E kanë tërhequr zvarrë, babai dhe dy vajzat në RMV sulmuan një grua pas një mosmarrëveshjeje

Një baba dhe dy vajzat e tij dyshohet se kanë sulmuar një grua nga fshati Drenjë i Kriva Pallankës, e cila ka pësuar thyerje të nyjës së këmbës së majtë, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike (PTHP) në Kriva Pallankë, transmeton Portalb.mk.

Kundër babait dhe dy vajzave, siç thuhet në njoftimin e Prokurorisë, është paraqitur kallëzim penal nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.

Sipas përshkrimit të rastit, babai dhe dy vajzat dyshohet se, për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me bagëtinë, fillimisht janë përfshirë në një debat dhe më pas kanë sulmuar fizikisht një grua nga fshati Drenjë, duke e tërhequr, shtyrë dhe kërcënuar.

“Kur e kanë shtyrë përtokë, e dëmtuara ka pësuar lëndim të rëndë trupor, përkatësisht thyerje të nyjës së këmbës së majtë”, thuhet në njoftim.

Pas kallëzimit, siç bëjnë të ditur nga Prokuroria, procedura po zhvillohet sipas rrjedhës së rregullt, por të gjitha veprimet po ndërmerren me urgjencë, me qëllim që sa më shpejt të merret vendim nga prokurori publik.

“Është urdhëruar edhe ekspertizë për llojin dhe karakterin e lëndimeve të së dëmtuarës, ndërsa po sigurohen edhe prova të tjera”, thonë nga Prokuroria.

Për shkak të sjelljes së mëparshme të personave të kallëzuar, si dhe procedurave të tjera që janë zhvilluar dhe po zhvillohen kundër tyre, prokurori publik kompetent po vlerëson nevojën për të propozuar masa të caktuara kujdesi gjatë procedurës.

Gjatë fundjavës së kaluar, Komuna e Kriva Pallankës njoftoi edhe për një incident tjetër serioz të lidhur me lopët, të cilat prej vitesh shkaktojnë dëme në qytet dhe fshatrat përreth. Duke iu referuar një njoftimi policor, nga Komuna bënë të ditur se një grua 67-vjeçare nga fshati Drenjë kishte raportuar sulm fizik për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me lopët, me ç’rast kishte pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa policia po punonte për zbardhjen e rastit.

Nga Komuna theksuan se personat e kallëzuar në këtë rast janë ish-pronarë të bagëtisë për të cilën prej muajsh kërkohet ndërhyrje institucionale. Prej aty, ata parashtruan pyetje ndaj institucioneve kompetente se pse, përkundër kallëzimeve të shumta për sulme dhe kërcënime, këta persona vazhdojnë të jenë të lirë, nëse dikush po i mbron dhe “çfarë duhet të ndodhë ende që njerëzit të jenë të sigurt”.

Dhunë - Dhuna