5 gazetarë të tjerë palestinezë u vranë në sulmet izraelite në Gaza, numri total shkon në 222
Pesë gazetarë të tjerë palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, raporton Anadolu. Një burim mjekësor tha se një gazetare ishte midis viktimave, e cila humbi jetën së bashku me anëtarët e familjes së saj në sulmet ndaj shtëpive dhe tendave të civilëve të zhvendosur në zona të ndryshme në të gjithë Gazën.
Sipas zyrës për media në qeverinë e Gazës, vrasjet e fundit e çuan numrin e përgjithshëm të gazetarëve të vrarë në sulmet izraelite ndaj Gazës në 222.
Ministria e Shëndetësisë mëngjesin e sotëm tha se në 24 orët e fundit të paktën 153 palestinezë u vranë në sulmet ajrore të intensifikuara izraelite ndaj enklavës.
Ushtria izraelite vazhdon me ofensivën ushtarake në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023 dhe që atëherë ka marrën jetën e të paktën 53.300 mijë palestinezëve, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Gjatë turneut katër-ditor në Gjirin Persik të presidentit amerikan, Donald Trump, që përfundoi pas largimit të tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe, forcat izraelite vranë më shumë se 378 palestinezë, gati katërfishi i numrit të vdekjeve të raportuara në katër ditët e mëparshme.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Për luftën në enklavë, Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.