Strugani Nazmi Dudushi i ka ndjerë në lëkurën e tij pasojat e shkaktuara nga qentë endacakë. Gjatë rrugës së tij për në punë, herët në mëngjes rreth orës 7:30, ai është ndeshur me një tufë prej katër qensh, shkruan Lokalaktiv, transmeton Portalb.mk.
“Një nga qentë më sulmoi. Më kafshoi në krah, në parakrahun e majtë dhe në bark. Ende e kam shenjën e kafshimit. Arrita disi të çlirohesha dhe shkova në spitalin e Strugës, ku mu mjekuan plagët“, thotë Dudushi.
Rrastin e ka raportuar në Komunën e Strugës dhe ka kërkuar dëmshpërblim. Nga Komuna e kanë dërguar në NP “Komunalja“, nga ku i kanë ofruar lirim nga pagesa e shërbimeve komunale për një periudhë trevjeçare. Ai nuk e ka pranuar këtë ofertë. Pas konsultimit me avokat, i cili nuk ka mundur t’i garantonte rezultat pozitiv të procedurës eventuale, Dudushi ka vendosur të heqë dorë nga kërkesa.
Ai thotë se edhe disa vite nga kjo ngjarje atij ende nuk i është zhdukur frika nga ky problem. Ai druan se edhe qytetarë të tjerë mund të bëhen viktima të sulmeve nga qentë.
“Jam i shqetësuar sepse edhe pas kaq shumë vitesh problemi me qentë endacakë ende nuk është zgjidhur dhe përbën rrezik për qytetarët. Mendoj se në të kaluarën nuk ka pasur interes nga Komuna për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë, ose interesi dhe serioziteti nuk kanë qenë të mjaftueshëm. Shpresoj që sa më shpejt të gjendet zgjidhje për problemin me qentë endacakë në Strugë“, theksoi Dudushi.
Edhe më dramatike është dëshmia e një të riu strugan, i cili rreth dy vite më parë, duke u kthyer në shtëpi është përballë me tufë prej rreth njëzet qensh. Në vend që ta vazhdonte rrugën, ai ka qenë i detyruar të kërkojë mënyrë për të shpëtuar. Falë aftësive të tij fizike ka arritur të ngjitet në gardhin e fushës së hendbollit, ku qentë nuk kanë mundur ta arrijnë. Ka qëndruar aty derisa tufa e qenve është shpërndarë.
Ajo që e ka shqetësuar më shumë ka qenë fakti se vetëm pak metra pas tij ka qenë një person më i moshuar. Për një njeri që për shkak të moshës dhe gjendjes fizike nuk do të mund të reagonte apo të ikte me të njëjtën shpejtësi përballja me tufën e qenve mund të kishte përfunduar me pasoja shumë më serioze.
Kur qytetari nuk mund të ecë i lirë deri në vendin e tij të punës, kur prindi nuk e di nëse fëmija i tij do të arrijë i sigurt në shtëpi, kur një më i moshuar duhet të evitojë rrugë të caktuara nga frika e tufave të qenve problemi nuk është më vetëm komunal. Kjo bëhet çështje sigurie, e cilësisë së jetës së përditshme dhe e së drejtës së qytetarëve për të lëvizur lirshëm në qytetin e tyre.
Ka ardhur koha për të gjetur një zgjidhje
Sipas disa të dhënave me të cilat disponon Komuna në Strugë dhe rrethinë ka nga 600 deri më 800 qen endacakë, numër ky që do të rritet nëse nuk trajtohen siç duhet, nëse nuk kastrohen e sterilizohen dhe lihen të shumohen lirisht.
Zgjidhja që po diskutohet kohëve të fundit është ndërtimi i një strehimoreje, e cila do të duhej të siguronte hapësirë për strehimin, trajtimin dhe kontrollimin e qenve.
Krahas përgjegjësisë institucionale ngrihet edhe çështja për përgjegjësinë e qytetarëve. Çfarë ndodh me pronarët që i lënë kafshët e tyre pa kontroll, i braktisin kur nuk munden ose nuk duan më të kujdesen për to, e lejojnë shumimin e pakontrolluar apo thjesht e kalojnë problemin nga oborri i tyre në rrugë?
