Klekovski: Kanë arritur 30 mijë vaksina kundër gripit, imunizimi pritet të nisë pas një jave

Kanë arritur 30 mijë vaksina kundër gripit nga prodhues evropianë dhe koreanojugorë, konfirmoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, i cili në një deklaratë për televizionin Sitel tha se imunizimi nuk do të vonohet dhe do të fillojë me kohë, si çdo sezon, transmeton Portalb.mk. 

Deri në mesin e nëntorit pritet të arrijnë edhe 26 mijë doza, ndërsa pak më vonë vendi pritet t’i marrë edhe vaksinat e mbetura, për të arritur numrin e planifikuar prej 80 mijë vaksinash.

“Sasitë e para të vaksinave arritën dje në vend dhe do t’u nënshtrohen kontrolleve dhe testimeve të nevojshme. Presim që të martën të aktivizohet sistemi ‘Termini Im’ për paraqitjen për vaksinim dhe sipas planit, deri në fund të javës ose në fillim të javës së ardhshme të fillojmë t’i ftojmë qytetarët për vaksinim”, tha Klekovski për TV Sitel.

Në fillim të kësaj jave, autoritetet shëndetësore njoftuan se kishte vonesa në furnizimin me vaksina, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i kishte publikuar më vonë se zakonisht shtamet e virusit për këtë sezon, për çka prodhuesit në Evropë dhe vende të tjera kishin nisur prodhimin dhe dërgesat me vonesë.

Edhe sezonin e kaluar, Ministria e Shëndetësisë siguroi 80 mijë vaksina kundër gripit, të cilat ishin falas për grupet e rrezikuara.

Sipas Klekovskit, me 30 mijë vaksinat e arritura dje mund të vaksinohen nga 1.500 qytetarë çdo ditë pune deri më 15 nëntor.

“Me këto 30 mijë vaksina presim të mund të vaksinojmë nga 1.500 qytetarë në ditët e punës deri më 15 nëntor. Më pas, me 26 mijë dozat e ardhshme mund të arrijmë në 56 mijë deri në fund të nëntorit dhe shpresoj që deri atëherë të mbërrijnë edhe 25 deri në 30 mijë dozat e tjera, për të arritur numrin e planifikuar prej 80 mijë vaksinash”, deklaroi Klekovski.

Vaksinat falas janë të destinuara për personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, punonjësit shëndetësorë dhe fëmijët deri në moshën pesëvjeçare.

Sezoni i kaluar përfundoi me mbi 17 mijë persona të prekur nga gripi, ndërsa katër persona vdiqën si pasojë e komplikimeve nga virusi.

Të mërkurën, ministri i Shëndetësisë deklaroi se aktualisht nuk ka raste të regjistruara të gripit, por janë aktivë viruse të tjera të frymëmarrjes.

Sipas tij, nëse shfaqet rrezik nga gripi para fillimit të vaksinimit, është përgatitur edhe një plan alternativ, i cili parasheh terapi parandaluese dhe trajtim kundër gripit për grupet me rrezik të lartë.

Vitin e kaluar, Ministria e Shëndetësisë bleu 80 mijë doza të vaksinës katërvalente nga prodhuesi “Abbott” nga Holanda. Vetëm në gjysmën e parë të tetorit të vitit të kaluar, për vaksinim ishin regjistruar 49 mijë qytetarë dhe vetëm në ditën e parë të fillimit të vaksinimit, në vend u vaksinuan 2 mijë qytetarë.

Me vaksinimin falas përfshihen kategoritë e rrezikuara të popullsisë, si personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët e moshës 6 muaj deri në 5 vjeç, si dhe personat e vendosur në institucione për mbrojtje sociale të të moshuarve dhe punonjësit e këtyre institucioneve.

GripiMaqedonia e Veriut RMVMinistria e Shëndetësisë (MSH)Sasho KlekovskiVaksinim