LSDM-ja opozitare kërkon dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe hetim për të gjithë personat që mund të jenë përfshirë në kalimin e kufirit nga Iva Mihaillova, e cila u largua nga Maqedonia e Veriut për në Bullgari, pavarësisht se gjykata ia kishte konfiskuar pasaportat maqedonase dhe bullgare. Nga partia pyesin se si ajo e kaloi kufirin, kur MPB-ja e Maqedonisë së Veriut nuk ka evidencë për dalje të saj nga vendi, ndërsa policia kufitare bullgare nuk ka regjistruar hyrjen e saj. LSDM-ja kërkon që të përcaktohet përgjegjësia e të gjithë personave që mund të kenë ndihmuar në këtë rast, transmeton Portalb.mk.
“Ajo vetë thotë se e ka kaluar kufirin ligjërisht, me kartë identiteti, dhe se zyrtarët kufitarë e dinin. Ministria e Brendshme thotë se nuk ka dalje të regjistruar. Qytetarët nuk janë naivë – ata shohin dhe dinë gjithçka. Për këtë është rënë dakord”, tha Keti Shterjova në konferencën e sotme për shtyp.
Ndërkohë, eurodeputeti bullgar nga GERB-i, Andrej Kovaçev, vlerëson se Shkupi nuk ka arsye të ankohet te institucionet evropiane për rastin. Ai tha se e ka informuar personalisht presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për çështjen dhe pretendoi se Bullgaria nuk ka bërë asgjë të papërshtatshme. Kovaçev e cilësoi rastin si çështje humanitare, duke theksuar se gjendja shëndetësore e Mihaillovës kërkon kujdes të menjëhershëm mjekësor.
“Tani për tani, në takimin e PPE-së që po fillon në Itali, e kam informuar Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për situatën dhe besoj se Shkupi nuk ka arsye të ankohet për Bullgarinë. Çfarë saktësisht ka bërë Bullgaria që është problematike? Absolutisht asgjë”, thotë Kovaçev.
Edhe platforma “Biseda për të ardhmen 12:05” reagoi ndaj rastit, duke deklaruar se nuk ka argument më të fortë se një tjetër arratisje skandaloze përtej kufirit, si ajo e fundit e Iva Mihaillovës, që për të ardhmen e Maqedonisë, siç deklarojnë ata, ora është 12:05.
Në reagimin, të titulluar “Udhëheqja politike e institucioneve shtetërore ka nevojë për terapi shoku”, platforma i dërgon disa mesazhe dhe kërkesa Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE.
Ata thonë se pushteti ekzekutiv është i detyruar t’i përgjigjet menjëherë pyetjes nëse arratisja e Iva Mihaillovës u arrit në takimin midis ministrave të jashtëm të Maqedonisë dhe Bullgarisë, Timço Mucunski dhe Velislava Petrova-Çamova, javën e kaluar në Sofje, dhe nëse kjo duhet të shërbejë si shkas fillestar për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku qeveria teknike përgjegjëse për organizimin e tyre do të hyjë në një proces ndryshimesh kushtetuese.
“Nëse qeveria mohon sa më sipër, atëherë ajo duhet të pranojë menjëherë dhe të deklarojë paaftësi të plotë institucionale dhe të kërkojë ndihmë nga partnerët strategjikë ndërkombëtarë, përderisa ende nuk e kemi rrezikuar regjimin pa viza me BE-në dhe nuk e kemi ndezur alarmin e aleancës së NATO-s për shkak të menaxhimit të papërgjegjshëm të kufijve shtetërorë”, thuhet në një deklaratë të platformës.
Rasti ka shkaktuar reagime politike në të dyja vendet, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar se do t’i informojë Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës për rastin, duke shprehur shqetësim për veprimet e institucioneve bullgare dhe duke vlerësuar se veprimet e institucioneve bullgare në lidhje me rastin minojnë përpjekjet e bëra për të ndërtuar besim dhe janë në kundërshtim me angazhimet për të zhvilluar marrëdhënie të mira fqinjësore.
Mihailova është e akuzuar në një proces gjyqësor në lidhje me një aksident trafiku me pasoja fatale në Koçan.
Ministria e Punëve të Brendshme fillimsht tha se në pikën kufitare maqedonase nuk është evidentuar dalja e Iva MihailLovës. Më pas në një njoftim shtesë, nga MPB thanë se, nuk është regjistruar as hyrja e saj legale në territorin e Bullgarisë. Këtë informacion MPB-ja e ka marrë përmes qendrës së përbashkët të kontaktit të të dyja vendeve, pas kontrolleve të kryera nga policia kufitare bullgare.
Lajmin se Mihailova e ka kaluar kufirin maqedono-bullgar e shoqëruar nga avokati i saj bullgar, Nikolaj Dimitrov, e publikoi mëngjesin e sotëm televizioni bullgar BTV. Në një deklaratë për këtë medium, Mihailova tha se, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore, kishte vendosur të kthehej në Bullgari.
“E kaluam kufirin me avokatin tim. Shëndeti im u përkeqësua, ai më mori dhe u kthyem në Bullgari pa asnjë problem. Në kufi e tregova letërnjoftimin tim maqedonas. Ndihem e sigurt në Bullgari. Në Maqedoninë e Veriut isha e përndjekur për shkak të prejardhjes sime bullgare dhe kjo ishte një nga arsyet pse më akuzuan“, deklaroi Mihailova për BTV-në.
E pyetur nëse ka ndërmend të kthehet në Maqedoni për gjykimin, seanca e radhës e të cilit është caktuar për 9 nëntor, ajo u përgjigj:
“Rasti vazhdon me mua ose pa mua. Do të shohim se si do të jetë”.
Në një deklaratë për BTV-në, avokati i saj, Nikolaj Dimitrov, refuzoi të tregojë se në cilën pikë kufitare kishin kaluar, duke thënë se nuk dëshiron t’u shkaktojë probleme personave që, sipas tij, u kishin ndihmuar. Ai pranon se veprimet e tyre mund të përbëjnë shkelje të masave të shqiptuara ndaj Mihailovës, por thotë se, sipas tij, e drejta për t’u trajtuar nga ana mjekësore ishte parimi kryesor që e udhëhoqi marrjen e këtij vendimi.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë njoftoi se nuk ishte informuar paraprakisht për rastin dhe pretendon se nuk kishte marrë pjesë në organizimin e kthimit të të resë Iva në Bullgari.