Liderët e Bashkimit Evropian dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur sot në një samit në Bruksel, i cili shihet si një mundësi tjetër që institucionet e bllokut evropian të riafirmojnë përkushtimin ndaj politikës së dyerve të hapura për vendet e rajonit, nëse ato përparojnë në reformat e nevojshme për t’u afruar me strukturat evropiane, raporton Radio Evropa e Lirë.
Mikpritës të këtij takimi janë krerët e institucioneve të BE-së: presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen.
Sipas njoftimeve, në samit do të marrin pjesë liderët e pesë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga bashkëbiseduesit evropianë do të kërkojë që aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat të trajtohet si “çështje urgjente”.
Kosova është vendimi i vetëm në procesin e zgjerimit të BE-së që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat. Ajo e dorëzoi aplikimin në dhjetor të vitit 2022, por BE-ja nuk e ka shqyrtuar asnjëherë, kryesisht për shkak se pesë shtete anëtare nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Ne nuk po kërkojmë shpërblim, privilegj apo favor. Po kërkojmë vetëm që të njihet përparimi i Kosovës në zhvillimin demokratik, rritjen ekonomike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, të drejtat politike dhe liritë qytetare”, tha Kurti para takimit.
Çfarë përmban deklarata përfundimtare?
Liderët evropianë do të riafirmojnë përkushtimin e plotë dhe të pakushtëzuar ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Në draft-deklaratë, zgjerimi përshkruhet si një mundësi reale që duhet shfrytëzuar dhe si investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin evropian.
Vendeve të rajonit u bëhet thirrje që të përshpejtojnë reformat vendimtare dhe të besueshme, veçanërisht në fushën e çështjeve themelore, dhe të përmbushin obligimet e nevojshme për përparim në rrugën evropiane.
“Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit, i bazuar në reformat e besueshme të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe të rreptë dhe parimin e meritave individuale, është në interesin tonë të përbashkët”, thuhet në dokument.