Diskriminimi i grave shtatzëna në Maqedoninë e Veriut: Punëdhënësit e bëjnë, gjykatat nuk e njohin

Punëdhënës nga sektori publik dhe ai privat i diskriminojnë gratë shtatzëna edhe pse Kushtetuta e ndalon sjelljen diskriminuese, ndërsa as gjykatat nuk e njohin atë sepse rastet që arrijnë tek ato i shohin vetëm si probleme që burojnë nga marrëdhënia e punës, por jo si diskriminim. Për këtë arsye Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi (KMD) rekomandon që të bëhen ndryshime në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës (LMP), sidomos në pjesën për kontratat e punës me kohë të caktuar, sepse praktika ka treguar se kur punëdhënësi e merr vesh se punëtorja është shtatzënë, ai nuk ia vazhdon kontratën, shkruan Kolegium, transmeton Portalb.mk.

Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi prezantoi vegël të re, E-qendrën e burimeve për barazi dhe mosdiskriminim, në të cilën përdoruesit në një vend do mund të gjejnë hulumtime, analiza, publikime, burime profesionale dhe praktikë gjyqësore nga fusha e antidiskriminimit. Kjo vegël është konceptuar si platformë dinamike që do të azhurnohet vazhdimisht me materiale nga përdoruesit, e për të cilat KMD do të konstatojë se janë relevante për t’u publikuar. Qëllimi është që informacionet të bëhen më lehtë të qasshme për institucionet, hulumtuesit, organizatat e shoqërisë civile, mediat dhe për publikun e gjerë. Qasja në E-qendrën e burimeve bëhet përmes uebfaqes www.kszd.mk.

Nga viti 2021 deri në vitin 2025 KMD ka shqyrtuar 21 raste të diskriminimit për shkak të shtatzënisë dhe amësisë. Vetëm në vitin e fundit, atë 2026, te Komisioni kanë arritur dhjetë raste. Në gjysmën e tyre tashmë është konstatuar diskriminim, në tre raste nuk është konstatuar, ndërsa për dy raste procedimi është ende në vijim e sipër, deklaruan përfaqësuesit e Komisionit në brifingun e sotëm me mediat.

Për këtë arsye Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi lëshoi rekomandim të përgjithshëm që punëdhënësit nga sektori publik dhe ai privat të përmbahen nga praktikat që çojnë në trajtim të pavolitshëm të punëtoreve gjatë shtatzënisë, lindjes dhe amësisë, si dhe drejtuar Kuvendit të Maqedonisë së Veriut – që ta avancojë Ligjin për Marrëdhëniet e Punës (LMP) në pjesën e kontratave me kohë të caktuar me qëllim që të parandalohen keqpërdorimet e ardhshme, shkelja e të drejtave dhe diskriminimi.

“Gruaja shtatzënë nuk duhet t’i udhëheqë burrat”

Një grua në pozitë udhëheqëse ka qenë e ekspozuar ndaj komenteve poshtëruese dhe seksiste nga kolegët, me qëndrime se “gruaja nuk mund të udhëheqë departament“, se vendi i gruas është në shtëpi dhe se gruaja shtatzënë nuk duhet t’i udhëheqë burrat. Ky është një nga rastet në vitin 2025 në të cilët KMD ka konstatuar ngacmim të një gruaje shtatzënë në vendin e punës.

Një grua shtatzënë, psikologe në spital publik për disa vite me radhë ka qenë e angazhuar me kontratë në vepër. Pasi punëdhënësi e ka zbuluar se ishte shtatzënë asaj kontrata nuk i është vazhduar, ndërsa në të njëjtin vend pune është angazhuar një person tjetër.

Një punëtore me shtatzëni patologjike është njoftuar se kontrata nuk do t’i vazhdohej gjatë kohës që ajo ende ishte në pushim mjekësor. Një punonjëse në bankë me kontratë me kohë të caktuar e kishte njoftuar sektorin e burimeve njerëzore se ishte shtatzënë, ndërsa të nesërmen është njoftuar se nuk do t’i vazhdohej kontrata. Një grua tjetër, nëpunëse policore, nënë e tre fëmijëve të mitur, ka kërkuar të sistemohet më afër vendbanimit për ta shfrytëzuar të drejtën ligjore për pauzë për ushqyerjen e fëmijës me gji. Kërkesa e saj nuk është marrë parasysh, ndërsa një kolege tjetër në situatë të ngjashme është sistemuar më afër, janë vetëm disa nga rastet në vitet 2024 dhe 2025 në të cilat Komisioni ka konstatuar diskriminim në bazë të gjinisë dhe amësisë.

Rasti më drastik mbase është ai i vitit 2024 kur një punëtore e ka njoftuar punëdhënësin se po fillonte procedurën për in-vitro dhe do të shfrytëzonte pushim mjekësor. Pastaj ajo është çregjistruar në mënyrë retroaktive nga marrëdhënia e punës, gjë që ka pasur ndikim në sigurimin e saj shëndetësor dhe i është dashur që ta paguajë privatisht procedurën. Pas vendimit të Komisionit se ekziston diskriminim, viktima ka ngritur procedurë civile në gjykatë, ka arritur deri në Gjykatën Supreme, por as ajo nuk ka vendosur në favor të saj.

