Edhe pse sezoni i gripit tashmë është në kulmin e tij, qytetarët ende nuk mund të aplikojnë për vaksinim falas kundër gripit sezonal përmes platformës vakcinacija.mk. Në faqen e internetit ende shfaqet njoftimi “Aplikimi për vaksinimin kundër gripit sezonal ka përfunduar”, pa mundësi për të paraqitur aplikime të reja. Sot, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se aplikimi duhet të bëhet përmes sistemit “Termini Im”, por aplikimi elektronik përmes platformës aktualisht është i pamundur. Ende nuk dihet se kur qytetarët e interesuar do të mund të aplikojnë për vaksinim, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Klekovski informoi se kanë mbërritur 30.000 dozat e para të vaksinës kundër gripit sezonal, ndërsa vaksinimi pritet të fillojë në periudhën nga 16 deri më 25 tetor.
“Grupi i dytë prej 26.000 vaksinash duhet të mbërrijë deri më 15 nëntor. Për momentin po e organizojmë logjistikën me qendrat e shëndetit publik dhe pres që vaksinimi në vend të fillojë brenda këtyre afateve të zakonshme, përkatësisht nga 16 deri më 25 tetor”, tha ai, duke shtuar se do të jetë i pari që do të vaksinohet për të nxitur qytetarët të aplikojnë.
Portalb.mk dhe Meta javën e kaluar raportuan se nuk ka mundësi për aplikim elektronik për vaksinim, edhe pse sezoni i gripit tashmë është në kulmin e tij. Si arsyetim për vonesën, autoritetet përgjegjëse deklaruan se të tri shtamet e gripit sezonal janë të reja, çka do të thotë se prodhuesit në Evropë dhe në vende të tjera e kanë filluar prodhimin me vonesë.
Në vend, sezoni i gripit ndiqet nga pikëpamja epidemiologjike që nga java e 40-të kalendarike, e cila zakonisht bie në fillim të tetorit, dhe zgjat deri në javën e 20-të të vitit pasues, përkatësisht deri në maj.
Vitin e kaluar, Ministria e Shëndetësisë siguroi 80.000 doza të vaksinës katërvalente nga prodhuesi “Abbott” nga Holanda. Vetëm në gjysmën e parë të tetorit të vitit të kaluar, 49.000 qytetarë aplikuan për vaksinim, ndërsa vetëm ditën e parë të fillimit të vaksinimit u vaksinuan 2.000 qytetarë në vend.
Vaksinimi falas përfshin kategoritë e rrezikuara të popullsisë, si personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët e moshës nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç, si dhe personat e vendosur në institucionet e mbrojtjes sociale për të moshuarit dhe punonjësit e këtyre institucioneve.