Maqedonia e Veriut e shënon sot 35 vjet nga miratimi i Kushtetutës së parë të shtetit të pavarur. Ky përvjetor e gjen vendin përballë kërkesës për ndryshime kushtetuese, të nevojshme për të vazhduar procesin e negociatave me Bashkimin Evropian. Përfshirja e bullgarëve dhe e bashkësive të tjera etnike në Kushtetutë mbetet kusht për këtë hap, ndërsa miratimi i ndryshimeve kërkon shumicë prej dy të tretash në Kuvend, shkruan Portalb.mk.
Kuvendi e miratoi Kushtetutën më 17 nëntor 1991, pas referendumit për pavarësi të 8 shtatorit të po atij viti.
Ajo vendosi bazat e sistemit kushtetues dhe juridik të shtetit të pavarur, duke përcaktuar si vlera themelore sundimin e ligjit, liritë dhe të drejtat e njeriut, ndarjen e pushteteve dhe ekonominë e tregut.
Tekstin e përgatiti një grup ekspertësh, i përbërë nga profesorët Ljubomir Fërçkoski, Vllado Popovski, Llazar Kitanovski dhe Dimitar Mirçev.
Ndryshimet e para erdhën më pak se dy muaj pas miratimit. Më 6 janar 1992 u miratuan amendamentet I dhe II, që lidheshin me kufijtë dhe qëndrimin ndaj pakicës maqedonase në shtetet fqinje. Ato u miratuan nën trysninë e Greqisë dhe të faktorëve ndërkombëtarë.
Ndryshime të rëndësishme pasuan edhe në vitin 2001, pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Amendamentet IV–XVIII ndryshuan preambulën dhe dispozitat për përdorimin e gjuhëve.
Ndërkaq, pas Marrëveshjes së Prespës, më 11 janar 2019 Kuvendi miratoi amendamentet XXXIII–XXXVI, me të cilat u ndryshua edhe emri i shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Sot, Kushtetuta ka gjithsej 36 amendamente. Me rastin e përvjetorit, në Kuvend do të shfaqet filmi dokumentar “35 vjet nga miratimi i Kushtetutës së parë”.
Debati për ndërhyrjet e radhës në Kushtetutë tashmë lidhet drejtpërdrejt me integrimin evropian. Maqedonia e Veriut i hapi bisedimet qasëse e anëtarësimit me BE-në më 19 korrik 2022, me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas 17 vitesh me statusin e vendit kandidat.
Këtij hapi i parapriu miratimi i propozimit francez. Më 16 korrik 2022, Kuvendi miratoi konkluzionet për këtë propozim, pa pjesëmarrjen në votim të opozitës së atëhershme, e cila tani është në pushtet.
Për të kaluar në fazën e ardhshme të negociatave, vendi duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve dhe të bashkësive të tjera etnike. Kjo kërkon mbështetjen e të paktën 80 deputetëve në Kuvend.
- LEXO: BE do të reagojë nëse Bullgaria përdor protokollin e bllokadës ndaj Maqedonisë, tha ambasadori austriak Martin Pamer
- LEXO: Petrova-Çamova: Nuk është tipike që të ketë ndërmjetës në bisedimet mes Shkupit dhe Sofjes
- LEXO: Sali në takim me komisioneren Kos: Integrimi gradual duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët