Energjia elektrike për bizneset në Maqedoninë e Veriut është më e shtrenjta në Ballkanin Perëndimor, me 0.38 dollarë për kilovat-orë në vitet 2023–2024, gati 50% mbi mesataren e Bashkimit Evropian, e cila është 0.26 dollarë. Sipas raportit të OECD-së për konvergjencën ekonomike në Ballkanin Perëndimor për vitin 2026, vendi ka çmim dukshëm më të lartë edhe krahasuar me mesataren rajonale prej 0.25 dollarësh për kilovat-orë, transmeton Portalb.mk.
Në anën tjetër, Kosova regjistron çmimin më të ulët të energjisë elektrike për konsumatorët jofamiljarë në rajon, me 0.18 dollarë për kilovat-orë. Kjo e vendos Maqedoninë e Veriut në një pozitë dukshëm më të pafavorshme në krahasim me ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor, ku kostot e energjisë elektrike për bizneset janë përgjithësisht më të ulëta ose të krahasueshme me mesataren e BE-së.
“Kosova ka çmimet më të ulëta në rajon, me 0.18 dollarë për kWh, rreth 30% nën mesataren e BE-së. Maqedonia e Veriut, ndërkaq, ka çmimet më të larta, me 0.38 dollarë për kWh, gati 50% mbi mesataren e BE-së, gjë që pasqyron varësinë veçanërisht të lartë të vendit nga importi i energjisë”, thuhet në raport.
Në nivel rajonal, OECD-ja vlerëson se kostoja e energjisë elektrike për bizneset përbën një përparësi për konkurrueshmërinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor, pasi gjysma e tyre i mbajnë çmimet nën nivelin e Bashkimit Evropian. Mesatarja rajonale prej 0.25 dollarësh për kilovat-orë është afër mesatares së BE-së, por dukshëm më e ulët se mesatarja e ekonomive fqinje të BE-së, e cila arrin në 0.36 dollarë.
“Ndryshe nga humbjet e energjisë elektrike, kostot e energjisë elektrike për konsumatorët jofamiljarë përbëjnë një përparësi për konkurrueshmërinë e bizneseve në Ballkanin Perëndimor, ku gjysma e ekonomive të rajonit i mbajnë çmimet nën nivelin e BE-së. Mesatarja rajonale në vitet 2023–2024 ishte 0.25 dollarë amerikanë për kWh (Figura 3.7), afërsisht në nivelin e mesatares së BE-së (0.26 dollarë) dhe dukshëm nën mesataren e ekonomive fqinje të BE-së (0.36 dollarë)”, thekson raporti.
Ky nivel relativisht i përmbajtur i kostove pasqyron varësinë e rajonit nga qymyri i prodhuar në vend, i mbështetur nga subvencionet e konsiderueshme për lëndët djegëse fosile, të cilat deri më tani i kanë mbrojtur bizneset nga presionet e tregjeve globale të energjisë. Megjithatë, perspektiva e anëtarësimit në BE po vë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e kësaj përparësie konkurruese, pasi përafrimi me rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore dhe me Sistemin e Tregtimit të Emetimeve do ta rriste koston e prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri.
Në Maqedoninë e Veriut, çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë është rritur disa herë gjatë viteve të fundit, përmes ndryshimeve të tarifave dhe rishikimit të blloqeve tarifore. Rritjet janë arsyetuar me kostot e furnizimit, prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë, ndërsa qytetarët janë përballur me fatura më të larta për konsumin e përditshëm. Nga 1 janari 2026, Komisioni Rregullator për Energjetikë miratoi një rritje të re të çmimit, prej 2.45% në bllokun e parë, 2.87% në të dytin, 3.32% në të tretin dhe 3.84% në bllokun e katërt. Çmimi i energjisë elektrike me tarifë të lirë u rrit gjithashtu për 2.5%.
Ndërkohë, në maj të vitit 2026, kryetari i ri i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), Aco Ristov, paralajmëroi analizë të sistemit aktual me katër blloqe tarifore për energjinë elektrike, gjë që ende nuk ka ndodhur. Sipas tij, është e palogjikshme që për të njëjtin produkt në bursë të aplikohen katër çmime të ndryshme, prandaj KRRE-ja do të shqyrtojë rezultatet e deritanishme të këtij modeli dhe përvojat e vendeve të rajonit. Ristov tha se do të analizohet nëse sistemi duhet të vazhdojë me katër blloqe, të ndryshohet mënyra e përcaktimit të tyre apo të gjendet një model më i drejtë për konsumatorët. Sistemi aktual i blloqeve tarifore zbatohet që nga viti 2022 dhe synon që familjet me konsum më të ulët të paguajnë më pak, ndërsa konsumi më i lartë të tarifohet më shtrenjtë.