Në brifingun me gazetarët nga Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi thanë se shpesh edhe gjykatat nuk mund ta shohin se vendimi i punëdhënësit për të mos e vazhduar kontratën e punës është i motivuar nga shtatzënia. Përfaqësuesit e KMD-së treguan edhe për praktikën e keqe gjyqësore, e cila e interpreton vetëm ligjin kur kontrata e punës përfundon dhe rastet i trajton si problem nga marrëdhënia e punës, e jo si diskriminim.

“Me vendimin e marrë nga Gjykata Supreme në rastin me procedurën për in-vitro praktika gjyqësore është e prerë. Kemi nevojë për gjykatës të guximshëm që do ta njohin diskriminimin ndaj grave shtatzëna“, deklaruan përfaqësuesit e KMD-së.

Je shtatzënë? Të përfundon kontrata

Mbrojtja e grave shtatzëna në marrëdhëniet e punës është e garantuar në konventat ndërkombëtare, por edhe në legjislacionin në vend. Neni 9 i Kushtetutës garanton të drejtën e barazisë në bazë të gjinisë, të drejtën e punës, vendimmarrjen e lirë për të krijuar familje dhe mbrojtjen e veçantë të amësisë dhe fëmijëve. Neni 6 i Ligjit për Marrëdhëniet e Punës vendos ndalesë të përgjithshme të diskriminimit që, mes bazave të tjera, përmend gjininë, statusin familjar dhe rrethanat e tjera personale.

Neni 9 i të njëjtit Ligj thotë se “janë të ndaluara të gjitha format e diskriminimit të punëtores për shkak të shtatzënisë, lindjes dhe prindërimit, pa marrë parasysh kohëzgjatjen dhe llojin e marrëdhënies së punës të themeluar sipas ligjit“. Edhe neni 166 përcakton se “në përfundim të pushimit të lindjes punëtori ka të drejtë të kthehet në të njëjtin vend pune ose, nëse kjo nuk është e mundur, në një vend përkatës pune sipas kushteve të kontratës të punës“.

Por, në praktikë, kur punëtorja mbetet shtatzënë dhe i skadon kontrata me kohë të caktuar, punëdhënësit nuk i ofrojnë vazhdim të kontratës, madje edhe nëse më parë ka pasur praktikë të bëhen anekse të kontratave për punësim dhe kur ka pasur ende nevojë për punëtoren në atë vend pune.

“Për shkak të vendosjes të kornizës ligjore që i rregullon kontratat e punës me kohë të caktuar, nuk ekziston kufizim i përdorimit të tyre nga ana e punëdhënësve. Në praktikë, ligji i ka vendosur këto kontrata si rregull, e jo si përjashtim. Në këto raste, vullneti dhe veprimi i punëdhënësve për të mos themeluar përsëri, gjegjësisht për të mos e vazhduar marrëdhënien e punës me punëtoren, bazohet ekskluzivisht në rrethanën e lidhur me shtatzëninë, lindjen dhe amësinë. Veprimi i tillë për Komisionin paraqet diskriminim direkt apo intersektorial në bazë të gjinisë, në lidhje me shtatzëninë, lindjen dhe amësinë“, thonë nga KMD.

Për këtë arsye Komisioni propozon rregullim sistemik të Ligjit për Marrëdhëniet e Punës lidhur me kontratat e punës me kohë të caktuar. Propozohet që: këto kontrata të parashihen si përjashtim e jo si rregull, me çka do të kufizohej përdorimi i tyre; të parashihet detyrim i obligueshëm për punëdhënësin që në një afat të caktuar para përfundimit të kontratës ta njoftojë punëtorin nëse planifikon t’ia vazhdojë atë, ose t’i arsyetojë shkaqet nëse nuk ia vazhdon kontratën; të përforcohen garancitë në ligj se punëtorja pas përfundimit të pushimit të lindjes do të kthehet në të njëjtin vend pune ose në vend të ngjashëm pune; dhe të rregullohen deri në fund mekanizmat juridikë ashtu që në raste të këtilla parësisht të veprohet sipas Ligjit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.

Te diskriminimi në të shumtën e rasteve nuk ekziston provë direkte për motivin e atij që ka sjellë vendim diskriminues. Punëdhënësi në vendimin me shkrim nuk shkruan se nuk ia vazhdon kontratën punëtores sepse ajo është shtatzënë. Për këtë arsye në procedurat kundër diskriminimit shqyrtohet pamje më e gjerë – faktet dhe rrethanat nën të cilat është sjellë vendimi. Ligji për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi parasheh se personi që pretendon se i është shkelur e drejta e trajtimit të barabartë duhet t’i paraqesë faktet dhe provat me të cilat e arsyeton pretendimin e vet. Më pas, barra e provës se nuk ka pasur diskriminim i mbetet palës tjetër.

Barazi gjinoreDiskriminimGjykatës(e) - Gjykim - GjyqësorKomisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi RMV