Anita Aziri nesër do të mbajë koncert solistik në Tetovë

Këngëtarja Anita Aziri nesër, më 29 maj 2026, do të mbajë koncert solistik me fillim në ora 19:30, në Pallatin e Kulturës në Tetovë. Në këtë mbrëmje muzikore, Anita Aziri do të paraqitet para publikut së bashku me bendin e saj, me një repertor të pasur dhe me mysafirë specialë. Pjesë e koncertit do të jenë edhe Elita Ziberi, Leotrim Zejnullah dhe Grupi i grave “Teuta”, shkruan Portalb.mk.

Duke folur për këtë koncert, Anita Aziri për Portalb.mk tha se kjo mbrëmje për të ka një kuptim të veçantë emocional dhe artistik.

“Ky koncert për mua nuk është vetëm një performancë muzikore, por një mbrëmje emocionesh, falënderimi dhe dashurie për publikun. Dua që çdo këngë të përcjellë ndjenja të sinqerta, kujtime dhe energji pozitive. Shpresoj që publiku të largohet nga koncerti me zemrën plot dhe me emocione që do t’i mbajnë mend gjatë”, deklaroi Anita Aziri.

Ajo theksoi se Tetova ka një vend shumë të veçantë në rrugëtimin e saj artistik.

“Tetova ka një vend shumë të veçantë në zemrën time. Është qyteti ku kam marrë shumë mbështetje, dashuri dhe motivim gjatë rrugëtimit tim artistik. Të mbaj një koncert solistik pikërisht këtu është një emocion i madh dhe një përgjegjësi e bukur ndaj publikut që më ka përkrahur gjithmonë”, u shpreh këngëtarja.

Sa i përket repertorit, Aziri bëri të ditur se publiku do të ketë mundësi të dëgjojë interpretime emocionale, por edhe surpriza gjatë mbrëmjes.

“Për këtë mbrëmje kemi përzgjedhur një repertor shumë të pasur, me këngë që publiku i do, por edhe disa interpretime më emocionale dhe personale. Sigurisht që nuk do të mungojnë surprizat, si mysafir në këtë koncert do të jenë Elita Ziberi, Leotrim Zejnullah dhe Grupi i grave ‘Teuta’. Dua që kjo natë të jetë unike dhe e paharrueshme për të gjithë të pranishmit”, tha ajo.

Aziri vlerësoi edhe bashkëpunimin me bendin, duke thënë se përgatitjet janë bërë me përkushtim të madh.

“Bashkëpunimi me bendin ka qenë i mrekullueshëm. Kemi punuar me shumë përkushtim, energji dhe dashuri për muzikën. Secili prej tyre ka sjellë profesionalizëm dhe shpirt në këtë projekt, dhe besoj se publiku do ta ndjejë këtë harmoni në skenë”, deklaroi Aziri.

Në fund, këngëtarja falënderoi simpatizantët që do të jenë pjesë e koncertit, duke premtuar një natë të veçantë për të gjithë të pranishmit.

“Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë ata që do të jenë pjesë e koncertit më 29 maj. Prania dhe mbështetja e tyre do të thotë shumë për mua. I premtoj një natë plot muzikë, emocione dhe atmosferë të paharrueshme. Mezi pres ta ndajmë së bashku këtë moment special”, porositi Anita Aziri.