“Bllokada nuk është në Këshillin e BE-së. Bllokada është në vetë vendin”, deklaroi drejtori i përgjithshëm për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore në Komisionin Evropian, Gert Jan Kopman, duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë mund të bëjë Brukseli që Maqedonia e Veriut të hapë klasterin e parë në negociatat e anëtarësimit, transmeton Portalb.mk.
Në një intervistë për emisionin “Balkans Debrief” të Këshillit Atlantik, gazetarja Ilva Tare e pyeti Kopmanin nëse ka shpresë për tejkalimin e bllokadës në Këshillin e BE-së, duke pasur parasysh se kanë kaluar 17 vjet nga rekomandimi i parë i Komisionit Evropian për hapjen e negociatave me vendin. Pasi Kopmani kundërshtoi konstatimin se bllokada është në Këshillin e BE-së, Tare sqaroi se e kishte fjalën për veton bullgare.
“Kjo nuk është vetëm çështje bullgare. Ky është qëndrim i BE-së. Është pjesë e konkluzioneve të Këshillit”, u përgjigj Kopman.
Ai rikujtoi se vendi duhet të miratojë edhe udhërrëfyesit dhe planin e veprimit për pakicat, për të cilët vlerësoi se janë në fazë të avancuar të përgatitjes.
“Por, pa ndryshimin kushtetues, procesi thjesht nuk do të ecë përpara. Kjo vërtet varet nga vetë vendi”, tha ai.
Kopman theksoi se me zbatimin e disa reformave të vështira në kuadër të Planit të Rritjes gjatë këtij viti, Maqedonia e Veriut ka dëshmuar se ka kapacitet për reforma. Ai tha se është i vetëdijshëm që vendi ka një rrugëtim të gjatë evropian, gjatë të cilit është përballur me shumë çështje dypalëshe, por konsideron se është e rëndësishme të thuhet saktësisht pse negociatat janë aktualisht të bllokuara.
“Nuk po e bllokon një shtet anëtar. Ajo është e bllokuar sepse deri më tani nuk dëshiron ta bëjë atë që e di se duhet ta bëjë”, deklaroi Kopman.
“Pra, po konfirmoni se topi është në Shkup?”, pyeti Tare.
“Absolutisht”, u përgjigj Kopman.
I pyetur më tej nëse aktualisht po zhvillohen negociata për gjetjen e një zgjidhjeje, ai tha se Komisioni Evropian bisedon me të gjithë.
“Ky është një vendim politik. Bëhet fjalë për një shtet sovran. Askush nuk mund ta detyrojë dhe askush nuk dëshiron ta detyrojë vendin të bëjë diçka për të cilën nuk është i gatshëm”, tha Kopman.
Në pjesën e intervistës kushtuar Serbisë, Kopman u ndal edhe te mundësia që të dyja vendet, në paketën e zgjerimit për vitin 2027, të marrin udhërrëfyes indikativë, ashtu siç morën këtë vit Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina. Kusht për këtë, tha ai, është përparimi në vetë negociatat.
“Këtë vit nuk pati përparim në negociata as me Serbinë, as me Maqedoninë e Veriut. Por, viti i ardhshëm mund të jetë krejtësisht ndryshe. Është plotësisht e mundur që të dyja vendet të marrin udhërrëfyes. Të dyja kanë kapacitete të forta administrative për të përparuar shpejt, nëse e dëshirojnë këtë”, vlerësoi Kopman.
Debati për ndërhyrjet e radhës në Kushtetutë tashmë lidhet drejtpërdrejt me integrimin evropian. Maqedonia e Veriut i hapi bisedimet qasëse e anëtarësimit me BE-në më 19 korrik 2022, me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas 17 vitesh me statusin e vendit kandidat.
Këtij hapi i parapriu miratimi i propozimit francez. Më 16 korrik 2022, Kuvendi miratoi konkluzionet për këtë propozim, pa pjesëmarrjen në votim të opozitës së atëhershme, e cila tani është në pushtet.
Për të kaluar në fazën e ardhshme të negociatave, vendi duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve dhe të bashkësive të tjera etnike. Kjo kërkon mbështetjen e të paktën 80 deputetëve në Kuvend.
- LEXO: 35 vjet nga miratimi i Kushtetutës, Maqedonia e Veriut përballë ndryshimeve të nevojshme për rrugën drejt BE-së
- LEXO: BE do të reagojë nëse Bullgaria përdor protokollin e bllokadës ndaj Maqedonisë, tha ambasadori austriak Martin Pamer
- LEXO: Petrova-Çamova: Nuk është tipike që të ketë ndërmjetës në bisedimet mes Shkupit dhe Sofjes
- LEXO: Sali në takim me komisioneren Kos: Integrimi gradual duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët