Britania ishte në dijeni të bisedimeve SHBA-Iran, tha Starmer

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka deklaruar të hënën se vendi i tij ishte në dijeni se po zhvilloheshin bisedime midis SHBA-së dhe Iranit. Ai gjithashtu ka thënë se Mbretëria e Bashkuar dëshiron të shohë uljen e tensioneve dhe një fund të konfliktit “sa më shpejt të jetë e mundur”, transmeton Koha.net.

“Për këtë qëllim, unë mirëpres bisedimet e raportuara midis SHBA-së dhe Iranit”, ka shtuar ai.

Starmer ka vazhduar duke thënë se “një marrëveshje e negociuar” duhet të vendosë “kushte të vështira për Iranin, veçanërisht në lidhje me armët bërthamore”.

Deklarata e Starmerit vjen pak pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se po zhvilloheshin bisedime me Iranin për fundin e armiqësive dhe se kishte përparim.