Prandaj, dilema nuk është vetëm nëse Strugës i nevojitet strehimore. Çështja është nëse ajo do të jetë pjesë e një zgjidhjeje sistemike apo vetëm adresë e re ku do të adresohen pasojat e sjelljes së papërgjegjshme. Pa kontrollimin e pronarëve, sterilizimin dhe kastrimin, identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve, sanksionimin e braktisjes së kafshëve dhe kontrollin e vazhdueshëm institucional ekziston rreziku që strehimorja të bëhet vend ku problemi do të akumulohet në vend që të zgjidhet.
Investitorë të interesuar për strehimoren
Komuna e Strugës mendon që zgjidhjen e me qentë endacakë ta realizojë përmes partneritetit publik-privat, për çka planifikon të shpallë thirrje publike. Sipas kryetarit të komunës, Mendi Qyra, për këtë model tashmë ekziston interesim nga të paktën tre investitorë potencialë.
Edhe pse procedura ende nuk ka filluar zyrtarisht, nëpër Strugë tashmë po qarkullojnë informacione se ndërtimi i strehimores është dakorduar dhe se investitori potencial tashmë është duke ndërmarrë aktivitete lidhur me ndërtimin e saj. Për momentin nga Komuna informacionet e këtilla nuk i konfirmojnë si procedurë të përfunduar.
Sipas kryetarit të komunës, Mendi Qyra Komuna e Strugës, tashmë gjashtë muaj po punon intensivisht për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për problemin me qentë endacakë, të cilët lëvizin në tufa nëpër qytet, përfshirë këtu edhe lokacionet më të frekuentuara, duke përfaqësuar kështu rrezik potencial për qytetarët.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore
Për t’u përballur me pasojat e këtij problemi nga buxheti komunal çdo vit ndahen rreth 100.000 euro. Mjetet janë të dedikuara për dëmshpërblimin e qytetarëve të kafshuar, për shpenzime gjyqësore, si dhe për aktivitete që kanë të bëjnë me kapjen e qenve endacakë.
Ndërtimi i strehimores, sipas Qyrës, në këtë moment është e vetmja zgjidhje afatgjatë dhe sistemike. Por, propozimi disa herë deri më tani nuk e ka marrë mbështetjen e nevojshme nga Këshilli i Komunës së Strugës. Si alternativë të përkohshme Komuna ka kontratë me “Stacionin veterinar Centar import-eksport ShPKNjP Kërçovë“ për trajtimin human të qenve në vlerë prej 500.000 denarësh. Por, sipas kryetarit të komunës, edhe ky model nuk po i jep rezultatet e pritura, me vërejtjen se marren vetëm pesë-gjashtë qen për trajtim, gjë që nuk është zgjidhje adekuate për problemin.
Sipas studimit të fizibilitetit për ndërtimin e strehimores Komuna parasheh që të ndajë 100.000 euro në vit. Detyrimet lidhur me funksionimin e strehimores – që nga aktivitetet teknike dhe logjistike e deri te kujdesi për kafshët – do të kryheshin nga partneri privat.
“Ne këto mjete ia japim atij, ndërsa ai e merr përsipër detyrimin për çdo qen. Mundësi më efikase dhe më të mirë nuk kishte. Çdo vit i paguajmë investitorit 100.000 euro dhe nuk kemi asnjë detyrim tjetër“, thotë Qyra.
Sipas modelit të paralajmëruar kontrata për partneritet publik-privat do të lidhej për një periudhë prej 15 vitesh.
Kryetari i Komunës kërkon mbështetje më të gjerë
Kryetari i Komunës shpreh zhgënjim edhe për shkak të mungesës së mbështetjes më të gjerë për ndërtimin e strehimores. Ai thotë se përveç këshilltarëve ka pritur presion më të fuqishëm edhe nga qytetarët, organizatat joqeveritare dhe institucionet, sidomos për shkak se problemi ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme në qytet.
“Më vjen shumë keq sepse për këtë çështje në Strugë duhej të ngriheshin të gjithë, të protestonin, sepse qentë endacakë i sulmojnë edhe këshilltarët që nuk votojnë, edhe fëmijët e tyre. Kërkojmë mbështetje, të cilën, për fat të keq nuk e kemi pasur aq sa duhet, edhe nga organizatat joqeveritare, edhe nga qytetarët, edhe nga të gjitha institucionet që të ngrihet zëri, të zgjidhet ky problem“, thotë Qyra.
Propozimi për ndërtimin e strehimores fillimisht u tërhoq nga rendi i ditës me kërkesë të këshilltarëve të opozitës, për shkak se materiali nuk ishte i përkthyer në gjuhën shqipe. Gjatë shqyrtimit të dytë propozimi nuk e mori shumicën e nevojshme të votave, ndërsa kjo pikë u hoq nga rendi i ditës edhe gjatë tentativës së tretë.
