Edhe pse përfaqësues të VLEN-it deklaruan me pompozitet se çështja e objektit të ri të shkollës “Nikolla Karev” në Nerovë të Krushevës ishte zgjidhur, tani nuk japin përgjigje se çfarë është bërë për vazhdimin e punimeve. Objekti i ri ende nuk është përfunduar, ndërsa nxënësit shqiptarë vazhdojnë të mësojnë në objektin e vjetër të kësaj shkolle, shkruan Portalb.mk. Nga Komuna e Krushevës thonë se fillimisht duhet të përfundojë Plani Urbanistik, ndërsa nga Ministria e Arsimit thonë se këtë vit nuk është planifikuar investim për objektin.
Para rreth një viti, pas aktualizimit të problemit me shkollën në Nerovë, deputetë të VLEN-it, bashkë me ish zv.ministrin e Arsimit, Lulzim Aliu, vizituan fshatin dhe premtuan se do të angazhoheshin për zgjidhjen e problemit.
Pas zgjidhjes së statusit juridik të objektit të ri, VLEN-i e paraqiti këtë si rezultat të angazhimit të tij dhe si zgjidhje të problemit me shkollën.
Megjithatë, edhe pas këtij vendimi, punimet nuk kanë vazhduar. Nxënësit shqiptarë vazhdojnë ta ndjekin mësimin në objektin e vjetër, në kushte shumë të vështira.
Portalb.mk kërkoi nga përfaqësuesit e VLEN-it të sqarojnë se çfarë është bërë konkretisht pas deklaratave se problemi ishte zgjidhur dhe nëse ka ndonjë angazhim për vazhdimin e punimeve.
Fillimisht kontaktuam deputetët e VLEN-it që kishin vizituar Nerovën në atë kohë. Deputeti Bekim Qoku nuk iu përgjigj thirrjeve tona. Ndërsa deputetja Saranda Imeri Stafai, e cila ishte ndër zërat më aktivë gjatë përplasjeve për këtë çështje, na udhëzoi që përgjigjet t’i kërkonim nga Qendra për Media e VLEN-it.
Portalb.mk kontaktoi më pas shefin e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun të VLEN-it, Fari Hiseni. Edhe pse Hiseni tha se do t’u përgjigjeshin pyetjeve të Portalb.mk, deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë përgjigje.
Ndërkohë, nga Komuna e Krushevës thonë se objekti i ri është ndërtuar pa dokumentacion përkatës dhe se fillimisht duhet të përfundojë Plani Urbanistik për fshatin. Pas miratimit të tij, sipas komunës, do të përgatitet dokumentacioni projektues.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ndërkaq, për Portalb.mk kanë thënë se për këtë vit nuk është planifikuar investim për përfundimin e objektit të ri të shkollës në Nerovë.
Kështu, nxënësit e Nerovës vazhdojnë të presin për kushte më të mira mësimi, pa një afat të qartë për përfundimin e shkollës së re.
- LEXO: Shqiptarët e Krushevës kërkuan legalizimin e objektit të ri të shkollës që u ndërtua nga qytetarët
- LEXO: Legalizimi nuk e zgjidhi problemin, objekti i ri i shkollës në Nerovë mbeti në gjysmë, mësimi në kushte katastrofale (Video)
- LEXO: Shkolla në Alldançe të Krushevës në gjendje të mjerueshme, MASH dhe Komuna pa zgjidhje konkrete (Video)