Ambasadori amerikan në Serbi: Prishtina do t’i bartë pasojat

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se Kosova do t’i bartë pasojat për veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit.

“Ne ia kemi bërë shumë të qartë Prishtinës se ne i kundërshtojmë veprimet e Qeverisë Kurti. Sekretari [amerikan i Shtetit, Antony] Blinken, ka qenë, po ashtu, shumë i qartë se do të ketë pasoja në marrëdhëniet me Prishtinën”, ka thënë Hill para gazetarëve në Beograd, transmeton REL.

Ambasadori amerikan paralajmëroi se nuk duhet të humbet fokusi nga dialogu i Brukselit, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shtoi se Ballkani Perëndimor duhet të ecë drejt integrimit evropian.

Hill iu referua deklaratave të sekretari amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili i bëri thirrje edhe Kosovës, edhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve.

Blinken gjithashtu përsëriti më 31 maj se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar me forcë kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe në veri, i përshkallëzoi tensionet “në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme”.

Këto deklarata nga përfaqësuesit e SHBA-së vijnë pas tre ditësh tensionesh në komunat veriore të Kosovës, pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit – të gjithë shqiptarë – u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Të premten, në një deklaratë tjetër, sekretari Blinken, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe i cili “i ka përshkallëzuar pa nevojë tensionet”.

Kurti është shprehur i pakënaqur me këtë deklaratë dhe ka thënë se ajo “jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, gjatë një interviste me Guardian.

Opozita në Kosovë ka reaguar duke e bërë Kurtin fajtor për tensionim me aletatët, sidomos SHBA-të. Përfaqësuesit opozitarë i kanë bërë thirrje kryeministrit që të tregojë maturi politike, të ndryshojë qasjen dhe të zgjedh të ardhmen dhe rrugën euroatlantike të Kosovës.

Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe dhe u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.