojë nisë këtë dialog me Serbinë.
Çfarë tha Gjuriqi?
Siç kishte paralajmëruar më herët ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, rundi i parë i Dialogu Strategjik pritet të mbahet më 17 korrik.
“Ajo që do të ndodhë të premten është vërtet një moment historik diplomatik dhe, do të thosha, edhe politik në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Gjuriq për Radiotelevizionin e Serbisë më 14 korrik.
Ai shtoi se ky vendim do ta “forcojë” situatën ekonomike dhe pozitën ndërkombëtare të Serbisë.
Po ashtu, Gjuriq theksoi se kjo e vendos Serbinë “në rrethin e vendeve me të cilat SHBA-ja ka nivelin më të lartë të bashkëpunimit institucional”.
RTS-ja raportoi se Gjuriq tha se kjo është e rëndësishme edhe për shkak të “çështjeve kyç shtetërore dhe kombëtare, para së gjithash Kosovës, Republikës Sërpska, si dhe ruajtjes së stabilitetit të brendshëm të Serbisë”.
“Është e rëndësishme për ne edhe për Kosovën, ku mbështetemi në mbrojtjen e popullit tonë, si edhe për Republikën Sërpska, ku vitin e kaluar patëm mirëkuptim të konsiderueshëm nga administrata e presidentit [amerikan, Donald] Trump për zgjidhjen e problemeve në Bosnje e Hercegovinë”, tha ai.
Çfarë i parapriu vendimit të SHBA-së?
Dialogu Strategjik, të cilin SHBA-ja e zhvillon me dhjetëra shtete në mbarë botën për ta thelluar bashkëpunimin, përfshin një sërë fushash – nga ekonomia dhe siguria deri te politika e jashtme.
Për mundësinë e nisjes së një dialogu strategjik me Serbinë ishte folur në gusht të vitit 2025, por atëherë ky dialog nuk nisi.
Në atë kohë ishte thënë se dialogu do të duhej të sillte “një epokë të re” në marrëdhëniet mes dy vendeve – duke ringjallur lidhjet politike, duke zgjeruar bashkëpunimin në fushën e biznesit dhe mbrojtjes, si dhe bashkëpunimin në sektorët e energjisë dhe teknologjive të komunikimit.
Serbia ka nënshkruar me SHBA-në marrëveshjen e saj të parë strategjike në fushën e energjisë në shtator të vitit 2024.
Më pas, në janar të këtij viti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se SHBA-ja i kishte paraqitur Serbisë dy “kërkesa formale” për nisjen e Dialogut Strategjik – njëra me karakter politik dhe tjetra e lidhur me sektorin e energjisë. Megjithatë, ai nuk dha detaje për kërkesat.
Uashingtoni e sheh si një nga interesat e tij kryesore në Ballkanin Perëndimor frenimin e ndikimit kinez dhe rus.
Ulja e varësisë energjetike të Ballkanit Perëndimor nga Rusia u përfshi ndër objektivat e Ligjit amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i miratuar në mesin e muajit dhjetor.
Në të njëjtin ligj, si objektiv përmendet edhe zvogëlimi i ndikimit kinez në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, SHBA-ja e sheh si objektiv edhe përparimin e menjëhershëm në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Siç thuhet, SHBA-ja duhet të mbështesë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në njohje të ndërsjellë.
Një tjetër çështje që ka shënuar marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë gjatë vitit të fundit janë sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), për shkak se në kompani shumica e aksioneve janë në duart e rusëve.
Administrata amerikane vendosi sanksione ndaj NIS-it në fillim të vitit 2025, me qëllim që të pengojë Rusinë t’i përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.
Prej më shumë se një viti, zbatimi i sanksioneve është shtyrë vazhdimisht, ndërsa që kur kompania hungareze MOL shfaqi interesim për blerje, licenca e Zyrës amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) është rinovuar në mënyrë periodike.
Herën e fundit, OFAC-i e zgjati licencën edhe për 30 ditë më 30 qershor.
Negociatat për shitjen e aksioneve ruse në rafinerinë e vetme të naftës në Serbi vazhdojnë ende.
Pronarët rusë zotërojnë 56.15 për qind të aksioneve të NIS-it, prej të cilave 44.85 për qind i takojnë kompanisë shtetërore Gazprom Neft.
Më 16 qershor, kompania hungareze MOL dhe Qeveria e Serbisë nënshkruan marrëveshjen ndërmjet aksionarëve për menaxhimin e NIS-it në të ardhmen.