Më shumë të raportuar, më pak të dënuar – çfarë tregojnë statistikat për kriminalitetin në RMV

Në vitin 2025 janë evidentuar 18.765 persona madhorë të raportuar si kryerës të veprave penale, 6,5 për qind më shumë se një vit më parë. Në të njëjtën kohë, numri i të akuzuarve është ulur për 7,7 për qind, ndërsa numri i të dënuarve për 5,7 për qind. Shifrat ngrenë pyetje të rëndësishme për sigurinë, por, të marra veçmas, nuk mjaftojnë për të përfunduar se kriminaliteti po rritet ose se qytetarët janë më pak të sigurt, shkruan Racin.mk, transmeton Portalb.mk.

Statistikat për kriminalitetin në Maqedoninë e Veriut për vitin 2025 tregojnë lëvizje të ndryshme në tri kategori: personat e raportuar, të akuzuarit dhe të dënuarit madhorë. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), numri i kryerësve të njohur të veprave penale, të raportuar pranë institucioneve, është rritur për 6,5 për qind krahasuar me vitin 2024, ndërsa numri i të akuzuarve është ulur për 7,7 për qind dhe ai i të dënuarve për 5,7 për qind.

Në shifra absolute, gjatë vitit 2025 janë evidentuar 18.765 persona madhorë të raportuar si kryerës të veprave penale, 6.996 persona të akuzuar dhe 6.371 persona madhorë të dënuar. Këto kategori u referohen fazave të ndryshme të procedurës penale dhe nuk duhet të interpretohen sikur bëhet fjalë për të njëjtin grup njerëzish që, gjatë vitit, ka kaluar njëri pas tjetrit nëpër të gjithë sistemin. 

A nënkupton numri më i madh i raportimeve më shumë kriminalitet?

Jo domosdoshmërisht. Rritja e numrit të personave të raportuar mund të lidhet me disa faktorë: ndryshime reale në kriminalitet, numër më të madh të rasteve të zbuluara, raportim më efikas ose ndryshime në funksionimin e institucioneve. Vetë statistikat nuk tregojnë se cili prej këtyre faktorëve ka pasur ndikimin më të madh.

Për të përcaktuar nëse vërtet është rritur niveli i kriminalitetit, nevojiten të dhëna për numrin e veprave penale, llojin e tyre, vendin ku kanë ndodhur dhe ecurinë e tyre përgjatë një periudhe më të gjatë. I rëndësishëm është edhe raporti i numrit të veprave penale me numrin e banorëve, i llogaritur sipas një metodologjie të qartë dhe të krahasueshme.

Prandaj, pohimi se Maqedonia e Veriut është bërë më e pasigurt vetëm në bazë të rritjes prej 6,5 për qind do të ishte një përfundim i nxituar. 

Më pak të akuzuar dhe të dënuar – çfarë na tregojnë shifrat?

Rënia e numrit të personave të akuzuar dhe të dënuar është sinjali i dytë i rëndësishëm në të dhënat e ESHS-së. Megjithatë, edhe këto ndryshime kërkojnë shpjegime shtesë.

Statistikat, në vetvete, nuk tregojnë nëse kjo rënie lidhet me numrin më të vogël të lëndëve që kanë përfunduar me ngritjen e akuzës, me mënyrën e trajtimit të lëndëve, me kohëzgjatjen e procedurave apo me rrethana të tjera. Po ashtu, nuk mund të përfundohet automatikisht se më pak persona të dënuar nënkuptojnë më shumë pandëshkueshmëri.

Për këtë nevojiten të dhëna nga Prokuroria Publike dhe gjykatat: sa lëndë janë pranuar, sa aktakuza janë ngritur, sa procedura janë përfunduar, sa është numri i lëndëve të pazgjidhura dhe sa zgjasin procedurat deri në marrjen e një aktgjykimi të formës së prerë.