Kryetari i Komunës është i mendimit se mospajtimi politik nuk është i mjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me zgjidhje alternative.
“Në rregull, këshilltarët nuk pajtohen dhe kjo është e drejtë e tyre. Por, ata nuk ofrojnë zgjidhje. Të paktën të ofronin. Nuk kemi asnjë propozim nga ana e tyre“, thotë Qyra.
Në ndërkohë Komuna ofron marrëveshje me ujdi për personat e dëmtuar për pagesën e 80.000 denarëve pa procedurë gjyqësore.
Këshilli i ndarë për strehimoren
Këshilltarët nga opozita me qëndrim të ngjashëm, kërkojnë së pari diskutim publik me përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante, sektorit joqeveritar dhe ekspertëve të fushës për gjetjen e zgjidhjes më adekuate për tejkalimin e problemit me qentë endacakë.
Këshilltari i vetëm nga LSDM, Dimçe Shipinkarovski, thotë se këshilltarët do të marrin vendim pas përfundimit të diskutimit publik dhe në bazë të qëndrimeve të theksuara të ekspertëve.
“Askush nuk është kundër zgjidhjes së problemit me qentë, por dëshirojmë t’i dëgjojmë të gjithë faktorët relevantë dhe pastaj të vendosim“, thotë Shipinkarovski, duke theksuar se nga studimi i propozuar i fizibilitetit për ndërtimin e strehimores kanë mbetur pyetje të hapura rreth biznes-planit 15-vjeçar, përvojës së kompanisë dhe mundësisë që në të ardhmen të shfaqet edhe zgjidhje rajonale më e lirë.
Këshilltari Faton Pollozhani nga BDI thotë se opozita kërkon diskutim publik, e pastaj të bëhet një hap përpara. Ai ka vërejtje edhe për studimin e fizibilitetit dhe ka dyshime rreth procedurës për zgjedhjen e kompanisë, duke vlerësuar se zgjidhja nuk duhet të jetë e dakorduar paraprakisht.
“Ne kemi shumë vërejtje në lidhje me studimin e fizibilitetit që është bërë nga ndonjë zyrë, e cila aspak nuk ka dalë në teren për ta parë gjendjen me qentë endacakë në Strugë. Kemi dyshime për procedurën që duhet të realizohet. Personi tashmë ka ndërtuar edhe strehimore, ndërsa kjo duhet të bëhet përmes procedurës së rregullt të tenderimit“, shton Pollozhani.
Propozimi për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë nuk mori mbështetje as nga këshilltari i partisë “E Majta”, Klime Karamitrevski, i cili i arsyetoi dyshimet dhe reagimet nga qytetarët se tashmë po përgatitet lokacion për strehimoren në afërsi të zonës industriale në Strugë.
“Nuk e dhashë mbështetjen time sepse ka reagime nga qytetarët se dikush tashmë është duke e përgatitur strehimoren, ndërsa në të njëjtën kohë thuhet se do të shpallet thirrje publike në të cilën do mund të aplikojnë të gjithë subjektet e interesuar. Kjo tek unë ngjall dyshim dhe nuk më lë përshtypjen e një procedure transparente. Nëse ndërtohet strehimore i gjithë procesi duhet të jetë publik dhe i qasshëm për të gjithë“, deklaroi Karamitrevski.
Ai është i mendimit se Komuna e Strugës disponon me tokë të pashfrytëzuar dhe nuk e sheh të arsyeshme të paguhet parcelë për ndërtimin e strehimores nëse ekzistojnë lokacione komunale që mund të shfrytëzohen për atë qëllim.
Partia me shumicën e këshilltarëve në Këshill, VMRO-DPMNE, e mbështet ndërtimin e strehimores. Këshilltari Kosta Hiohi është i mendimit se me masat e parashikuara për sterilizim, popullata e tyre gradualisht do të zvogëlohej.
“Çështja me qentë i kalon të gjitha kufijtë, prandaj jemi të mendimit se një strehimore e tillë është e nevojshme për zvogëlimin e popullatës së qenve endacakë“, deklaroi Hiohi.
Edhe Nafi Jonuzi nga VLEN, parti që është pjesë e shumicës në Këshill, mendon se është e nevojshme zgjidhja e problemit me qentë endacakë dhe se ndërtimi i strehimores do ta zgjidhë problemin shumëvjeçar të struganëve.
