Çmimi i Hulumtuesit të Ri të Bankës Popullore për vitin 2024: Afati i fundit për aplikim është 1 shkurt

Banka Popullore njoftoi se afati i fundit për të aplikuar në Konkursin për Ndarjen e Çmimit Vjetor të Bankës Popullore të RMV për vitin 2024 është 1 shkurti, shkruan Portalb.mk.

“Afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve për Konkursin Vjetor të Çmimeve të Makroekonomisë dhe Bankës 2024 është 1 shkurt 2024. Të gjithë studiuesit e rinj të interesuar mund të dorëzojnë punimet e tyre, sipas kushteve dhe kritereve të thirrjes publike”, shkruan në njoftim.

Të drejtë pjesëmarrjeje kanë të gjithë qytetarët e vendit nën moshën 35 vjeçare, të cilët nuk janë punonjës të Bankës Popullore dhe nuk janë anëtarë të Këshillit. Autorët kanë të drejtë të konkurrojnë në Konkursin për Përzgjedhjen e Punimit më të Mirë me një punim të botuar tashmë, por punimi të jetë jo më i vjetër se 1 janar 2022. Dokumentet dorëzohen në Bankën Popullore në mënyrë elektronike në adresën elektronike: [email protected].

Çmimi vjetor i Bankës Popullore për Punimin më të Mirë është 100.000,00 denarë. Mirëpo, nëse Bordi vlerësues vlerëson se edhe punimi i dytë më i mirë është i një cilësie të përafërt me atë të parin, Banka Popullore mund të ndajë edhe çmim të dytë, në vlerë prej 50.000,00 denarë. Sipas vlerësimit të Bordit, mund të jepet vetëm një çmim i dytë ose çmimi Vjetor mund të mos jepet fare, nëse konstatohet se asnjë nga punimet nuk i plotëson kushtet e nevojshme.

Banka Popullore ka inkurajuar vazhdimisht kërkimin shkencor në fushën e makroekonomisë dhe atë bankare. Krahas Klubit të Kërkuesve, ku studiuesit kanë mundësi të prezantojnë punimet e tyre, Çmimi Vjetor për Kërkuesit e Rinj është një mjet shtesë i bankës qendrore për të motivuar popullatën e re për avancimin dhe zhvillimin e punës kërkimore dhe analitike në fushën e ekonomisë.