BE-ja filloi zbatimin e rregullave të reja për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirisë së shtypit
Në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian që nga 8 gushti 2025 zbatohen rregulla të reja për mbrojtjen më të mirë të gazetarëve, burimeve të tyre dhe lirisë së shtypit në epokën digjitale, raporton Portalb.mk.
Për të shënuar hyrjen në fuqi të Aktit Evropian të Lirisë së Medias (EMFA), zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian Sabine Verheyen theksoi se kjo ditë shënon një pikë referimi për lirinë e shtypit në BE.
“Por vlera e saj e vërtetë do të matet me veprime, jo me fjalë. Tani fillon puna e vërtetë: të sigurohet që çdo shtet anëtar ta zbatojë EMFA-në plotësisht dhe me besnikëri. Liria e medias nuk është e negociueshme, është shtylla kurrizore e demokracisë sonë”, tha Sabine Veheyen.
Sipas kryetares së Komitetit për Kulturë dhe Arsim Nela Riehl me Aktin e Lirisë së Medias, Evropa ka vendosur standardin për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe punës gazetareske.
“Ky është një arritje e madhe. Por është kuptimplotë vetëm nëse i përmbahemi. Po e shoh me shqetësim rënien e lirisë së shtypit në pjesë të ndryshme të Evropës dhe u bëj thirrje të gjitha shteteve anëtare ta zbatojnë atë me përpikëri”, tha Nela Riehl.
Kujtojmë që në shkurt të vitit 2024, Parlamenti dhe Këshilli i BE-së miratuan rregulla të reja për të mbrojtur lirinë e medias, si dhe pavarësinë e gazetarëve në BE.
Rregullorja hyri në zbatim gradualisht në vendet e BE-së që nga maji i vitit 2024, ndërsa dispozitat e saj kryesore filluan të zbatohen nga 8 gushti 2025.
Ligji i BE-së rrit transparencën e pronësisë së mediave dhe të ndarjes së reklamave shtetërore, forcon pavarësinë e medias publike dhe siguron mbrojtje të fortë për gazetarët dhe burimet e tyre.
Për të siguruar dukshmëri dhe pluralizëm, platformat digjitale duhet të përmbahen nga fshirja ose kufizimi arbitrar i përmbajtjes së medias së pavarur.