Ansambli Muzikor i Tetovës do të sjellë dy koncerte

Të premten (27 dhjetor) IN “Ansambli Muzikor” Tetovë me fillim nga ora 20:00, në Sallë e Shkollës shtetërore të muzikës në Tetovë, organizon koncertin “Talentët e Rinj”, një mbrëmje të veçantë përplot art dhe interpretim virtuoz nga talentet e rinj, transmeton Portalb.mk.

Ky projekt ka për qëllim promovimin dhe mbështetjen e artistëve të rinj që kanë korrur suksese në garat ndërkombëtare.

Solistët e koncertit do të jenë: Rrona Amiti – piano, Ledian Shala-piano, Sibora Resyli – violinë dhe Diell Ballata – flaut.

Orkestra profesionale do të jetë nën dirigjimin e Agona Çupit, ndërsa drejtues artistik dhe koordinator i projektit është pianisti dhe profesori i njohur, Shkëlzen Baftijari.

Në program do të interpretohen vepra të njohura nga kompozitorët e muzikës klasike, ndërsa koncerti do të shërbejë si një skenë ku artistët e rinj dhe premtues do të tregojnë dhe dëshmojnë aftësitë dhe virtuozitetin e tyre artistik.

Gjithashtu të shtunën (28 dhjetor) “IN Ansambli Muzikor” Tetovë, me fillim nga ora 19:00 në Qendrën për Kulturë Tetovë, sjell magjinë e festave të fundvitit me koncertin e muzikës së popullarizuar dhe moderne me solistët e mrekullueshëm dhe orkestrën profesionale.

Në koncertin përmbyllës të realizuar në kuadër të Programit Vjetor të Ansamblit Muzikor të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Tetovë, do të interpretohen hitet më të mëdha pop nga artistë dhe bende të njohur si Sting, Michael Bublé, Tina Turner, Andrea Bocelli dhe shumë të tjerë, në intepretim të artistëve tanë të njohur: Fjolla Ibraimi, Leotrim Zejnula, Elita Ziberi, Shpëtim Mustafa dhe Vullnet Neziri, të shoqëruar nga orkestra profesionale nën drejtimin e dirigjentit Premtim Etemi.

Ardian Ismaili drejtor i “IN Ansambli Muzikor”, për Portalb.mk tha se fton të gjithë artdashësit e muzikës moderne në një ngjarje të paharrueshme muzikore në prag të magjisë festive që sjellin festat e fundvitit.

”Po bëjmë përgatitjet e fundit për koncertin përmbyllës të fundvitit. Kemi përzgjedhur me kujdes një program, ku publiku do të ketë mundësinë të shijojë hitet më të njohura muzikore, në interpretimin e artistëve tanë, dhe talenteve të rinj që premtojnë shumë”, tha Ismaili.

Hyrja për koncertet është falas dhe të njëjtat janë nën patronazhin dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Afishja e koncertit të fundvitit. Foto: Ardian Ismaili

Afishja e koncertit të fundvitit. Foto: Ardian Ismaili