Edhe pse u mor vendimi që objekti i ri i shkollës “Nikolla Karev” në Nerovë të Krushevës të kalojë në pronësi të kësaj komune, nxënësit shqiptarë vazhdojnë të mësojnë në ndërtesën e vjetër, ndërsa objekti i ri i nisur nga banorët, ka mbetur i papërfunduar. Vitin e kaluar, përfaqësuesit e VLEN-it në qeveri e paraqitën veten si faktorë në zgjidhjen e problemit dhe u përplasën me opozitën se kujt i takonin meritat, por çështja nuk është zgjidhur dhe ka mbetur në harresë institucionale, shkruan Portalb.mk. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur se mjetet për përfundimin e objektit mund të planifikohen në të ardhmen, por jo gjatë këtij viti. Nga ana tjetër, nga Komuna e Krushevës thonë se objekti në Nerovë është ndërtuar pa dokumentacion përkatës. Sipas tyre, fillimisht duhet të përfundojë Plani Urbanistik për fshatin, ndërsa pas miratimit të tij do të përgatitet dokumentacioni i nevojshëm projektues.
“Këtë që e shihni prapa meje është ndërtesa e vjetër që është ndërtuar në vitin 1947, ku momentalisht zhvillohet mësimi në dy ndërrime. Siç e shikoni edhe vetë, kushtet janë të mjerueshme, mirëpo jemi të detyruar që mësimin ta zhvillojmë në këto kushte”, tha mësuesi i kësaj shkolle, Miziret Jusufi.
Ai tregon se për shkak të kushteve të papërshtatshme, arsimtarët dhe Këshilli i Prindërve morën iniciativë për ndërtimin e një objekti të ri. Objekti u ndërtua me ndihmën e donatorëve, por punimet u ndërprenë dhe ai mbeti i papërfunduar.
“Shkaku i këtyre kushteve ka qenë edhe revolta te arsimtarët, po ashtu edhe te Këshilli i Prindërve, që të marrim një iniciativë për ta ndërtuar këtë ndërtesë. Falë donatorëve që na shtrinë dorën, arritëm deri në këtë gjendje që e shihni”, thotë Jusufi.
Sipas tij, më pas objekti u problematizua për shkak të statusit të tij dhe u ngrit edhe kallëzim penal me arsyetimin se ishte ilegal. Objekti i ri i shkollës tashmë është legalizuar dhe ka kaluar në pronësi të Komunës së Krushevës.
Kryetari i Këshillit të Prindërve të kësaj shkolle, Dashmir Jusufi, thotë se pas legalizimit nuk është punuar më në objekt dhe se deri tani nuk ka mjete të siguruara për vazhdimin e punimeve.
“Pas legalizimit të objektit të ri shkollorë deri më tani nuk është punuar asgjë. Mjetet e siguruara për vazhdimin e punimeve nuk ka, plan konkret nga ana e pronarit të objektit, Komunës së Krushevës, nuk besoj se ka”, tha ai.
Sipas tij, Komuna e Krushevës ka bërë të ditur se nuk ka buxhet të mjaftueshëm per kompletimin e objektit dhe se do të kërkojë mjete nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
“Komuna e Krushevës nuk ka buxhet të vetin me të cilin do mundet ta kompletojë objektin e ri shkollorë, por do të kërkojë mjete nga MASH që ajo ta kompletojë”, thotë Jusufi.
Një tjetër pengesë, sipas Komunës, është se fshati Nerovë nuk është i përfshirë në Planin e Detajuar Urbanistik. Sipas përgjigjes që kanë marrë prindërit, Komuna është në fazën përfundimtare të përgatitjes së këtij plani.
“Përgjigja nga Komuna e Krushevës për këtë çështje është se fshati Nerovë, ku aty është edhe objekti i ri i shkollës, nuk është i përfshirë në Planin e Detajuar Urbanistik dhe se Komuna e Krushevës është në fazën përfundimtare të tij, i cili do kryhet pas disa muajsh”, deklaroi ai.
Megjithatë, deri tani nuk është dhënë ndonjë afat konkret se kur do të nisin punimet. Sa i përket angazhimit të përfaqësuesve politikë shqiptarë në pushtetin qendror, nga Këshilli i Prindërve thonë se nuk ka pasur zotim konkret për përshpejtimin e ndërtimit.
“Asnjë përfaqësues politik shqiptar nga pushteti qendror nuk është zotuar se do ndihmojë në përshpejtimin e ndërtimit të objektit të ri”, theksoi kryetari i Këshillit të Prindërve.
Ndërkohë, nxënësit vazhdojnë të mësojnë në objektin e vjetër, ku ankohen për kushtet.
“Ne në këtë shkollë nuk i kemi kushtet e mira. Na duhen banka, na duhen ulëse. Kur bie shi na pikon çatia. Ne duam të kemi shkollë si të tjerat fshatrat, prandaj duam që ta rregullojmë shkollën e re”, deklaroi një nxënëse.
“Nuk i kemi hiç kushtet e mira. Kur bie shi na pikon uji në klasë dhe tualetet nuk i kemi të mira, na mungojnë bankat, ulëset”, tha një nxënëse tjetër.
