Shkolla e re në Nerovë ende pa afat për përfundimin e punimeve, komuna pret miratimin e Planit Urbanistik

Shkolla e re në Nerovë të Krushevës ende nuk ka afat për përfundimin e punimeve. Komuna thotë se Plani Urbanistik i fshatit, miratimi i të cilit është i nevojshëm për të vazhduar procedurat, është në fazën përfundimtare. Ndërkaq, zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, paralajmëroi takim me kryetarin e komunës për të shqyrtuar pengesat. Objekti u ndërtua me vetiniciativën e qytetarëve, por ende nuk është vënë në funksion, shkruan Portalb.mk.

Nga Komuna e Krushevës për Portalb.mk thonë se objekti i ri, i ndërtuar pranë shkollës së vjetër në Nerovë, është evidentuar si objekt i ndërtuar pa dokumentacionin përkatës.

Sipas komunës, miratimi i Planit Urbanistik për fshatin Nerovë është i nevojshëm për të vazhduar procedurat për rregullimin dhe vënien në funksion të objektit.

“Komuna e Krushevës është në fazën përfundimtare të hartimit të Planit Urbanistik për fshatin Nerovë. Miratimi i tij është veçanërisht i rëndësishëm për krijimin e bazës së nevojshme planore dhe urbanistike për veprimet e mëtejshme lidhur me objektin”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Pas miratimit të planit, do të përcaktohen punimet që duhet të kryhen, do të përgatitet dokumentacioni i nevojshëm dhe do të sigurohen mjetet financiare. Për këtë arsye, komuna thotë se ende nuk mund të japë një afat për përfundimin e objektit.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, tha se së shpejti do të takohet me kryetarin e Komunës së Krushevës dhe do ta vizitojë shkollën për të parë nga afër gjendjen.

Ai tha se gjatë takimit do të shqyrtohen dokumentacioni dhe pengesat që po e vonojnë përfundimin e objektit.

“Për këtë shkollë, Qeveria fillimisht ka gjetur zgjidhje për legalizimin e atij objekti dhe tani më duket se ka disa pengesa në lidhje me ndonjë leje për zhvillimin e punimeve. Nga informatat e para thuhet se është një problem që ka të bëjë me urbanizmin, por nuk dua të merrem me spekulime. Edhe për këtë shkollë do të bisedoj me kryetarin e komunës, për të parë se ku qëndron problemi dhe si mund të gjejmë zgjidhje për përfundimin e objektit, i cili është ndërtuar me vetiniciativën e qytetarëve”, tha Sulejmani për Portalb.mk.

Pavarësisht premtimeve dhe vendimit për legalizimin e objektit, nxënësit nuk mësojnë në shkollën e re në Nerovë, ajo mbet e papërfunduar. Institucionet vazhdojnë të përmendin procedurat që duhet të kryhen, por deri më tani nuk ka një afat konkret për vazhdimin e punimeve. Komuna pret përfundimin e Planit Urbanistik, ndërsa Ministria e Arsimit thotë se këtë vit nuk ka mjete të parapara për përfundimin e objektit. Kështu, zgjidhja e premtuar vitin e kaluar ende nuk është realizuar. Ndërkohë, nxënësit shqiptarë vazhdojnë të mësojnë në shkollën e vjetër, ndërsa objekti i ri, i ndërtuar me kontributin e banorëve, mbetet i papërfunduar.

Driton SulejmaniKrushevaKushtet në shkollaMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Shkolla fillore