Danimarka u bë vendi i parë që vendosi taksën e karbonit në bujqësi

Danimarka, eksportuese e madhe e mishit të derrit dhe qumështit, do të vendosë taksë mbi emetimet e dioksidit të karbonit në bagëti nga viti 2030, duke e bërë atë vendin e parë që e bën këtë dhe duke shpresuar të frymëzojë të tjerët që ta ndjekin, kështu njoftoi të martën Qeveria e Danimarkës, transmeton Portalb.mk nga Reuters.

Taksa u propozua për herë të parë në shkurt nga ekspertë nga qeveria për të ndihmuar Danimarkën të arrijë një objektiv ligjërisht të detyrueshëm për vitin 2030 për uljen e emetimeve të gazeve serrë me 70% nga nivelet e vitit 1990.

Qeveria të hënën vonë arriti një kompromis të gjerë me fermerët, industrinë, sindikatat dhe grupet mjedisore mbi politikën e lidhur me bujqësinë, burimi më i madh i emetimeve të karbonit (CO2) në vend.

“Ne do të jemi vendi i parë në botë që do të vendosë një taksë reale të CO2 mbi bujqësinë. Vendet e tjera do të frymëzohen nga kjo,” tha në një deklaratë të martën ministri i taksave Jeppe Bruus.

Ndërsa i nënshtrohet miratimit nga parlamenti, ekspertët politikë presin që një projekt-ligj të miratohet pas konsensusit të gjerë.

Marrëveshja propozoi taksimin e fermerëve me 300 korona daneze (rreth 2470 denarë) për ton CO2 në vitin 2030, duke u rritur në 750 korona (rreth 6180 denarë) deri në vitin 2035.

Fermerët do të kenë të drejtën për zbritje të tatimit mbi të ardhurat prej 60%, që do të thotë se kostoja aktuale për ton do të fillojë nga 120 korona dhe do të rritet në 300 korona deri në vitin 2035, ndërsa subvencionet do të vihen në dispozicion për të mbështetur rregullimet në operacionet e fermave.

Taksa mund të shtojë kosto shtesë prej 2 korona për kilogram (2.2 paund) mish viçi të grirë në vitin 2030, tha Ministrja për Çështjet Ekonomike Stefanie Lose për transmetuesin publik DR. Mishi i grirë i viçit shitet me pakicë nga rreth 70 korona për kilogram në dyqanet daneze me zbritje.

Zelanda e Re këtë muaj anuloi planet për të futur një taksë të ngjashme pasi u përball me kritikat nga fermerët.

Derisa fermerët danezë kishin shprehur shqetësime se qëllimet klimatike të vendit mund t’i detyronin ata të ulin prodhimin dhe të shkurtojnë vendet e punës, ata thanë se kompromisi bën të mundur ruajtjen e biznesit të tyre.

“Marrëveshja sjell qartësi kur bëhet fjalë për pjesë të rëndësishme të kushteve të fermerëve,” tha grupi i industrisë bujqësore L&F.