ANALIZË: Në vend të lehtësimit, shtrëngim i kushteve të kreditimit dhe rritje e kamatave në RMV, çfarë presin bankierët? (Infografik)

Kamatat për kreditë e reja “kanë rënë” në 5%. Kreditë totale në baza mujore bëhen më të lira, por në bazë vjetore kamatat rriten. Edhe pse bankierët paralajmëruan lehtësimin e kushteve të kreditimit, ky vit bankar 2024 filloi me shtrëngimin e disa prej kushteve të kreditimit. Kamatat e kursimeve janë në rritje, por ka ende një “hendek” të madh në raport me kamatat e kredive, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Rritje vjetore e kamatave për kredi – kreditë e miratuara rishtazi me kamatë më të ulët… 

Një ulje minimale, por gjithsesi, ka ulje të kamatave në totalin e kredive në bazë mujore, por jo edhe në bazë vjetore. Në tremujorin e parë bankar të këtij viti, kamata mesatare e totalit të kredive ishte 5,50%, që është vetëm për 0.02% më pak krahasuar me kamatën e regjistruar në muajin shkurt, por në nivel vjetor përsëri ka një rritje prej 0,46%. Kamata e totalit të kredive për amvisëritë është rritur si në bazë mujore, për 0,01%, ashtu edhe në bazë vjetore për 0,31%.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Megjithatë, për të tërhequr klientët e rinj dhe për të mbajtur ata ekzistues, në fillim të këtij viti ekonomik, bankierët ofruan kamata dukshëm më të ulëta për kreditë e miratuara rishtazi, për të cilat kamata mesatare në fund të marsit pas një periudhe të gjatë ra në pesë për qind, gjegjësisht arriti në 4,98%. Nga analiza krahasuese rezulton se kjo kamatë për kreditë e miratuara rishtazi është më e ulëta në një periudhë njëvjeçare (nga marsi i vitit 2023). Kamata për kreditë e reja për amvisëritë në fund të muajit mars të këtij viti ishte 5,40% (me një rënie mujore), ndërsa për kreditë për kompanitë në nivelin 4,73%.

Nga ana tjetër, mbetet edhe më tej “hendeku i thellë” midis kamatave të kredive dhe atyre të depozitave.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kamata mesatare për totalin e depozitave në fund të muajit mars ishte 1,80%, që është niveli më i lartë që nga marsi i vitit 2023, por me një “ritëm kacavjerrës” të rritjes në bazë mujore. Te totali i depozitave të kursimeve të pranuara rishtazi vërehet kamatë mesatar prej 2,46%.

Kushtet e kredive do të shtrëngohen…

Në vend të lehtësimit të kushteve dhe rritjes së kërkesës – viti 2024 filloi krejtësisht ndryshe nga ajo që e parashikonin bankierët. Kushtet e kreditimit u shtrënguan, ndërsa kërkesa për kredi ka rënë në tremujorin e parë të vitit. Anketa e re e Aktivitetit Kreditor e NBM-së tregon se 81% e bankierëve kanë theksuar se në tre muajt e parë të vitit, kushtet për kreditimin e kompanive kanë mbetur të pandryshuara, por në përgjithësi ato janë shtrënguar, por jo nëpërmjet rritjes së kamatave, por përmes shumës së kredisë që miratohet dhe sigurimit që bankat e kërkojnë nga kompanitë. Gjithashtu, në vend të rritjes së pritshme të kërkesave për kredi, ka pasur rënie në tre muajt e parë.

“Në tremujorin e parë të vitit 2024 vërehet një shtrëngim neto më i fortë i kushteve të përgjithshme për miratimin e kredive të korporatave, krahasuar me tremujorin paraprak. Shtrëngimi neto nuk është në përputhje me pritshmëritë për lehtësim neto, të dhëna nga bankat në anketën e mëparshme”, thuhet në anketën e sapo publikuar.

Ka pasur një shtrëngim të vogël, por prapë se prapë një shtrëngim të kushteve për kreditimin e amvisërive, e po ashtu është regjistruar edhe rënie e kërkesës, ndonëse më herët menaxherët e bankave parashikonin se do të kishte lehtësim të kushteve dhe rritje të kërkesave për kredi nga qytetarët në fillim të këtij viti.

Ajo që ndoshta mund të mos ishte pritur në gjysmën e parë të vitit ishte shtrëngimi i mëtejshëm i kushteve të kreditimit. Bankierët vlerësojnë se edhe tremujori i dytë, i cili tashmë ka filluar, do të karakterizohet me kushte më të shtrënguara të kreditimit për kompanitë, e me kushte më të lehta për kreditim të amvisërive.

“Për tremujorin e dytë të vitit 2024, pritet një shtrëngim i lehtë neto i kushteve të kreditimit për miratimin e kredive për korporatat dhe një lehtësim neto i kushteve të kreditimit te kreditë e përgjithshme për amvisëritë”, vë në dukje BPM-ja.

Sipas parashikimeve të reja të rishikuara të Bankës Popullore, në tre muajt e parë të këtij viti është regjistruar përqindje e rritjes së kredive prej 6,1% në bazë vjetore.