Prekje të padëshiruara, premtime për avancim në këmbim të favoreve seksuale dhe kërcënime për hakmarrje. Këto janë format më të rënda të ngacmimit seksual në shkolla, të evidentuara përmes një hulumtimi të Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (KPMD). Sipas Komisionit, më i shpeshti është ngacmimi verbal, ndërsa gati çdo i tetëmbëdhjeti punonjës ka qenë i ekspozuar ndaj shakave fyese me përmbajtje seksuale, transmeton Portalb.mk.
Hulumtimi, i realizuar me 1.057 punonjës në 26 shkolla në të gjithë Maqedoninë, tregon se gratë janë deri në 4,6 herë më shpesh të prekura nga ngacmimi seksual, ndërsa personeli teknik është pothuajse tri herë më i ekspozuar sesa mësimdhënësit.
Veçanërisht shqetësues është fakti se plot 9 përqind e punonjësve të shërbimeve teknike, përkatësisht afërsisht çdo i njëmbëdhjeti, kanë deklaruar se kanë përjetuar prekje fizike të padëshiruar.
Sipas hulumtimit, forma më e përhapur e ngacmimit seksual janë shakatë fyese me përmbajtje seksuale, ndaj të cilave kanë qenë të ekspozuar 5,5 përqind e të anketuarve, ose afërsisht çdo i tetëmbëdhjeti punonjës.
Nga Komisioni paralajmërojnë se kjo sjellje shpesh relativizohet dhe paraqitet si shaka e padëmshme, ndonëse mund të përbëjë shkelje serioze të dinjitetit të punonjësve.
“Hajde, ishte vetëm një shaka”. Sa herë e keni dëgjuar këtë fjali? Shakatë fyese me përmbajtje seksuale janë forma më e shpeshtë e ngacmimit seksual në vendin e punës (5,5 përqind). Shaka është kur të gjithë qeshin. Kur dikush hesht, skuqet ose largohet nga dhoma, atëherë bëhet fjalë për ngacmim, theksojnë nga Komisioni.
Nënkryetari i KPMD-së, Zekir Abdulov, thekson se institucionet arsimore duhet të sigurojnë një mjedis të sigurt pune për të gjithë punonjësit, pavarësisht pozitës apo detyrave të tyre të punës.
“Shkolla duhet të jetë vend i sigurt jo vetëm për nxënësit, por edhe për secilin që punon aty. Ngacmimi seksual nuk është shaka dhe as problem privat – ai është diskriminim i ndaluar me ligj”, thekson Abdulov.
Ai nënvizon se, në përputhje me Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, ngacmimi seksual përbën një formë diskriminimi, ndërsa punëdhënësit kanë detyrim ligjor të ndërmarrin masa përkatëse për parandalimin e tij.
Kjo do të thotë se shkollat, si punëdhënëse, kanë përgjegjësi të sigurojnë një mjedis pune ku punonjësit nuk do të ekspozohen ndaj sjelljeve poshtëruese, fyese ose ngacmuese me përmbajtje seksuale.