Pikërisht këtu, të dhënat statistikore duhet të shërbejnë si pikënisje e hulumtimit, e jo si përgjigjja përfundimtare e tij.  

Çfarë po ndodh me kriminalitetin e të miturve?

Të dhënat për fëmijët në konflikt me ligjin tregojnë një kombinim tjetër të ndryshimeve. Në vitin 2025, numri i fëmijëve të raportuar është rritur për 3,9 për qind krahasuar me vitin 2024, ndërsa numri i fëmijëve të dënuar është ulur për 34,7 për qind. ESHS-ja ka evidentuar 505 fëmijë të raportuar dhe 196 fëmijë të dënuar gjatë vitit 2025.

Edhe këto shifra nuk mjaftojnë për të përcaktuar shkaqet e ndryshimeve. Për një analizë më të thelluar, duhet të dihet se për çfarë veprash bëhet fjalë, në cilat mjedise janë regjistruar, çfarë masash janë ndërmarrë dhe nëse sistemi siguron mbështetje në kohë dhe risocializim.

Siguria nuk matet me një shifër të vetme

Statistikat zyrtare për vitin 2025 japin një pasqyrë të qartë të ecurisë së numrit të personave të raportuar, të akuzuar dhe të dënuar, por nuk japin një përgjigje të plotë për pyetjen nëse qytetarët janë më të sigurt.

Për një vlerësim të tillë nevojiten të dhëna të krahasueshme nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) për veprat penale sipas llojit dhe rajonit, informacione nga prokuroritë për lëndët dhe aktakuzat, si dhe të dhëna nga gjykatat për aktgjykimet dhe kohëzgjatjen e procedurave.

Gjithashtu, është e nevojshme të bëhet një dallim i kujdesshëm mes rasteve të evidentuara zyrtarisht dhe ndjenjës personale të sigurisë te qytetarët. Këto dy tregues janë të ndërlidhur, por nuk janë i njëjti tregues.

Pra, shifrat për vitin 2025 nuk mjaftojnë për një përfundim sensacional se kriminaliteti po rritet ndjeshëm ose se kryerësit e veprave penale po i shmangen gjithnjë e më shpesh dënimit. Megjithatë, ato janë arsye e mjaftueshme që institucionet të shpjegojnë pse po rritet numri i personave të raportuar, ndërsa po ulet numri i të akuzuarve dhe të dënuarve – si dhe çfarë nënkuptojnë këto ndryshime për efikasitetin e sistemit të drejtësisë penale dhe sigurinë e qytetarëve.

Ndryshe, nga 22 korrik deri më 20 gusht Policia në Maqedoninë e Veriut ka regjistruar 973 raste, ku më të shpeshta kanë qenë rastet e dhunës në familje, të pasuara nga rastet me narkotikë, ndërsa Shkupi prin me numrin më të madh të rasteve me 290 ngjarje. Dhuna në familje ka qenë kategoria më e shpeshtë e rasteve të raportuara gjatë kësaj periudhe, sipas statistikave të publikuara, me gjithsej 200 raste. Pas saj renditet kategoria e dhunës me 172 raste, ndërsa në vendin e tretë janë rastet që lidhen me narkotikët, me 131 raste.

Gjithashtu, rreth 50 raste të dhunës mes bashkëmoshatarëve janë raportuar mesatarisht çdo vit në shkollat e vendit gjatë tre viteve të fundit shkollore, ndërsa institucionet kanë paralajmëruar masa të reja për parandalimin e këtij fenomeni. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka deklaruar se dhuna nuk fillon në shkollë, por më së shpeshti buron nga familja, ndërsa kanë paralajmëruar edhe ndryshime ligjore që parashikojnë gjobë prej 250 eurosh për prindërit e fëmijëve që ushtrojnë dhunë në shkollë ose refuzojnë bashkëpunimin me institucionet.

Dhunë - DhunaKriminel(e) KriminalitetMaqedonia e Veriut RMVMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)