Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftimin e Korrupsionit dhe Grupi Blueprint për Reforma në Gjyqësor theksojnë se miratimi i një Kodi krejtësisht të ri Penal përbën një nga ndërhyrjet më të rëndësishme dhe më komplekse legjislative në sistemin juridik. Për këtë arsye, procesi nuk duhet të reduktohet në përmbushjen e një afati formal apo në harmonizimin e përshpejtuar të tekstit, por duhet të sigurojë kohë të mjaftueshme për analizë profesionale, transparencë dhe pjesëmarrje thelbësore të palëve përkatëse, transmeton Portalb.mk.
“Përvoja nga ndryshimet e Kodit Penal të shtatorit 2023 e dëshmon edhe më shumë rëndësinë e një qasjeje të tillë. Këto ndryshime u miratuan me procedurë jashtëzakonisht të shkurtër dhe pa debat thelbësor publik e profesional. Ndërkohë, në opinionin publik, pjesëmarrja e përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile në një grup punues të formuar paraprakisht u përdor si argument për gjithëpërfshirjen e procesit, ndonëse ndryshimet kontestuese nuk dolën nga puna e atij grupi dhe nuk ishin objekt i konsultimeve me anëtarët e tij. Kjo përvojë tregoi se anëtarësimi formal në një grup punues nuk mund të barazohet me pjesëmarrjen thelbësore dhe as të interpretohet si mbështetje për zgjidhje që nuk kanë qenë pjesë e punës së tij”, thonë organizatat.
Në periudhën që pasoi, shtojnë ata, nuk pati informacione të vazhdueshme dhe të qarta për ecurinë e përgatitjes së Kodit të ri Penal, ndërsa paralelisht u ndërmorën ndërhyrje të veçanta në ligjin ekzistues, ndër të tjera edhe me arsyetimin se duhej të tejkaloheshin pasojat e ndryshimeve të vitit 2023. Edhe në këto procese, organizatat e shoqërisë civile patën mundësi të kufizuara për të ndikuar në mënyrë thelbësore në zgjidhjet e propozuara.
“Pas një periudhe të gjatë pa një proces qartësisht të dukshëm, në fazën e fundit përgatitja e Kodit të ri Penal papritur mori një dinamikë jashtëzakonisht të përshpejtuar, të lidhur me afatet e Agjendës së Reformave. Një organizatë anëtare e të dy rrjeteve u ftua të marrë pjesë në grupin e ri punues, pa iu dorëzuar paraprakisht versioni aktual i projekt-Kodit Penal dhe pa marrë informacione për ecurinë e mëparshme të punës. Në takimin e parë u theksua se grupi duhej të punonte çdo ditë, nga disa orë, brenda një afati shumë të shkurtër, me qëllim përfshirjen e direktivave përkatëse të Bashkimit Evropian dhe dërgimin e tekstit në Komisionin Evropian. Për shkak të vëllimit dhe kompleksitetit të tekstit, afatit të shkurtër kohor dhe mungesës së mundësisë për analizë paraprake të materialeve, u vlerësua se në kushte të tilla nuk mund të jepet kontribut thelbësor dhe i përgjegjshëm, për çka organizata u tërhoq nga grupi punues”, thuhet në reagim.
Ky zhvillim e rihap edhe një herë çështjen më të gjerë të mënyrës së menaxhimit të procesit të përgatitjes së një ligji sistemor. Përfshirja e palëve përkatëse në fazën përfundimtare, kur zgjidhjet themelore tashmë janë përcaktuar dhe afatet janë jashtëzakonisht të shkurtra, nuk mund ta zëvendësojë konsultimin në kohë dhe të vazhdueshëm gjatë gjithë procesit.
Një çështje shtesë, shtojnë ata, ngrihet edhe nga mënyra se si aktualisht po zhvillohen paralelisht konsultimet me Komisionin Evropian dhe konsultimi publik në vend. Projekt-Kodi Penal iu dorëzua Komisionit Evropian për mendim pothuajse në të njëjtën kohë kur teksti u publikua në ENER, përkatësisht përpara se publiku vendor profesional dhe më i gjerë të kishte mundësi të dorëzonte vërejtjet e tij.
Vetë zhvillimi paralel i konsultimeve të ndryshme nuk është domosdoshmërisht problematik, por nëse nuk ekziston një procedurë e përcaktuar qartë dhe e bërë publike për atë se çfarë do të ndodhë me vërejtjet e pranuara në secilin prej tyre, lindin probleme si në aspektin e parashikueshmërisë së procesit, ashtu edhe në aspektin e besimit në të.
Nëse teksti i dorëzuar në Komisionin Evropian trajtohet praktikisht si përfundimtar, krijohet rreziku që konsultimi publik vendor të reduktohet në formalitet, pasi vërejtjet thelbësore do të kërkonin ndryshimin e sërishëm të tekstit tashmë të dorëzuar. Nëse, nga ana tjetër, vërejtjet nga konsultimi vendor pranohen dhe çojnë në ndryshime të rëndësishme, duhet të jetë e qartë nëse dhe në çfarë mënyre teksti i ndryshuar do t’i nënshtrohet sërish vlerësimit nga Komisioni Evropian.
Në të kundërtën, mund të ndodhë që palë të ndryshme të japin mendime për versione të ndryshme të të njëjtit ligj, pa pasur një gjurmë të qartë se cilat zgjidhje janë ndryshuar, me rekomandimin e kujt dhe mbi bazën e çfarë argumentesh.
