Vitin e ardhshëm do të hapen Muzeu i Parahistorisë dhe Muzeu i Periudhës Osmane në Kalanë e Shkupit

Vitin e ardhshëm do të vihen në funksion Muzeu i Parahistorisë dhe Muzeu i Periudhës Osmane në Kalanë e Shkupit. Në këta muze do të ekspozohen artefakte të zbuluara gjatë kërkimeve të mëdha arkeologjike në kala, të realizuara nga viti 2007 deri në vitin 2016. Ekspozitat do të konceptohen sipas parimeve bashkëkohore muzeologjike, duke përfshirë ndërveprimin, rrëfimin dhe qasjen multimediale, transmeton Portalb.mk.

Një komision i përbërë nga kuratorë të muzeut, kuratorë të Muzeut të Qytetit të Shkupit dhe punonjës të Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore (DMTK) ka punuar në rishikimin e materialeve, me qëllim përzgjedhjen e artefakteve që do të ekspozohen në muze.

Drejtoresha e DMTK-së, Vesela Çestoeva, theksoi se gjatë kërkimeve të mëdha arkeologjike në Kalanë e Shkupit janë zbuluar më shumë se 5.000 artefakte.

“Fatkeqësisht, nga viti 2017 deri në vitin 2024, këto artefakte u ruajtën në kushte nën standardet e duhura, këtu në Kala. Me ardhjen e qeverisë së re në vitin 2024, Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, si investitore e këtyre dy objekteve, i paraqiti Qeverisë një informacion dhe arriti të sigurojë mjete në vlerë prej tetë milionë denarësh. U formua gjithashtu një grup pune, i cili përgatiti një përllogaritje paraprake, mbi bazën e së cilës u shpall tenderi për mirëmbajtjen, përshtatjen dhe sanimin e Muzeut të Parahistorisë dhe Muzeut të Periudhës Osmane. Si kompani realizuese u përzgjodh ‘Net Invest’ nga Tearca dhe, për më pak se një vit, objektet tashmë janë përfunduar. Për shtatë vjet, ato ishin lënë në mëshirë të kohës”, deklaroi Çestoeva.

Në fazën përfundimtare në Qeveri është miratimi i vendimit për shpalljen e Kalasë së Shkupit si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë, në nënkategorinë e rëndësisë së madhe. Me këtë vendim, kompetencat do të ndahen ndërmjet Muzeut Arkeologjik dhe Qytetit të Shkupit.

Muzeu Arkeologjik do të menaxhojë dy objektet muzeale dhe do të kujdeset për rregullimin e ambienteve të brendshme, në mënyrë që ato të bëhen pjesë e ofertës së Shkupit si Kryeqytet Evropian i Kulturës në vitin 2028.

“Me këtë, Drejtoria e përfundon punën në Kalanë e Shkupit dhe zhvendoset në Plaoshnik, që edhe atje të mund t’i vëmë në funksion objektet që prej vitesh janë lënë në mëshirë të kohës”, tha Çestoeva.

Drejtoresha e Muzeut Arkeologjik, Magdalena Manaskova, deklaroi se institucioni i saj do të vazhdojë punën aty ku e përfundon DMTK-ja. Ajo njoftoi se ekipi i tyre do të nisë të martën rregullimin e brendshëm të muzeve, përkatësisht përgatitjet për hapjen e tyre.

“Punimet ndërtimore kanë përfunduar dhe, me vendim të Qeverisë, Muzeu Arkeologjik i ka marrë artefaktet e siguruara gjatë kërkimeve arkeologjike në Kalanë e Shkupit. Aktualisht po punojmë për konceptin e asaj që do të prezantohet në Muzeun e Parahistorisë dhe në Muzeun e Periudhës Osmane.

Autor i konceptit ideor të të dy muzeve është profesori dhe doktori i shkencave Dragi Mitrevski, studiues shumëvjeçar dhe drejtues i kërkimeve arkeologjike në Kalanë e Shkupit, ndërsa autor i dizajnit të ekspozitave është profesori Jovan Ivanovski. Kemi krijuar edhe identitetin vizual të muzeve, autorja ideore e të cilit është profesoresha Gordana Vrencovska”, deklaroi Manaskova.

Kalaja e ShkupitMuzeu i Qytetit të Shkupit