ANALIZË: Investimet në RMV, të huajat shtohen, ato kapitale në “infuzion” me realizim 36%

Në prag të “100 ditëve të qeverisë së re”, deri më tani zyrtarisht janë paralajmëruar katër investime të mëdha me vlerë totale prej 620 milionë eurosh dhe që përfshijnë 1.600 vende pune. Deri në korrik të këtij viti, vlera e investimeve të huaja direkte është 590 milionë euro ose 4% e PBB-së. Sipas të dhënave, këtë vit ka rritje të investimeve të huaja, por investimet publike aktualisht janë në “infuzion”, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Njoftime të mëdha për investime të mëdha

Vetëm dy ditë pas zgjedhjes së Qeverisë së re më 23 qershor, kryeministri i sapozgjedhur Hristian Mickoski e promovoi investimin e parë, në energjetikë.  Që nga pozita e mandatarit ai paralajmëroi “bum investimesh”. Një nga prioritetet kryesore të paralajmëruara të qeverisë ishin pikërisht investimet e huaja dhe ato publike.

Po përfundojnë “100 ditët” e Qeverisë, e po paralajmërohen investime të huaja direkte ambicioze me qindra vende pune:

Fondi i investimeve “Alcazar Energy”

Investimi i parë i paralajmëruar në energji. Vlera është 500 milionë dollarë. Do të ndërtohen 55 turbina me erë, të cilat duhet të sigurojnë 20% të energjisë elektrike të nevojshme për amvisëritë. Investimi duhet të krijojë 630 vende pune. Ndërtimi i turbinave me erë duhet të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2025 dhe të përfundojë në vitin 2027.

Investimi i “Wabtec”

Një investim i kompanisë amerikane “Wabtec” është bërë i ditur nga Uashingtoni. Do të prodhohen frena për mjetet hekurudhore. Vlera e investimit është 35 milionë euro me mbi 100 vende të planifikuara pune.

Investimi në “Epsotech Aim”

Në fillim të korrikut u paralajmërua ndërtimi i një fabrike plastike, e cila qëndron pas kompanisë gjermano-belge “Epsotech Aim”. Investimi vlerësohet në 20 milionë euro dhe duhet të hapen 110 vende pune. Fabrika pritet të nisë prodhimin brenda një viti.

Investimi i “BMZ Group”

Në fillim të këtij muaji u hodh gurthemeli i një fabrike të re për prodhimin e baterive të litium-jonit. Vlera e investimit është 65 milionë euro me 755 vende pune të planifikuara.

Zgjerimi i investimeve ekzistuese

Është paralajmëruar edhe zgjerimi i portofolit të prodhimit të investimeve tashmë ekzistuese nga industria e automobilave në vend dhe një investim i ri prej 150 milionë eurosh, i cili është ende në fazë negocimi. Përderisa qeveria pohon se tashmë po përgatit terrenin për bum investimesh, nga LSDM-ja opozitare thonë se “ajo po zbukurohet me puplat e të tjerëve”.

“Jemi dëshmitarë se qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja ngre entuziazëm patriotik dhe paturpësisht mburret me “projektet dhe investimet” që qeveria e LSDM-së i filloi dhe i realizoi. Është e turpshme të jetosh nga sukseset e të tjerëve dhe të fshehësh dështimet tuaja me fjalë boshe. Investimi i fundit i BMZ-së gjermane është i fundit nga një seri investimesh të kryera tërësisht nga LSDM-ja, të cilat Mickoski u përpoq t’i paraqesë si të tijat”, – theksojnë nga LSDM-ja, ndërsa për investimin e fundit reaguan individualisht edhe deputeti dhe ish-zëvendëskryeministri Fatmir Bitiqi dhe ish-drejtori i ZZHIT-së, Jovan Despotovski, duke thënë se pas këtij investimi qëndrojnë nënshkrimet e tyre.

Zanafilla: bilanci i investimeve të huaja direkte

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, deri në fund të korrikut të këtij viti bilanci i investimeve të huaja direkte ishte 590 milionë euro ose 4% e PBB-së.  Investimet bruto arritën në 25,8% të PBB-së.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Me përjashtim të këtij viti, në gjashtë vitet e kaluara, viti më i mirë i investimeve, me bilanc të IHD-ve prej 745 milionë euro, ishte viti 2022, ndërsa për sa i përket PBB-së, niveli më i lartë prej 5,7% është regjistruar në vitin 2018 dhe 2022. Edhe analizat e BPM-së tregojnë se ky vit ekonomik filloi me rritje të investimeve bruto, ndërsa vihet në dukje se ka pasur flukse dalëse neto të investimeve të portofolit.

“Në tremujorin e parë, janë vërejtur flukse dalëse neto edhe te kreditë dhe paradhëniet tregtare, si dhe te investimet e portofolit dhe kreditë. Nga ana tjetër, në të njëjtën periudhë ka flukse hyrëse neto te investimet e huaja direkte, kryesisht si rezultat i riinvestimit të fitimeve dhe kapitalit aksionar”- theksojnë nga BPM-ja.

Sipas buxhetit të ribalancuar të vitit 2024, këtë vit investimet bruto pritet të rriten për 10%.

Nëpërmjet programit buxhetor të qeverisë “Zhvillimi ekonomik” për tërheqjen e IHD-ve dhe për zhvillimin e ZZHIT-së për këtë vit janë planifikuar 4,5 milionë euro, shumë dukshëm më e ulët se sa që ishte planifikuar me buxhetin para rishikimit, por mjetet për Zonat për zhvillim indsutrial-teknologjik janë rritur në 13,5 milionë euro. Rritje ka edhe te fondet buxhetore për mbështetjen e investimeve në nivelin prej 28,1 milionë euro, ndërsa për mbështetje financiare të investimeve Janë planifikuar 17,8 milionë euro.

Ndryshe nga investimet e huaja, investimet publike këtë vit kanë përjetuar “kolaps”. Deri në fillim të shtatorit, realizimi i investimeve kapitale ishte rreth 36%.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk