Arianit Ramadani solli para publikut koncertin me këngët e vjetra nga Pollogu (Video)

Mbrëmë në Sallën e vogël të Fakultetit të Arteve në Tetovë, u mbajt koncerti i këngëtarit Arianit Ramadani, i dedikuar këngëve të vjetra dhe trashëgimisë kulturore të rajonit të Pollogut, shkruan Portalb.mk.

Koncerti solli para publikut tetovar tinguj autentikë, emocione dhe kujtime nga një repertor që ndër vite ka qenë pjesë e pandashme e jetës kulturore e muzikore të kësaj treve. Përmes këngëve të përzgjedhura, Ramadani riktheu në skenë melodi të njohura të Pollogut, të cilat kanë shoqëruar breza të tërë dhe vazhdojnë të mbeten të gjalla në kujtesën kolektive.

Mbrëmja u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë dhe nostalgjike, ku publiku pati mundësinë të përjetojë nga afër këngët që bartin në vete histori, ndjenja, traditë dhe identitet.

Interpretimi i Ramadanit u prit me vëmendje dhe emocione nga të pranishmit, të cilët ndoqën një program të ndërtuar mbi vlerat e meloditë e vjetra shqiptare të Pollogut.

Në fokus të këtij koncerti ishin këngët që përfaqësojnë kujtesën kulturore të rajonit, këngë që janë kënduar në familje, oda, dasma dhe ngjarje të ndryshme shoqërore, duke u përcjellë brez pas brezi si pjesë e pasurisë shpirtërore të shqiptarëve të kësaj ane.

Arianit Ramadani, përmes këtij koncerti, synoi të rikthejë vëmendjen te këngët e vjetra të Pollogut dhe rëndësinë e ruajtjes së tyre.

“Ky koncert në Tetovë është shumë i veçantë për mua, sepse lidhem ngushtë me këtë vend dhe me publikun këtu. Është një ndjenjë e veçantë të performosh para njerëzve që të njohin dhe të mbështesin”, deklaroi Ramadani.

Ky koncert u realizua me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.