Banka Komerciale ka paralajmëruar qytetarët për një fushatë mashtruese përmes e-maileve, në të cilat dërguesit paraqiten në mënyrë të rreme në emër të bankës dhe kërkojnë përditësimin e të dhënave personale. Ndërkohë, qytetarëve po u vijnë edhe mesazhe të ngjashme në emër të bankës Sparkasse, madje edhe nga adresa që përdorin domenin e institucioneve qeveritare, raporton Portalb.mk.
Në njoftimin e saj, Banka Komerciale bën të ditur se mesazhet përmbajnë njoftime të rreme për pamundësinë e përdorimit të disa funksioneve të llogarisë së pagesave, si dhe lidhje përmes të cilave kërkohet përditësimi i të dhënave.
“Paralajmërimi i Komercialeve të Bankës është vërejtur në një fushatë mashtruese me dërgimin e mesazheve në e-mail, kur dërguesi është paraqitur në emrin e Bankës. Në mesazhet dërgohen lajmërime për mungesën e funksioneve të llogarisë së pagesës, që përmban linqet e përmbajtjes dhe të dhënat për përditësimin e të dhënave”, thonë nga Banka.
Banka u bën thirrje qytetarëve të:
- mos klikojnë në lidhjet e dërguara,
- të mos hapin bashkëngjitjet dhe
- të mos japin të dhëna personale, emra përdoruesish, fjalëkalime, numra të kartelave bankare, PIN-e apo informacione të tjera sensitive.
Në rast se marrin mesazhe të tilla, rekomandohet që ato të fshihen menjëherë.
Sipas bankës, klikimi në linqet e dyshimta ose hapja e bashkëngjitjeve mund t’i ekspozojë qytetarët ndaj qasjes së paautorizuar në të dhënat e tyre sensitive ose instalimit të programeve keqdashëse në pajisjet e tyre.
Në rast se dikush tashmë ka klikuar në lidhje ose ka vendosur të dhënat e tij, banka rekomandon ndryshimin e menjëhershëm të fjalëkalimit dhe kontaktimin e Qendrës së Kontaktit për Mbështetje Teknike në numrin +389 (2) 3296-800, duke zgjedhur opsionin 2.
Ndërkohë, mesazhet që qarkullojnë në emër të Sparkasse përmbajnë një njoftim të shkurtër, ku qytetarëve u thuhet se në bashkëngjitje gjendet një raport për ndryshimet në llogarinë e tyre. Edhe në këtë rast, qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos hapin dokumente nga dërgues të paverifikuar.
Kujtojmë se një ditë më parë Portalb.mk raportoi për e-mailet mashtruese në emër të Bankës Komerciale, përmes të cilave qytetarëve u kërkohej të përditësonin të dhënat personale, me arsyetimin se disa funksione të llogarisë së tyre do të bëheshin përkohësisht të padisponueshme.