Shasivari: Askush nuk ka pronësi politike mbi gjuhën shqipe, presim vlerësimin e Komisionit të Venedikut

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari komentoi sot letrën e hapur të Ali Ahmetit në lidhje me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ministri theksoi se askush nuk ka pronësi politike ndaj gjuhës shqipe dhe se edhepse ka pasur tetë ministra shqiptar, nuk kanë arritur ta zgjidhin këtë çështje. Ai njoftoi se nesër dhe pasnesër do të qëndrojnë në vend raportuesit e Komisionit të Venedikut, nga të cilët është kërkuar vlerësim dhe opinion për këtë çështje, transmeton Portalb.mk.

“Askush nuk ka pronësi politike ndaj gjuhës shqipe. Gjuhën shqipe e kanë qytetarët e këtij shteti që e përdorin dhe kanë të drejtë në përdorimin e saj. Nga ana tjetër, institucionet e ndryshme kanë detyrime institucionale dhe ligjore për të respektuar dhe zbatuar të drejtat gjuhësore. Kështu që askush nuk ka monopol, qoftë individ apo parti politike, ndaj të drejtave gjuhësore. Është një proces i hapur dhe transparent. Për herë të parë që nga viti 2001, siç e përmenda edhe në përgjigjen time të djeshme, kemi pasur tetë ministra shqiptarë të drejtësisë pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Kjo çështje nuk është zgjidhur. Qasja ime është që ajo të mos mbetet e pazgjidhur edhe në të ardhmen. Nesër dhe pasnesër do të vijnë raportuesit e Komisionit të Venecias. Ata kanë një agjendë të ngjeshur takimesh. Kemi kërkuar vlerësim dhe opinion nga Komisioni i Venecias, si organ shumë prestigjioz për çështjet kushtetuese në kuadër të Këshillit të Evropës. Qasja jonë është transparente. Kjo qeveri ka përcaktim të qartë për respektimin dhe avancimin e të drejtave gjuhësore dhe mendoj se kontributi i çdo pjesëmarrësi do të jetë relevant në këtë proces. Prandaj, ta përmbyll me atë se askush nuk ka monopol politik ndaj gjuhës shqipe dhe përdorimit të saj”, tha Shasivari.

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dje iu drejtua me letër të gjatë të hapur, ministrit të Shëndetësisë, Jeton Shasivari. Ai kërkoi që provimi i jurisprudencës të organizohet edhe në gjuhën shqipe, duke kundërshtuar çdo zgjidhje që do ta kufizonte përdorimin e saj në këtë provim.

Kryetari i BDI-së i kërkoi ministrit Shasivari të heqë dorë nga iniciativat që, sipas tij, synojnë kufizimin e të drejtave gjuhësore dhe të mundësojë zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ai u është drejtuar edhe SHBA-së, Bashkimit Evropian, NATO-s, si dhe autoriteteve në Tiranë dhe Prishtinë, duke kërkuar vëmendjen e tyre për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtave që burojnë prej saj.

Letrës iu përgjigj poashtu dje, ministri Shasivari, ku tha se kjo çështje ka mbetur e pazgjidhur për vite me radhë dhe se tetë ish-ministra shqiptarë të Drejtësisë nga radhët e BDI-së, që nga viti 2001, kanë pasur mundësinë dhe përgjegjësinë institucionale për ta zgjidhur, por nuk e kanë bërë këtë.

Në reagimin e tij, Shasivari thekson se çështja e provimit të jurisprudencës nuk duhet të shndërrohet në përplasje politike dhe akuza partiake, por duhet të trajtohet përmes një zgjidhjeje juridike që garanton mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe standardet profesionale.

Ali AhmetiGjuha shqipeJeton ShasivariJurisprudenca