Komuna e Tearcës nuk po gjen “ilaç” për deponitë e egra, Memishi sytë nga pika e grumbullimit

Deponitë e egra vazhdojnë të mbeten pa zgjidhje në Komunën e Tearcës. Një nga pikat më problematike është hapësira mes fshatrave Gllogjë dhe Dobrosht, ku mbeturinat hidhen vazhdimisht dhe në disa raste edhe digjen. Një tjetër deponi problematike ndodhet në Nerasht, në afërsi të stadiumit, por këto nuk janë të vetmet, ka edhe pika të tjera mbeturinash, shkruan Portalb.mk.

Në disa raste Portalb.mk ka qenë dëshmitar i djegies së mbeturinave në deponinë mes Gllogjës dhe Dobroshtit. Rasti është raportuar disa herë edhe te shërbimet e zjarrfikësve.

I pyetur se pse nuk ka ende zgjidhje dhe çfarë do ndërmarrin në këtë drejtim, kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, thotë se komuna tenton t’i pastrojë këto pika me kapacitetet që ka, por mbeturinat hidhen përsëri.

“Mundohemi si komunë, me shërbimet komunale që i kemi, t’i pastrojmë, por qytetarët hedhin përsëri. Nuk dua t’i fajësoj qytetarët. Mbeturinat duan trajtim më të veçantë”, tha Memishi.

Sipas tij, komuna planifikon të përgatisë një studim fizibiliteti për të përcaktuar mënyrën se si do të zgjidhet problemi i mbeturinave në territorin e komunës.

“Për këtë do të fillojmë përpilimin e studimit të fizibilitetit, të shohim çfarë do të mund të bëhet”, tha ai.

Memishi rikujtoi edhe premtimin që kishte bërë para se të merrte drejtimin e komunës.

“Para se të jem kryetar komune, kam premtuar që pikë të parë do të bëjmë një pikë grumbullimi dhe pastaj deponimin në deponinë Rusino në rajonin e Pollogut”, tha Memishi.

Megjithatë, deri në zgjidhjen e sistemit të menaxhimit të mbeturinave, deponitë në fshatrat e Tearcës vazhdojnë të krijohen ndërsa djegia e tyre paraqet edhe problem për ndotjen e ajrit dhe sigurinë e banorëve.

Kujtojmë se në programin zgjedhor të kryetarit të Komunës së Tearcës, Daut Memishi në pikën 15 ka premtuar se do të kujdeset për pastërtinë publike.

Kujtomë se mbeturinat e Komunës së Tearcës do të duhet të hidhen në deponinë e re rajonale për rajonin e Pollogut, megjithatë procedura për ndërtimin e saj po zvarritet.

Daut MemishiKomuna e TearcësNdotja e tokës mbeturinaVideo Lajme