“Dikush duhet të kujdeset për ata qen, t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm dhe pastaj t’i lëshojë si të butë që të mos e pësojnë njerëzit. Mendoj se me strehimoren do të zgjidhet problemi“, deklaroi Jonuzi.
Struganët kanë frikë të ecin lirshëm nëpër qytet
Edhe pse vendet e punës, shkollat, marketet apo shtëpitë i kanë vetëm pak minuta larg, frika nga tufat e qenve endacakë dhe agresivë i detyron qytetarët t’i përdorin automjetet apo të thërrasin taksi. Kjo nënkupton edhe shpenzime shtesë ditore për qytetarët, të cilët duhet të paguajnë për transport për relacione të cilat, në rrethana normale, do t’i bënin në këmbë.
Problemi nuk është vetëm te stresi apo frika kur ndeshen me qen në rrugë. Për ata që janë sulmuar kjo është përvojë traumatike që lë edhe pasoja fizike. Ndërsa për prindërit, personat e moshuar dhe për ata që ecin çdo ditë nëpër qytet, çështja bëhet edhe më serioze – a mund të arrijnë të sigurt nga njëra pikë në tjetrën pa pasur nevojë të kujdesen vazhdimisht se ku lëvizin dhe nga ku mund të shfaqet ndonjë tufë qensh.
Struganët për çdo ditë dëshmojnë për sjellje agresive dhe sulme nga qentë endacakë. Të revoltuar nga kjo që, siç thonë ata, nuk mund të lëvizin më lirshëm dhe pa frikë nëpër qytet kërkojnë që institucionet përfundimisht të ofrojnë një zgjidhje të përhershme dhe efikase.
Në Sektorin për Punë të Brendshme – Ohër në shtatë muajt e parë të vitit 2026 10 persona kanë raportuar sulm nga qentë. Sa për krahasim, gjatë gjithë vitit 2025 janë evidentuar gjashtë raportime, ndërsa në vitin 2024 në polici sulm nga qentë kanë raportuar tetë persona. Shifrat tregojnë se raste e raportuara të sulmeve në vitin 2026 shënojnë rritje dhe e konfirmojnë aspektin serioz të sigurisë me qentë endacakë.
Asnjë sanksion për pronarët që i kanë braktisur kafshët e tyre
Pas pamjes së tufave të qenve endacakë që lëvizin nëpër rrugët e Strugës qëndrojnë edhe shifra që ngrenë pyetje shtesë – sa qen realisht trajtohen si endacakë, sa kafshë janë të regjistruara dhe, ndoshta më e rëndësishmja, sa pronarë janë sanksionuar sepse i kanë braktisur kafshët e tyre?
Sipas të dhënave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) nga fillimi i evidentimit në modulin për kafshët shtëpiake e deri më tani në Komunën e Strugës janë kapur 70 qen endacakë, ndërsa janë regjistruar 1.995 kafshë shtëpiake.
“Në gjysmën e parë të vitit 2026 veterinerët zyrtarë në Njësinë e inspektimit shtetëror për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve në nivel të të gjithë territorit të Maqedonisë realizuan gjithsej 5.079 inspektime, ndërsa në njësinë epizootologjike të Strugës janë realizuar 131 kontrolle. Në nivel shtetëror në gjysmën e parë të vitit 2026 shërbimet inspektoriale të AUV-së kanë realizuar gjithsej 21.250 inspektime. Sipas dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen dhe Mirëqenien e Kafshëve në Strugë deri më tani nuk është shqiptuar asnjë gjobë për braktisjen e kafshëve shtëpiake“, njoftojnë nga AUV.
Pikërisht këto të dhëna e imponojnë dilemën nëse problemi me qentë endacakë mund të zgjidhet vërtet vetëm me kapjen, strehimin dhe ndërtimin e një strehimoreje nëse vazhdon shumimi i pakontrolluar dhe braktisja e kafshëve.
Nga AUV si shkaqe thelbësore për rritjen e numrit të qenve endacakë e veçojnë shumimin e pakontrolluar dhe sjelljen e papërgjegjshme të pronarëve që i braktisin kafshët e tyre.
“Problemi për numrin gjithnjë e më të madh të qenve endacakë në Strugë është shumimi i pakontrolluar dhe braktisja e qenve nga ana e pronarëve të tyre. Është përgatitur korniza e re ligjore që duhet të sigurojë kontroll më të mirë të shumimit dhe ndëshkim serioz të pronarëve të papërgjegjshëm dhe të atyre që i braktisin kafshët e tyre. Në maj të vitit 2026 AUV filloi aktivitete me të gjitha rajonet planore në vend për përgatitjen e një strategjie të re për qentë endacakë, me vlerësimin e numrit të individëve endacakë sipas rajoneve planore dhe komunave“, theksojnë nga AUV.