MASH dhe Komuna pa afat për përfundimin e shkollës
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur se procedura për sigurimin e dokumentacionit juridik për objektin e shkollës në Nerovë, përmes Ministrisë së Transportit, ka përfunduar. Sipas MASH-it, mjetet për përfundimin e objektit mund të planifikohen në të ardhmen, por jo gjatë këtij viti.
“Për objektin shkollor në fshatin Nerovë është zhvilluar procedurë për sigurimin e dokumentacionit juridik përmes Ministrisë së Transportit, meqë më parë i përkiste një komune tjetër. Kjo procedurë ka përfunduar dhe në të ardhmen mund të planifikohen mjete për përfundimin e ndërtimit të nisur. Për këtë vit, nuk janë paraparë mjete”, thuhet në përgjigjen e MASH-it për Portalb.mk.
Nga Komuna e Krushevës thonë se objekti në Nerovë është ndërtuar pa dokumentacion përkatës dhe se fillimisht duhet të përfundojë Plani Urbanistik për fshatin. Pas miratimit të tij, do të përgatitet dokumentacioni projektues, përmes të cilit do të përcaktohen punimet, mjetet e nevojshme dhe afatet.
“Në këtë moment nuk mund të jepet me përgjegjësi një afat konkret për përfundimin dhe vënien në përdorim të objektit në Nerovë”, thonë nga Komuna për Portalb.mk.
Ata shtojnë se do të bëjnë përpjekje për sigurimin e mjeteve financiare për përfundimin e objektit.
Bojkoti, vizita e ambasadorit Meidani dhe premtimet e VLEN-it që mbetën pezull
Problemi i shkollës në Nerovë u aktualizua vitin e kaluar, kur banorët dhe prindërit protestuan pasi u ndaluan punimet në objektin e ri qe po ndërtohej me kontributin e tyre. Nxënësit bojkotuan mësimin, ndërsa prindërit kërkuan legalizimin e objektit dhe krijimin e kushteve që ai të vihej në përdorim.
Në qershor të vitit 2025, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit inspektuan objektin e vjetër dhe atë të ri. Nga Ministria atëherë thanë se objekti i vjetër nuk ishte në gjendje të mirë. Megjithatë, gjendja mbetet e pandryshuar pavarësisht vizitës së zhvilluar nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, bashkë me deputetin Bekim Qoku dhe deputetë të tjerë të koalicionit qeverisës. Gjatë takimit të drejtpërdrejtë me banorët, prindërit dhe stafin arsimor të Nerovës, u garantua se MASH do të merrte përsipër zhbllokimin e pengesave administrative, legalizimin e plotë dhe sigurimin e fondit të nevojshëm për të mbyllur punimet e mbetura pezull.
Por, një vit pas këtyre deklaratave, realiteti flet ndryshe, asnjë makineri ndërtimi nuk ka zbarkuar në fshat dhe asnjë procedurë e dukshme prokurimi apo alokimi mjetesh nuk ka përfunduar.
Në Nerovë shkoi edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, i cili u takua me banorët dhe dëgjoi kërkesat e tyre. Vizita e tij u pasua me kërkesa për zgjidhjen e problemit të shkollës.
Më 1 korrik 2025, Qeveria mori vendim që hapi rrugën për zgjidhjen e statusit juridik të pronës ku ndodhet shkolla dhe kalimin e saj në pronësi të Komunës së Krushevës.
Pas këtij vendimi, pati përplasje për atë se kujt i takonin meritat. BDI dhe ASH e konfirmuan këtë zgjidhje me angazhimin e ambasadorit Meidani. Nga ana tjetër, kryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, tha se problemi i shkollës në Nerovë ishte lënë pas dore nga qeveritë e mëparshme dhe se zgjidhja e çështjes erdhi me angazhimin e Qeverisë aktuale. Ai gjithashtu reagoi ndaj përpjekjeve për t’ia atribuar meritën ambasadorit Meidani.
Edhe përfaqësues të tjerë të VLEN-it premtuan për këtë çështje. Ish zv.ministri i Arsimit, Lulzim Aliu, tha se pas zgjidhjes së çështjes së pronës do të vijonin legalizimi dhe funksionalizimi i objektit të ri, duke theksuar se ai nuk do të rrënohej.
VLEN më pas deklaroi se çështja e shkollës shqipe në Nerovë ishte zgjidhur dhe se nxënësit do të mësonin në objektin e ri.
Edhe ish kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, e përfshiu rastin në rezultatet e punës së VLEN-it, duke thënë se objekti ishte legalizuar dhe do të vazhdonte të funksiononte.
Megjithatë, një vit pas bojkotit, vendimit për legalizim dhe premtimeve të VLEN-it, objekti i ri ende nuk është në përdorim. Nxënësit shqiptarë në Nerovë vazhdojnë të mësojnë në ndërtesën e ndërtuar në vitin 1947, ndërsa prindërit dhe mësimdhënësit presin që të përfundojnë procedurat dhe të vazhdojnë punimet e mbetura përgjysmë.