Për një ligj me qindra dispozita të ndërlidhura mes tyre, i cili njëkohësisht duhet të sigurojë harmonizimin me një numër të madh direktivash evropiane dhe me sistemin juridik vendor, kjo qasje krijon rrezik të panevojshëm për mospërputhje, lëshime dhe pasiguri juridike.
“Platforma dhe Grupi Blueprint e njohin rëndësinë e përmbushjes në kohë të obligimeve të marra në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe Agjendës së Reformave. Megjithatë, afatet që lidhen me integrimin evropian nuk duhet të përdoren si arsye për shkurtimin e proceseve të analizës dhe konsultimit, të cilat është dashur të zhvilloheshin në mënyrë të vazhdueshme gjatë periudhës paraprake”, thonë ata.
Barra e zvarritjes shumëvjeçare të përgatitjes së ligjit nuk mund t’u bartet në fazën e fundit opinionit profesional, institucioneve të drejtësisë dhe organizatave të shoqërisë civile, përmes pritshmërisë që brenda disa javësh të analizojnë dhe të japin kontribut të argumentuar për një Kod krejtësisht të ri Penal.
Integrimi evropian nuk nënkupton vetëm miratimin formal të ligjeve brenda afatit të paraparë, por edhe legjislacion cilësor, të zbatueshëm, të parashikueshëm, të harmonizuar me standardet evropiane dhe të krijuar përmes një procesi që e forcon, e jo e zvogëlon, besimin në institucione.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin kur Komisioni Evropian, në Raportin për Maqedoninë e Veriut për vitin 2026, sërish thekson se ndërhyrjet e mëparshme në Kodin Penal nuk i kanë eliminuar në mënyrë të duhur efektet e dëmshme të ndryshimeve të vitit 2023.
Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftimin e Korrupsionit dhe Grupi Blueprint për Reforma në Gjyqësor konsiderojnë se Ministria e Drejtësisë duhet:
- – Të sigurojë kohë të mjaftueshme për analizë thelbësore të tekstit nga gjyqtarët, prokurorët publikë, avokatët, komuniteti akademik, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e tjera përkatëse profesionale e shoqërore;
- – Përveç debatit të përgjithshëm publik, të organizojë konsultime profesionale tematike për fushat në të cilat propozohen ndryshime më të rëndësishme konceptuale, veçanërisht në pjesën që lidhet me korrupsionin dhe veprat penale zyrtare, konfiskimin, krimin e organizuar, kriminalitetin financiar, parashkrimin, format e reja të kriminalitetit dhe mbrojtjen e viktimave;
- – Të publikojë një afat kohor dhe metodologji të qartë për hapat e mëtejshëm, duke përfshirë raportin ndërmjet mendimit të Komisionit Evropian, komenteve të dorëzuara përmes ENER-it dhe konsultimeve të tjera vendore;
- – Nëse konsultimet vendore rezultojnë me ndryshime thelbësore të tekstit, të sqarojë publikisht nëse dhe në cilën fazë versioni i rishikuar do të konsultohet sërish me Komisionin Evropian;
- – Pas përfundimit të konsultimeve, të publikojë një pasqyrë të vërejtjeve të pranuara dhe arsyetimin se cilat prej tyre janë pranuar, pjesërisht pranuar ose refuzuar, si dhe arsyet përkatëse;
- – Pjesëmarrja e përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile apo palëve të tjera të interesuara në grupet punuese të mos paraqitet si mbështetje e tyre për tekstin përfundimtar, përveç nëse ata e kanë shprehur shprehimisht një mbështetje të tillë.
Kodi Penal nuk është ligj, shtojnë organizatat, cilësia e të cilit mund të vlerësohet vetëm në bazë të faktit nëse është miratuar në kohë, sepse dispozitat e tij përcaktojnë se cilat sjellje shteti i konsideron vepra penale, sa e ashpër mund të jetë represioni ndëshkues që mund të zbatojë, si mbrohen fondet publike dhe qytetarët nga keqpërdorimi i pushtetit dhe ku vendosen kufijtë e ndërhyrjes së shtetit në të drejtat themelore.
“Pikërisht për këtë arsye, miratimi i tij duhet të jetë shembull i një procesi cilësor legjislativ, e jo edhe një shembull tjetër kur një periudhë e gjatë zvarritjeje institucionale përfundon me procedurë të përshpejtuar, menjëherë para skadimit të afateve të reformave. Platforma dhe Grupi Blueprint mbeten të gatshëm të japin kontribut thelbësor në analizën e tekstit të propozuar, por që një kontribut i tillë të ketë kuptim, është e domosdoshme që procesi të sigurojë kohë, informacione dhe mundësi reale që argumentet e palëve të interesuara të ndikojnë në zgjidhjet përfundimtare ligjore”, thuhet në reagim.
Ndryshe sot në orën 10:00, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), u mbajt debat publik për Propozim-Kodin Penal, ku do të mbajë fjalim ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ia dorëzoi Komisionit Evropian për mendim Projekt-Kodin e ri Penal dhe Projektligjin e ri për Procedurën Penale.
Nga kjo ministri shtojnë se thelbi i reformës nuk qëndron vetëm në miratimin e ligjeve të reja, por në zbatimin e tyre dhe rezultatet që duhet t’i ndiejnë qytetarët. Qëllimi, shtojnë, është krijimi i një kornize ligjore që mundëson hetime efikase, procedura gjyqësore të drejta, zbatim të barabartë të ligjit dhe përgjegjësi pa përjashtime.