Sulejmani në Kuvend premtoi angazhim për shkollën e Nerovës, por MASH-i nuk ka paraparë mjete për këtë vit

“Do të bëjmë përpjekje që ky investim edhe të përfundojë”, deklaroi zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, në Kuvend, duke folur për shkollën “Nikolla Karev” në Nerovë të Krushevës. Ai tha se legalizimi i objektit të ri kishte zgjidhur një pjesë të madhe të problemit dhe premtoi se personalisht do të angazhohej për të gjetur zgjidhje me Komunën e Krushevës. Megjithatë, nga vetë Ministria e Arsimit për Portalb.mk u konfirmua se për këtë vit nuk janë paraparë mjete për përfundimin e objektit.

Në seancën parlamentare, deputetja Imerlije Saliu e pyeti zëvendësministrin e MASH-it, Driton Sulejmani, se cili është plani konkret për shkollën e Nerovës. Në përgjigjen e tij, Sulejmani tha se deri atëherë Ministria nuk kishte pranuar kërkesë nga Komuna e Krushevës për ndërhyrje, por se pavarësisht kësaj do të përpiqeshin të planifikonin mjete, në përputhje me mundësitë buxhetore.

Sipas tij, pengesa kryesore e deriatëhershme ishte statusi juridik i objektit. Sulejmani theksoi se shkolla tashmë ishte legalizuar dhe se kjo përbënte “hapin e parë dhe më të rëndësishëm”, duke shtuar se tani ekzistonte baza për investim.

“Sa i përket shkollës në Nerovë mendoj që do të vijnë në radhë gjatë periudhës së ardhshme. Deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë nga Komuna e Krushevës për ndërhyrje në këto shkolla, por pavarësisht kësaj do të përpiqemi që të planifikojmë mjete në përputhje me mundësitë tona buxhetore. MASH në bazë të kërkesave të dorëzuara nga komunat për rikonstruimin dhe ndërtimin e shkollave, vepron në përputhje me prioritetet dhe nevojat me buxhetin që ka në dispozicion. Shkolla në Nerovë është e legalizuar, gjë që ka qenë një problematikë e kamotshëm për arsye të së cilës nuk ka qenë e mundur të ndërhyjë as ministria, as Komuna për të bërë ndonjë investim. Domethënë një pjesë të madhe të problemit me shkollën e Nerovës e kemi zgjidhur si Qeveri. Ky është hapi i parë dhe më i rëndësishëm. Tani pasi ekziston baza për të investuar mjete, do të bëjmë përpjekje që ky investim edhe të përfundojë. Personalisht do të angazhohem që të kem edhe një takim me kryetarin e Komunës së Krushevës në periudhën që vijon dhe t’i detektojmë saktë problemet dhe të fillojmë me zgjidhjen e këtyre problemeve që nxënësit e kësaj shkolle përfundimisht të kenë kushte dinjitoze për ta zhvilluar procesin edukativo-arsimor”, deklaroi Sulejmani.

Por, përgjigjja që MASH-i i dha Portalb.mk tregon një situatë tjetër. Ministria konfirmoi se procedura për sigurimin e dokumentacionit juridik kishte përfunduar, por sqaroi se mjetet për përfundimin e objektit mund të planifikohen në të ardhmen. Për vitin 2026, mjete nuk janë paraparë.

Kujtojmë se përfaqësues të VLEN-it e kishin paraqitur zgjidhjen e statusit juridik si rezultat të angazhimit të tyre. Megjithatë, kur Portalb.mk kërkoi të dijë se çfarë ishte bërë konkretisht për vazhdimin e punimeve, deputetët e VLEN-it nuk dhanë përgjigje, ndërsa Qendra për Media e kësaj partie nuk iu përgjigj pyetjeve.

Ndërkohë, Komuna e Krushevës ka thënë se fillimisht duhet të përfundojë Plani Urbanistik për Nerovën dhe më pas të përgatitet dokumentacioni i nevojshëm për ndërhyrje. Pra, pas zgjidhjes së statusit juridik, çështja tani lidhet me procedura urbanistike dhe sigurimin e mjeteve financiare.

Kështu, deklarata në Kuvend për angazhim dhe përpjekje për përfundimin e investimit nuk është shoqëruar deri tani me një afat konkret apo me mjete të planifikuara për punimet. Ndërsa institucionet vazhdojnë të përmendin procedurat dhe mundësitë buxhetore, nxënësit e Nerovës vazhdojnë të mësojnë në objektin e vjetër.

Problemi i shkollës së Nerovës ishte aktualizuar fuqishëm vitin e kaluar, kur nxënësit bojkotuan mësimin dhe prindërit kërkuan zgjidhje për objektin e ri. Më pas pati përplasje politike rreth asaj se kujt i takonin meritat për zgjidhjen e statusit juridik.

Kështu, nxënësit e Nerovës vazhdojnë të presin për kushte më të mira mësimi, pa një afat të qartë për përfundimin e shkollës së re.

Kujtojmë se Në objektin e vjetër të shkollës “Nikolla Karev” në Alldançe të Krushevës, nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë përballen me kushte të vështira. Bankat dhe muret janë të dëmtuara, tualetet në gjendje të keqe, ndërsa mungojnë ngrohja dhe salla sportive. Mësimdhënësit thonë se për përmirësimin e kushteve janë bërë premtime, por pa rezultate konkrete. Nga MASH njoftojnë se nuk kanë pranuar iniciativë për investim në këtë shkollë, ndërsa Komuna e Krushevës pret përfundimin e Planit Urbanistik për të përcaktuar ndërhyrjet dhe mënyrën e financimit.

Driton SulejmaniKrushevaKushtet në shkollaMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Shkolla fillore