“Nuk është tipike që të ketë ndërmjetës mes një vendi anëtar të Bashkimit Evropian dhe një vendi kandidat për anëtarësim, për marrëveshje që nuk kanë karakter bilateral, por janë miratuar dhe aprovuar edhe në nivel evropian”, deklaroi ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova-Çamova, raportoi agjencia BGNES, transmeton Portalb.mk.
Ajo e tha këtë duke iu përgjigjur një pyetjeje të deputetëve në seancën e djeshme të Parlamentit bullgar, lidhur me insistimin e Shkupit që në dialogun mes Maqedonisë dhe Bullgarisë për tejkalimin e çështjeve të kontestuara të përfshihen edhe përfaqësues të institucioneve në Bruksel.
Temën e zhvillimit të dialogut bilateral në nivel të lartë mes përfaqësuesve të Bullgarisë dhe Maqedonisë, në seancë e hapi deputeti i GERB-SDS-së dhe paraardhësi i Petrova-Çamovës në postin e ministrit të Jashtëm bullgar, Georgi Georgiev. Duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me kërkesën e Maqedonisë për ndërmjetësim në bisedimet mes Shkupit dhe Sofjes, Petrova-Çamova tha se qëndrimi i Bullgarisë është i qartë.
„Është e rëndësishme që nga Republika e Maqedonisë së Veriut të shihet gatishmëri për një narrativë politike që nuk është antibullgare, e cila deri më tani ka qenë mbizotëruese“, tha Petrova gjatë debatit parlamentar.
Sipas saj, dialogu mes dy palëve do të jetë i vështirë derisa të ndodhë kjo. Ajo i cilësoi si të pabazuara pretendimet e pushtetit aktual në Shkup se Bullgaria mund të vendosë kërkesa shtesë ndaj vendit tonë dhe të ndryshojë qëndrimin e saj tashmë të përcaktuar ndaj Maqedonisë.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Georgi Georgiev, i dha Velislava Petrova-Çamovës atë që e quajti një këshillë kolegiale, lidhur me dëshirën e saj për të kërkuar logjikë politike në veprimet e autoriteteve në Shkup.
“Një këshillë miqësore mes kolegësh. Ju po kërkoni logjikë politike në veprimet e tyre, por një e tillë nuk ekziston. Disa herë jemi përpjekur të gjejmë bazë për veprimet dhe retorikën e tyre. Në sjelljen e tyre nuk ka absolutisht asnjë logjikë”, tha Georgiev.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Sali në takim me komisioneren Kos: Integrimi gradual duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët
- LEXO: “E palogjikshme” për Shkupin që BE-ja e ka përjashtuar nga plani: Edhe reforma, por edhe ndryshime kushtetuese
- LEXO: Asnjë përparim në rrugën drejt BE-së, Petrova i kërkoi Mucunskit afat kohor se kur vendi do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese
- LEXO: “E palogjikshme” për Shkupin që BE-ja e ka përjashtuar nga plani: Edhe reforma, por edhe ndryshime kushtetuese