Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, në një intervistë për MIA ka treguar disa nga detyrat që e presin Maqedoninë e Veriut në procesin euorointegrues, duke numëruar edhe përfitimet e vendit para dhe pas anëtarësimit, transmeton Portalb.mk.
“– Duhet të vazhdoni me reformat, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit. Ato janë pjesë e asaj që ne e quajmë çështje themelore. Këtu përfshihen edhe udhërrëfyesit për funksionimin e institucioneve demokratike, për reformën e administratës publike, ku e keni kryer mirë punën, si dhe për sundimin e ligjit”, deklaroi Kos.
Ajo shtoi se çështjet dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë duhet të zgjidhen në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
“Ideja kryesore e integrimit gradual është që të përfitoni më shumë nga Evropa edhe para se të bëheni anëtare e plotë. Kjo do të thotë se mund të merrni pjesë në disa politika ose të shfrytëzoni përfitime të caktuara. Një shembull është SEPA. Shumë maqedonas jetojnë jashtë vendit dhe dërgojnë para, ndërsa që kur jeni pjesë e SEPA-s, shpenzimet për këto transfere janë ulur. Për Maqedoninë e Veriut kjo mund të nënkuptojë përfitim prej 60 milionë eurosh në vit”, deklaroi ndër të tjera Kos.
Marta Kos theksoi se po negociohet roamingu, në atë mënyrë që “qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të paguanin më shpenzimet e roamingut”.
“Bllokada nuk është në Këshillin e BE-së. Bllokada është në vetë vendin”, deklaroi së fundmi drejtori i përgjithshëm për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore në Komisionin Evropian, Gert Jan Kopman, duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë mund të bëjë Brukseli që Maqedonia e Veriut të hapë klasterin e parë në negociatat e anëtarësimit.
Debati për ndërhyrjet e radhës në Kushtetutë tashmë lidhet drejtpërdrejt me integrimin evropian. Maqedonia e Veriut i hapi bisedimet qasëse e anëtarësimit me BE-në më 19 korrik 2022, me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas 17 vitesh me statusin e vendit kandidat.
Këtij hapi i parapriu miratimi i propozimit francez. Më 16 korrik 2022, Kuvendi miratoi konkluzionet për këtë propozim, pa pjesëmarrjen në votim të opozitës së atëhershme, e cila tani është në pushtet.
Për të kaluar në fazën e ardhshme të negociatave, vendi duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve dhe të bashkësive të tjera etnike. Kjo kërkon mbështetjen e të paktën 80 deputetëve në Kuvend.
- LEXO: Drejtori për Zgjerim në KE: RMV është e bllokuar sepse nuk dëshiron ta bëjë atë që e di se duhet ta bëjë
- LEXO: 35 vjet nga miratimi i Kushtetutës, Maqedonia e Veriut përballë ndryshimeve të nevojshme për rrugën drejt BE-së
- LEXO: BE do të reagojë nëse Bullgaria përdor protokollin e bllokadës ndaj Maqedonisë, tha ambasadori austriak Martin Pamer
- LEXO: Petrova-Çamova: Nuk është tipike që të ketë ndërmjetës në bisedimet mes Shkupit dhe Sofjes
- LEXO: Sali në takim me komisioneren Kos: Integrimi gradual duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët