Artan Grubi sot del nga arresti shtëpiak

Ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, i cili është i akuzuari i dytë në rastin “Lotaria Shtetërore”, sot del nga arresti shtëpiak, pasi skadon afati maksimal ligjor i paraparë për këtë masë. Përveç arrestit shtëpiak, Artan Grubit i është caktuar edhe masa e konfiskimit të përkohshëm të dokumentit të udhëtimit dhe ndalimi i lëshimit të dokumentit të udhëtimit ose të ndonjë dokumenti tjetër për kalimin e kufirit shtetëror, transmeton Portalb.mk.

Përmes mbrojtjes së tij, ai ka ofruar garanci prej rreth 336 mijë eurosh në pasuri të paluajtshme, me qëllim që t’i hiqet edhe kjo masë.

Nga Gjykata Penale javën e kaluar thanë se propozimakuza, sipas së cilës po gjykohen Grubi dhe shtatë të akuzuar të tjerë në rastin “Lotaria Shtetërore”, është dorëzuar më 13 gusht të këtij viti. Në përputhje me nenin 470 të Ligjit për Procedurë Penale, masa e paraburgimit e caktuar ndaj ish-zëvendëskryeministrit në këtë rast mund të zgjasë më së shumti 60 ditë nga dorëzimi i propozimakuzës.

Lidhur me garancinë e ofruar për masën e kujdesit, nga Gjykata Penale thanë se është hapur një lëndë, e cila i është dërguar për mendim prokurorisë publike kompetente. Pas marrjes së mendimit, Këshilli Penal do të vendosë për propozimin dhe do ta informojë publikun.

Artan Grubi akuzohet në rastin “Lotaria Shtetërore” për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, vepër për të cilën parashihet dënim maksimal prej një deri në pesë vjet burg. Në seancën gjyqësore, ai është deklaruar i pafajshëm.

Ish-zëvendëskryeministri, pas më shumë se 14 muajsh në arrati dhe i paarritshëm për organet e ndjekjes, në shkurt të këtij viti u kthye në vend dhe u arrestua në pikën kufitare “Bllacë”.

Artan GrubiLënda - rasti "Lotaria"