Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali sot ka realizuar bilateral me komisioneren evropiane për zgjerim, Marta Kos, në kuadër të vizitës së tij të punës në Bruksel, njofton Portalb.mk.
Siç informuran nga Ministria për Çështje Evropiane, në fokus të takimit kanë qenë perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, zhvillimet e fundit në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, zbatimi i Agjendës së Reformave dhe mundësitë për integrim më të shpejtë dhe gradual në politikat dhe programet evropiane.
Sali ka përshëndetur Komunikimin e Komisionit Evropian, “Preparing for a Wider Union”, duke theksuar rëndësinë e një procesi zgjerimi më të parashikueshëm, të bazuar në merita dhe në rezultate të matshme.
“Integrimi evropian nuk duhet të mbetet vetëm një perspektivë politike. Ai duhet të përkthehet në mundësi reale për qytetarët, ekonominë dhe bizneset tona. Reformat që zbatojmë duhet të na afrojnë gradualisht me tregun, programet dhe politikat e Bashkimit Evropian”, ka theksuar Sali.
Në takim është trajtuar edhe zbatimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Agjendës së Reformave. Ministri ka nënvizuar se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj reformave në sundimin e ligjit, administratën publike, digjitalizimin, energjinë dhe konkurrueshmërinë ekonomike.
Vëmendje e veçantë u është kushtuar përfitimeve të prekshme të integrimit gradual, përfshirë pjesëmarrjen në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), mundësinë e zgjerimit të modelit “Roam Like at Home” dhe bashkëpunimin në fushën e transformimit digjital.
Ministri Sali ka potencuar gjithashtu rëndësinë e Kornizës së ardhshme Financiare Shumëvjeçare 2028–2034, e cila duhet të sigurojë mbështetje të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të orientuar drejt rezultateve për vendet kandidate.
Siç thunet në kumtesë, Ministria për Çështje Evropiane mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit të ngushtë me institucionet evropiane, me qëllim përshpejtimin e reformave dhe shndërrimin e procesit të integrimit në rezultate konkrete për qytetarët.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: “E palogjikshme” për Shkupin që BE-ja e ka përjashtuar nga plani: Edhe reforma, por edhe ndryshime kushtetuese
- LEXO: Mickoski: Zgjidhja e bllokadës me Bullgarinë qëndron te dialogu
- LEXO: Asnjë përparim në rrugën drejt BE-së, Petrova i kërkoi Mucunskit afat kohor se kur vendi do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese
- LEXO: “E palogjikshme” për Shkupin që BE-ja e ka përjashtuar nga plani: Edhe reforma, por edhe ndryshime kushtetuese