Shkupi përkujtoi Kadarenë: Ja kush lexoi e kush çka foli

Në Teatrin Shqiptar të Shkupit mbrëmë u mbajt “Shkupi lexon Kadarenë”, mbrëmje homazhi për të kujtuar Ismail Kadarenë në kuadër të ngjarjeve që dikur i organizonte poetesha tashmë e ndjerë Lindita Ahmeti, njofton Portalb.mk

Mbrëmja u hap me poezinë “Mall” që erdhi e kënduar dhe një strofë e recituar nga sopranoja Besarta Murtezani dhe kitaristi Jetmir Mehmedi i cili po ashtu i përcolli me kitarë të gjitha poezitë e recituara.

Aktorja Elhame Bilalli me shumë emocion rikujtoi rolin e nenës te “Kush e solli Doruntinën” duke sjellë një monolog ku flet me Konstandinin e vdekur që i kishte premtuar se do t’ia sillte vajzën. Profesoresha Luljeta Isaku foli për rëndësinë që ka Kadareja në letërsi dhe ndau disa momente nga disa vepra letrare.

Profesori Agim Leka foli për segmentet gjithëpërfshirëse të veprës së Kadaresë dhe temat që ka trajtuar. Prof. Vjollcë Berisha bëri një përmbledhje të krijimtarisë së Kadaresë. Nazim Rashidi foli për rëndësinë që i dha shtypi Kadaresë.

Mbrëmja kishte recitime të poezive nga aktorët dhe profesorë , si Arlind Farizi i cili dhe ka doktoruar për Kadarenë solli një pjesë nga libri i tij me mozaik citatesh nga titujt e veprave të Kadaresë.

Aktori Adem Karaga recitoi “Kënga e Millonait”

Hamdi Rashidi “Edhe kur kujtesa ime e lodhur…” ku me aktorin Fisnik Zeqiri kishin sjellë variantin e kënduar të këtij teksti duke përdorur inteligjencën artificiale.

Dritero Ame recitoi “Të huaj jemi”, Zarije Jonuzi Çeliku – “Ti qave”, Genci Mirzo– “Terrori në Kosovë”, Vjollca Hamiti Bekteshi– “Nëna”, Emrah Bilalli – “Babai”.

Në mbrëmje ishte i pranishëm dhe profesori Xhabir Ahmeti si dhe profesorë e adhurues të veprës së Kadaresë.

Për realizimin e kësaj mbrëmje të gjithë nga pak dhanë kontribut me qëllimin që fryma e Lindita Ahmetit të jetë prezente dhe të vazhdohet misioni që kishte nisur me ” Shkupi lexon”.

Për afishën e ngjarjes u përkujdes Ngadhnjim Mehmedi, lidhur me pjesën organizative ndihmesë e madhe ishte dhe Anita Latifi si dhe stafi i Teatrit Shqiptar të Shkupit. Gostinë e mbrëmjes me verë e bëri Kastriot Arifi.