Organizata ekologjike Eko-svest kërkon nga ministri i Mjedisit Jetësor që urgjentisht të dorëzojë dokumentacionin e nevojshëm për sigurimin e financimit për sanimin e deponisë toksike me krom gjashtëvalent në Jegunovcë, nga e cila ekziston rreziku i ndotjes së burimit të ujit në Rashçe, transmeton Portalb.mk.
Sipas Eko-svestit, aktualisht ekziston një donator që mund ta financojë përmes një granti fazën e parë të projektit, e cila përfshin sanimin e stacionit të pastrimit dhe aktivitetet përgatitore për pastrimin e deponisë. Megjithatë, për të mundësuar financimin, ministri duhet të dorëzojë dokumentacionin përkatës brenda afatit të caktuar.
“Pas aktualizimit të rrezikut që deponia toksike me krom gjashtëvalent në Jegunovcë të ndotë burimin e ujit në Rashçe, Qeveria e Republikës së Maqedonisë vendosi të ndërmarrë masa për parandalimin e ndotjes. Aktualisht ekziston një donator që mund ta financojë përmes një granti hapin e parë – sanimin e stacionit të pastrimit dhe aktivitetet përgatitore për pastrimin e deponisë me krom gjashtëvalent. Por, që të mundësohet financimi, ministri duhet të dorëzojë dokumentacionin e nevojshëm. Afati është i shkurtër!”, thonë nga Eko svest.
Nga organizata paralajmërojnë se, nëse dokumentet nuk dorëzohen me kohë, mundësia për ndihmë financiare do të humbet, ndërsa rreziku i ndotjes së mëtejshme do të mbetet. Ata theksojnë se sigurimi i këtij financimi përbën hapin e parë drejt zgjidhjes së përhershme të problemit me deponinë toksike të Jugohromit.
“Eko-svest kërkon nga ministri i Mjedisit Jetësor që urgjentisht t’i dorëzojë dokumentet e nevojshme, në mënyrë që të mos humbet mundësia për financimin e këtij projekti. Ky është hapi i parë drejt zgjidhjes së përhershme të problemit. Nëse nuk respektohet afati, nuk do të ketë ndihmë financiare dhe, rrjedhimisht, rreziku i ndotjes së mëtejshme do të mbetet!”, thuhet në reagim.
Ujërat nëntokësore në afërsi të deponisë së Jugohromit janë të ndotura deri në 100.000 herë më shumë sesa vlerat e lejuara të kromit gjashtëvalent, tregon studimi i përgatitur nga GIM për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për këtë pikë të nxehtë industriale në vend. Mbi 7300 ton nga kjo mbeturinë jashtëzakonisht kancerogjene, e cila ruhet vetëm një kilometër nga fshati Jegunovc, kërcënojnë të ndotin përgjithmonë burimin e Rashçes dhe ta lënë Shkupin pa ujë të pijshëm të pastër. Mbeturinat industriale, të hedhura për dekada në një sipërfaqe prej 7.5 hektarësh, janë të tretshme në ujë, por pavarësisht kësaj, ato ende qëndrojnë të pasiguruara.
Ndryshe, popullata vendase, së bashku me studimet e ekspertëve që janë konsultuar në vitin 2022, pajtohen që duhet sa më parë të parandalohet shkarkimi i ujërave toksike nga deponia në lumin Vardar. Në të njëjtën kohë, në terma afatgjatë, masa më e mirë për banorët dhe mjedisin jetësor në përgjithësi është pastrimi i deponisë nga substancat e rrezikshme dhe largimi i të gjitha mbetjeve nga lokacioni.