ANALIZË: Borxhet e komunave dhe ndërmarrjeve publike, ndër qytetet me borxhe më të mëdha janë Tetova, Gostivari dhe Shkupi

Qyteti i Shkupit, me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 7,3 milionë euro, ishte ndër qytetet me borxh më të madh në fund të vitit 2023. Tetova dhe Gostivari janë ende në dhjetëshen e parë. Në listën e re të borxhlinjve, me borxhe milionëshe, janë një numër i madh i ndërmarrjeve publike të themeluara nga shteti, Qyteti i Shkupit dhe komunat. Portalb.mk i rendit dhjetë komunat dhe ndërmarrjet publike me borxhe më të mëdha.

Borxhi i përgjithshëm i komunave është gati 59.000.000 euro…

Tetova dhe Gostivari janë gjithashtu në top dhjetë komunat me borxhe më të mëdha në vitin 2023. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, Komuna e Tetovës me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 8,3 milionë euro, renditet në vendin e nëntë në listën e re të borxhlinjve. Pushteti lokal i Tetovës ka raportuar edhe 109 mijë euro për detyrime të prapambetura. Komuna e Gostivarit me një borxh të prapambetur, por të papaguar me vlerë pothuajse të njëjtë me Tetovën, 8,3 milionë euro, renditet në vendin e dhjetë. Menjëherë pas këtyre dy komunave gjendet Qyteti i Shkupit me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 7,3 milionë euro.

Borxhet e komunave të RMV-së (2023). Infografik nga Portalb.mk
Borxhet e komunave të RMV-së (2023). Infografik nga Portalb.mk

Sipas shumës së borxhit, e treta është Komuna e Ohrit me borxh në vlerë prej 5,2 milionë euro, e borxhe milionëshe kanë raportuar edhe Komuna e Dellçevës, në vlerë prej 3,1 milionë euro, Komuna e Zhelinës me 2,3 milionë euro, Komuna e Kisella Vodës me një shumë borxhi prej 1,7 milionë eurosh dhe Komuna e Strugës me afërsisht të njëjtën shumë prej 1,7 milionë euro. Komuna e Vasilevës ka raportuar detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 1,5 milionë euro, ndërsa Komuna e Aerodromit ka borxh prej gati 1,1 milionë euro. Borxhi i komunave tjera është nën një milion euro.

Ndërmarrjet publike komunale kanë borxh në vlerë prej 77.000.000 euro.

Ndër ndërmarrjet publike me borxh më të madh të themeluara nga Qyteti i Shkupit është NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Shkup”, e cila me detyrime të prapambetura në vlerë prej 9 milionë euro është në vendin e shtatë në listën e re të borxhlinjve. Një shumë të ngjashme të borxhit ka edhe NP “Ujësjellësi” Kumanovë, e cila renditet e teta. Me një borxh prej 6,4 milionë euro në vendin e 13-të është NP “Sistemi kolektor – Shkup”, ndërsa me borxhe milionëshe borxhe pas tij renditen NP “Ujësjellësi – Ohër” me gati 6,1 milionë euro dhe NPK Tetovë me 5,7 milionë euro.

Borxhet e ndërmarrjeve publike të RMV-së (2023). Infografik nga Portalb.mk
Borxhet e ndërmarrjeve publike të RMV-së (2023). Infografik nga Portalb.mk

NPT – Shkup, e cila në vazhdimësi përballet me trazira politike dhe financiare, në fund të vitit 2023 raportoi një borxh në shumën prej gati 4,5 milionë euro. NP “Komunalec” – Strumicë raportuan një borxh prej gati 4,2 milionë eurosh, ndërsa pas saj vjen NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Strugë me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej gati 3,8 milionë euro, NP “Pastërtia dhe Gjelbërimi” – Kumanovë me 3,6 milionë euro dhe NP “Komunalec” – Gostivar me 3,4 milionë euro të raportuara. Borxhi total i të gjitha NP-ve në nivel shtetëror, komunal dhe lokal në fund të dhjetorit të vitit 2023 arriti në pothuajse 77.000.000 euro. Ndërmarrjet publike në vazhdimësi po përballen me probleme financiare që janë përkeqësuar me krizën energjetike, por në të njëjtën kohë e ruajnë statusin e kompanive shtetërore për punësim sipas çelësit partiak.