27 Prilli: Për LSDM-në ende shihen tendenca të shtetit të kapur, për Mickoskin njerëz të pafajshëm u dënuan për terrorizëm
Nëntë vjetori i dhunës brutale në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka nxitur reagime në rafshin politik. Për Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë, vazhdojnë të shihen të njëjtat tendenca të një shteti të kapur, kurse për kryeministrin Hristijan Mickoski u dënuan njerëz të pafajshëm. Reagoi edhe Aleanca për Shqiptarët, transmeton Portalb.mk.
LSDM thotë se 27 Prilli është një ditë që mbetet kujtesa më e rëndë se sa shpejt një pushtet jodemokratik dhe kriminal mund ta çojë shtetin drejt humnerës. Sipas tyre, nuk duhet të harrohet dhuna në Kuvend, deputetët e përgjakur, sulmet ndaj gazetarëve.
“Por edhe më e frikshme është se sot po shohim të njëjtat tendenca. E njëjta ekip. E njëjta bandë. E njëjta matricë kriminale e VMRO. Në vend të drejtësisë, përpjekje për rehabilitim të dhunuesve. Në vend të demokracisë, sërish institucione të kapura, presione mbi gjyqësorin, sulme ndaj opozitës dhe kontroll mediatik”, thonë nga LSDM.
Nga partia shtojnë se nën udhëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski, shteti po shtyhet sërish në të njëjtin drejtim të rrezikshëm, drejt një shteti të kapur.
Ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski thotë se njerëz të pafajshëm u dënuan për terrorizëm.
“Bëhet fjalë për një rast të montuar politikisht nga qeveria e kaluar. Sipas meje, aty njerëz të pafajshëm u shpallën terroristë. Të pafajshëm për terrorizëm, por megjithatë kanë bërë një shkelje të caktuar dhe për atë shkelje duhej të përgjigjen”, tha Mickoski.
Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës theksoi se 27 Prilli ishte moment kthese për demokracinë në Maqedoninë e Veriut.
“Ra një regjim i regjur dhe antishqiptar, u zgjodh kryeparlamentari i parë shqiptar, u soll Ligji për përdorimin e gjuhëve, vendi u bë anëtar i NATO-s. Ishte dita kur politikanët treguan me vepër se kush i qëndron deri në fund fjalës së dhënë në popull, e kush e përdor fjalën për ta manipuluar popullin. Sot fatkeqësisht regjimi është kthyer, organizatorët dhe vrasësit në tentativë janë të lirë. Debati sot turpshëm në këtë 27 prill bëhet, a ishin dhunuesit mbrojtës të Kushtetutës apo terroris”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët.
Ata thonë se pyetja që duhet parashtruar nuk është se a mbrojtën ndonjë gjë, organizatorët dhe ekzekutorët e 27 Prillit, por cili ishte roli i kryeministrit të sotshëm të Maqedonisë së Veriut.
Kujtojmë se sot bëhen nëntë vjet nga terrori i 27-prillit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), kur një turmë huliganësh u futën në objektin e shtëpisë legjislative dhe rrahën deputetë e gazetarë.