Problem sistemik që kërkon strategji afatgjatë
Qentë endacakë paraqesin një problem sistemik zgjidhja e të cilit kërkon strategji afatgjatë, veprim institucional të koordinuar dhe zbatim konsekuent të rregullativave ligjore, vlerësojnë veterinerët. Sipas tyre korniza ligjore ekziston, por pyetja kyçe mbetet se sa zbatohet ajo realisht në teren.
Murat Lumani, veteriner nga Struga, është i mendimit se problemi nuk është i pazgjidhshëm nëse institucionet funksionojnë në mënyrë të koordinuar dhe i zbatojnë me përpikëri kompetencat e tyre. Sipas tij, bazë për vendosjen e kontrollit është çipimi i detyrueshëm dhe vakcinimi i të gjithë qenve, me çka do të mundësohet evidentimi i tyre, monitorimi dhe pronësia e përgjegjshme.
“Është e nevojshme që të autorizohen dhe të veprojnë inspektorët shtetërorë dhe lokalë, veterinerët dhe policia, të cilët do të kryejnë kontrolle të rregullta, ndërsa kafshët shtëpiake të jenë nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Vetëm kështu sistemi mund të funksionojë“, theksoi Lumani.
Zgjidhjen e përhershme për problemin me qentë endacakë ai e sheh në ndërtimin e një strehimoreje në të cilën do të realizohet kastrimi, sterilizimi, çipimi, vakcinimi dhe mjekimi i kafshëve të sëmura, por vetëm sipas standardeve profesionale veterinaro-mjekësore.
“Zgjidhja është ndërtimi i një strehimoreje, por vetëm nëse qentë trajtohen në mënyrë profesionale nga veterinerët. Veterineri nuk e mjekon vetëm kafshën, por ai e mbron shëndetin publik. Qentë endacakë mund të jenë bartës të një numri të madh sëmundjesh ngjitëse, parazitare dhe dermatologjike, prandaj pa trajtimin e duhur rreziku për popullatën mbetet real“, tha Lumani.
Luftë për trajtim më të mirë të qenve endacakë
“Lokal Aktiv“ pati mundësinë të bisedojë me një adhurues të kafshëve, i cili vullnetarisht, me mjete vetanake dhe përpjekje maksimale bën gjithçka për mbrojtjen e qenve endacakë. Sipas tij, trajtimi i qenve, mbi të gjitha, është kulturë dhe njohuri për rritjen e tyre – si të ushqehen, të mbahet higjiena dhe shëndeti i tyre.
Ai është i mendimit se ndërtimi i një strehimoreje për qentë endacakë ku do të kishin trajtimin e duhur nga veterinerët për kastrim, sterilizim dhe vakcinim do të ishte zgjidhje e mundshme për problemin. Qentë e trajtuar pastaj mund të ofrohen për adoptim.
Ai thotë se shpeshherë u bëjnë thirrje qytetarëve për ndihmë për ndonjë qen të lënduar apo për këshillë se si të veprojnë për ndonjë situatë të krijuar. Dëshmon edhe për ndërhyrje të shumta, të cilat me ndihmën e tij kanë përfunduar në qendra adekuate për trajtim dhe kanë shpëtuar shumë qen.
I këshillon njerëzit të mos nxisin reagim agresiv te qentë, duke theksuar se vazhdimisht ecën nëpër qytet me disa nga qentë e tij dhe asnjëherë nuk është sulmuar apo rrezikuar nga qentë endacakë.
Ndryshe, aktivistët dhe ekspertët janë të mendimit se pronarët e papërgjegjshëm janë fajtorët kryesorë për rritjen e numrit të qenve të rrugës. Te autoritetet, nga ana tjetër, edhe përkundër premtimeve zgjedhore për zgjidhjen e problemit, mungon vendosshmëria rreth zgjidhjeve më adekuate, dënime shumë më të rrepta për braktisjen e kafshës shtëpiake. Sterilizimi/kastrimi i kafshëve shtëpiake do të jetë i obligueshëm dhe do të ndalohej çiftëzimi i qenve, përveç për mbarështuesit e regjistruar që do t’i kontrollonte AUV-ja, sqaron inspektorja.