Filloi sezoni i gripit në RMV, por vaksinimi nuk ka nisur, qytetarët nuk mund të aplikojnë as elektronikisht

Ndërsa sezoni i gripit tashmë është në kulm, qytetarët ende nuk kanë mundësi të aplikojnë për vaksinim falas kundër gripit sezonal përmes sistemit vakcinacija.mk. Në këtë platformë aktualisht nuk është i mundur aplikimi për vaksinim, ndërsa shfaqet njoftimi: “Aplikimi për vaksinim kundër gripit sezonal ka përfunduar”. Ndërkohë, në Ministrinë e Shëndetësisë sot njoftuan se vaksinat e para pritet të arrijnë për rreth dhjetë ditë, transmeton Portalb.mk.

Për momentin nuk dihet saktësisht se kur do të fillojë aplikimi, kur do të mbërrijnë vaksinat, nëse do të ketë mjaftueshëm vaksina për të gjithë të interesuarit dhe as kur saktësisht do të nisë vaksinimi.

Përgjigje të sakta nuk dha as ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, i cili sot në një deklaratë për media tha se problemi me vonesën ishte global.

“Të tre llojet e gripit sezonal janë lloje të reja, që do të thotë se prodhuesit në Evropë dhe në vende të tjera kanë nisur prodhimin me vonesë. Këtë vit thirrja ishte e pasuksesshme dhe një situatë e tillë është edhe në disa vende të rajonit. Bëmë përpjekje të jashtëzakonshme, përmes bashkëpunimit me vende të caktuara dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me një prej prodhuesve evropianë, për të siguruar nga tetori/nëntori 56 mijë vaksina nga 80 mijë vaksinat e planifikuara. Pritet që vaksinat të fillojnë të mbërrijnë për rreth dhjetë ditë, ndërsa 56 mijë dozat të jenë në dispozicion më së voni deri më 15 nëntor”, tha Klekovski.

Ky njoftim krijon një problem shtesë, pasi lë hapësirë për interpretime të ndryshme. Nga njëra anë, “pritet që vaksinat të fillojnë të mbërrijnë për rreth dhjetë ditë”, ndërsa 56 mijë doza duhet të jenë “në dispozicion më së voni deri më 15 nëntor”. Kjo do të thotë se sistemi i aplikimit dhe organizimi i vaksinimit ende duhet të vendosen, në kushtet kur sezoni i gripit tashmë ka filluar. Në vend, sezoni i gripit ndiqet epidemiologjikisht nga java e 40-të kalendarike, e cila zakonisht përkon me fillimin e tetorit, dhe zgjat deri në javën e 20-të të vitit pasues, përkatësisht deri në maj.

Vitin e kaluar, Ministria e Shëndetësisë bleu 80 mijë doza të vaksinës katërvalente nga prodhuesi “Abbott” nga Holanda. Vetëm në gjysmën e parë të tetorit të vitit të kaluar, për vaksinim ishin regjistruar 49 mijë qytetarë dhe vetëm në ditën e parë të fillimit të vaksinimit, në vend u vaksinuan 2 mijë qytetarë.

Me vaksinimin falas përfshihen kategoritë e rrezikuara të popullsisë, si personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët e moshës 6 muaj deri në 5 vjeç, si dhe personat e vendosur në institucione për mbrojtje sociale të të moshuarve dhe punonjësit e këtyre institucioneve.

GripiMinistria e Shëndetësisë (MSH)Sasho KlekovskiVaksinim